
Politikani boton përmbledhjen e katërt me drama.
“Fatkeqësisht asnjë qeveri s’mendon për teatrin, ndërkohë që luajnë teatrin politik”
Vështirë ta thotë se pse shkruan në një gjini, jo vetëm të vështirë, por edhe me një lexues të kufizuar. Por veprat e tij kanë edhe një jetë të dytë, atë të skenës.
Politikani Namik Dokle sapo ka botuar vëllimin e katërt me drama “Shën Maria e Beratit”. Një përmbledhje me katër drama, të cilat të shoqërojnë në një rrugëtim, që nga Mesjeta, në vitet e diktaturës, deri në ditët tona. Dokle tregon rrugëtimin e tij krijuese që nga rinia e hershme deri te problemet që ka sot teatri shqiptar.
Z. Dokle, sapo keni botuar një tjetër vëllim me drama, natyrshëm lind pyetja, pse shkruani këtë gjini, e cila është shumë e vështirë dhe ka lexues të paktë?
Është e vështirë ta shpjegosh arsyen pse, është e vështirë të shpjegosh vetveten, por mund të them se mua më pëlqen drama, sepse ka jetë. Por është një gjini shumë e vështirë, sepse përmes dialogut dhe veprimit duhet të ndërtosh gjithë mendimin, idenë dhe përfytyrimin e personazheve. Një pjesë e dramave të mia janë vënë në skenë, madje kanë fituar edhe çmime, një pjesë ende presin. Një nga dramat e këtij vëllimi ka fituar çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës në Maqedoni ku merrnin pjesë 12 teatro. Një tjetër do të vihet në skenë. Një nga dramat e vëllimit është botuar 40 vjet pasi është shkruar. Është një tallje me burokracinë e kohës, por që fatkeqësisht vazhdon të funksionojë i njëjti mentalitet si në atë kohë, edhe sot e kësaj dite. Kur rrëmova nëpër sirtarët e mi, e gjeta, m’u duk shumë e përshtatshme dhe mund të kem hequr vetëm pak fraza, pjesa tjetër është siç është shkruar në vitin 1972, atëherë kur sapo kisha nisur të shkruaja drama.
Kur keni nisur të shkruani?
Kam nisur të shkruaj shumë herët. Nxitja e parë mund të ketë qenë që në fshatin tim, kur bënim skeçe në shkollë. Madje, më kujtohet një numër ku unë luaja rolin e fëmijës dhe atë të nënës e luante një burrë i fshatit, pasi nuk gjendeshin gra për ta luajtur. Si në kohën e Shekspirit, kur burrat luanin rolin e grave. Më pas jam aktivizuar edhe në rrethet teatrore të shkollës. Por kam botuar edhe në gjini të tjera. Kam botuar tri vëllime me tregime në vitet ’70 dhe po në atë kohë kam filluar të shkruaj drama. Shumë nga miqtë e mi dhe regjisorë të njohur, si Pirro Mani, më rekomanduan të vazhoja në rrugën e dramës, edhe pse ka pasur shumë telashe, sepse një pjesë e dramave që kam shkruar askohe janë konsideruar si revizioniste, moderniste etj., edhe në raportime zyrtare apo shtypin zyrtar. Megjithatë, nuk kam hequr dorë nga kjo dashuri e parë në art dhe kam vazhduar të shkruaj drama e radiodrama për të rritur e për fëmijë. Numri i tyre mund të jetë rreth 20, por ndërkohë janë botuar 4 libra me drama. Drama e parë e publikuar është ajo e vitit 1975, me të cilën fitova çmimin e dytë në konkursin letrar kombëtar. Më vjen mirë se kryetar i jurisë së dramës ishte Ismail Kadare.
Vëllimi hapet me dramën “Viti i qenit”, që evokon periudhën e diktaturës, ka një nxitje reale, personale në të?

Është një dramë që e kam përjetuar edhe unë vetë, por edhe shokët e miqtë e mi. Është një përjetim i mbajtur brenda qenies sime për vite e vite të tëra dhe erdhi momenti që të shpërfaqet. Janë përjetime të miat nga koha studentore. Dhe koha e zhvillimit të ngjarjeve është pikërisht në ato vite, kur unë kam qenë student. Studentët janë pjesa më e çliruar, më idealiste, ëndërrimtare e shoqërisë, pjesa që e ndien më shumë padrejtësinë, edhe kur nuk e provon në kurrizin e vet. Drama në fjalë fillon si një farsë, si një tallje e studentëve me regjimin dhe mënyra që ata gjejnë është organizimi i gjyqit të një qeni. Atëherë, kur diktatura kishte hequr të drejtën e avokatit nga gjyqi, studentët zhvillojnë gjyqin e një qeni me avokat. Kjo është pika lidhëse, dhe më pas nga një farsë ajo kthehet në një tragjedi për ta. Kuptohet që të talleshe me regjimin, nuk ishte rrugë tjetër veçse të përfunodje në burg, në internim, pra e qeshura kthehej në lot. Ajo çka më ka nxitur në shkrimin e asaj drame, edhe pse nuk është elementi themelor i saj, është ëndrra për nesër. Ëndrra e guximshme e atyre studentëve, të cilët marrin parasysh edhe një sakrificë ekstreme, thjesht për të shfaqur ëndrrën e tyre. Aty-këtu brenda asaj atmosfere të rëndë shfaqet edhe optimizmi se gjërat do të ndryshojnë.
Pse “Viti i qenit”?
Titulli është “Viti i qenit” nisur nga një element i horoskopit kinez. Një nga personazhet thotë: Jemi në vitin e qenit, pastaj do vijë viti i dragoit, pastaj ai i miut, në kuptimin që diktaturat të kafshojnë, janë të fuqishme si dragonj, por përfundojnë si miu.
Ka një Fati, Vera, Leo… të vërtetë?
Nuk ka përshkrime që personazhet të ngjajnë plotësisht me dikë, por në të gjitha personazhet ka shumë elementë të përjetimeve dhe njohjeve të mia personale, të shokëve të mi të gjimnazit, të fshatit, të universitetit e më vonë.
Në këtë dramë atakoni Gjyqësorin, ka edhe nxitje aktuale, duke qenë që Gjyqësori vazhdon të jetë problematik?
Gjithmonë problematik. Gjyqësori, sa i mirë është kur i bindet ligjit dhe Kushtetutës, aq i keq bëhet nëse i bindet politikës në kundërshtim me të parat. Dhe kjo është në çdo kohë…
Nga diktatura, shtyheni në errësirën e Mesjetës…
Ngjarjet e dramës “Shën Maria e Beratit” shtyhet shumë në kohë, në të dalë të Mesjetës, por ka edhe ajo frymëzimet e kohës, sepse shkrimtari, kurdo që ta vendosë ngjarjen, niset nga ca përjetime, dëshira, mesazhe që do të përçojë në kohën kur shkruhet një vepër. Kjo është një dramë që i kushtohet përpjekjeve shekullore të njerëzve të shquar, për të garantuar mbijetesën e identitetit, traditës dhe të shpirtit të kombit shqiptar. Në qendër të saj është jeta e një piktori që në një kishë të Beratit pikturon Shën Marinë me Krishtin në krah të djathtë. Kështu quhet një nga ikonat më të shquara të Onufrit, të cilit i kam huazuar vetëm emrin e ikonës dhe vendndodhjen e saj. Ideja e parë për ta shkruar këtë dramë më ka lindur nga disa esse të Ismail Kadaresë, sidomos nga “Dialog me Alain Bosquet”. Thelbi është përpjekja e intelektualëve të çdo kohe për të mbrojtur identitetin kombëtar të popullit tonë, në një luftë të ashpër me ata që nuk e dëshironin një gjë të tillë, qofshin brenda apo jashtë nesh.
Ndodh që të shkruani më shumë në periudha të tensionuara politike?
Ndodh edhe kjo. Shpesh kur shoh një material që kam shkruar, has edhe shprehje që i kam dëgjuar në Parlament dhe në mënyrë të pandërgjegjshme ia kam vënë ato në gojë një personazhi. Pra, mesa duket, përfytyrimet e përditshme shfaqen në një mënyrë apo në një tjetër në veprën e atij që shkruan.
I realizon letërsia, ato që nuk i realizon dot politika?
Është një ëndërr e bukur. Megjithatë njeriu ndihet më i plotë kur shpërfaq mendime që i bluan, i vuan, i mendon në mënyrë të përditshme. Sigurisht që unë jam marrë me politikë dhe letërsia është xheloze dhe synon që në një kohë të caktuar t’i kushtohesh vetëm asaj. Natyrisht ekuilibri mes jetës aktive politike dhe të shkruarit është shumë i vështirë, por për fat të mirë, veç politikës, unë nuk jam marrë as me biznes dhe as me “veprimtari” kafenesh. Në atë pak kohë që më mbetet vazhdoj të ushqej pasionin tim të kahershëm, që me sa duket nuk vdiska kurrë.
Drama destinacionin e saj e ka në skenë, ju thatë se shumë drama tuajat e kanë pasur këtë fat. Si u janë dukur, ju kanë pëlqyer…?
Ëshë e vëtetë që drama jetën e vet e ka në skenë, nuk shkruhet thjesht për t’u lexuar. Në skenë madje marrin një jetë krejt të veçantë, materializohen dhe marrin një dimension tjetër, pasi asaj që dramaturgu shkruan i vishet dhe koncepti i regjisorit dhe loja e aktorit. Dikur kam shkruar një dramë (në vitet ’70), e cila para se të vihej në Teatrin e Korçës nga regjisori Dhimitër Orgocka, e realizoi Radio Tirana në programin “Teatri në mikrofon”, luajtur nga aktorë të Teatrit Kombëtar. Rolin kryesor e interpretoi aktori i madh Naim Frashëri dhe mbaj mend që kur e kam dëgjuar të interpretuar nga ai, më është dukur një personazh krejt tjetër. Po këtij personazhi, në Teatrin e Korçës i dha jetë i paharruari Pandi Raidhi. Kur e shkruan autori, personazhet janë thjesht në letër, kurse kur e merr në dorë aktori, ai merr gjak, nerva, ndjenja etj. Në këtë kontekst, çdo dramë që nuk vihet në skenë është e destinuar të harrohet. Shumicën e dramave të mia i ka vënë në skenë regjisori Orgocka, me të cilin kemi një bashkëpunim gati 30-vjeçar. Përgjithësisht jam bashkëpunues me regjisorët, përpiqem të mos mbetet jashtë skenës ajo çka unë kam shkruar, por të mos mbetet jashtë saj edhe ajo çka regjisori dhe aktorët konceptojnë gjatë vënies në skenë. Ky është një proces sa i bukur, aq dhe i vështirë, pasi një grup njerëzish përpiqet të sjellë në jetë një galeri personazhesh, të cilët rrezikojnë të harrohen letrave.
Flitet shumë për mungesën e dramës shqipe, vërtet ne nuk kemi prodhimtari apo nuk e duam dramën shqipe?
Ne kemi dramë dhe kemi dramaturgë të njohur, të cilët kanë shkruar më parë dhe vazhdojnë të shkruajnë, si Ruzhdi Pulaha, Mihal Luarasi, Stefan Çapaliku, Bashkim Hoxha etj. Por problemi i dramës është që teatri në Shqipëri është në krizë, është i nënvleftësuar, shpesh edhe i harruar. Shpenzimet që shteti bën për teatrin janë një absurd. Është e turpshme të kujtoj që një aktor i një teatri sot paguhet më pak se një shofer ministri. Sa herë flitet për këtë element të jetës sonë artistike, më kujtohet Kadri Roshi. Më tregonte dikur një histori për Napoleon Bonopartin, i cili teksa ishte te portat e Moskës çon korrierët t’i sjellin informacione nga jeta në Paris. Ata i sjellin çdo informacion për armët, ushqimet, paratë, ushtrinë… Dhe Napoleoni i pyeti, sa spektator kishte Teatri Francez? Ata u kthyen në Paris dhe panë se kishte vetëm 8-9 spektatorë. Kur ia thanë Napoleonit, ai dha urdhër: Kthehuni se luftën e kemi të humbur! Një komb që nuk di të mbajë teatrin e tij nuk mund të emancipohet siç e kërkon koha. Fatkeqësisht, sot për sot, asnjë qeveri nuk mendon për teatrin, ndërkohë që luajnë teatrin politik.
Shkrimtarët e majtë
Kush më i bujshëm, kush më pak, një gjë është e sigurt: të majtëve u ecën pena në të gjitha gjinitë letrare, që nga eseistika, te romani e drama. Madje panorama bëhet edhe më e pasur nëse llogarisim edhe aleatët e Partisë Socialiste, pavarësisht se janë të qendrës apo të djathtë (Preç Zogaj, Spartak Ngjela, Paskal Milo). Pa u ndalur te patriarku i PS-së, Dritëro Agolli, që gjithçka që thotë dhe shkruan, përbën lajm, fenomen shitjesh e bujë janë, pa dyshim, politikani tjetër socialist, Ben Blushi (“Të jetosh në ishull”, “Otello, arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”) dhe kreu i PS-së, Edi Rama, me “Kurban”-in e tij. Politikani socialist, Namik Dokle, është më i hershëm në lëmë të krijimtarisë se Blushi e Rama. Numëron 4 përmbledhje me drama, si dhe të tjera me tregime, megjithatë veprat e tij janë më të “përmbajtura” dhe nuk “tronditin” tregun e librit. Fushës së botimeve i është shtuar së fundmi edhe kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali, e cila në fund të fushatës për këtë post botoi një përmbledhje eseistike, “Maska ra”.
ALMA MILE
© Panorama.al











