
Nënkryetari i Kuvendit shprehet për reformat konsensuale me maxhorancën në Kuvend
Nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, deklaroi dje se qëndrimet e fundit të qeverisë dhe maxhorancës ndaj shtypit, drejtësisë, ekonomisë mund të krijojnë shqetësim në dialogun mes tyre. Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës, Dokle komenton acarimet e fundit mes opozitës dhe maxhorancës lidhur me 21 janarin dhe zgjedhjen e pritshme të Presidentit të ri.
Që prej nëntorit të vitit të shkuar, opozita dhe shumica kanë rënë dakord për të bashkëpunuar për realizimin e disa reformave shumë të rëndësishme. Në këndvështrimin tuaj, si do ta vlerësonit ecurinë e deritanishme të këtyre reformave?
Nga 12 prioritetet që Bashkimi Europian i ka caktuar Shqipërisë, katër prej tyre lidhen drejtpërdrejtë me bashkëpunimin pozitë-opozitë, ndërkohë që 8 të tjerat janë obligim i drejtpërdrejtë i qeverisë për të realizuar dhe për të arritur atë çka ne presim prej kohësh, hapin serioz drejtë familjes europiane. Katër elementët për të cilët thashë, janë votimi i ligjeve më tre të pestat, reforma zgjedhore, reforma parlamentare dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. Siç dihet, Avokati i Popullit u zgjodh nëpërmjet një procedure shumë transparente dhe shumë serioze e tashmë ai është në detyrë. Ndërsa për ligjet me tre të pestat ne i kemi ndarë në dy faza kohore, një pjesë e kodeve që duan 3/5-tat që i kemi miratuar në sesionin e vitit të kaluar, ndërkohë që kodet që kanë të bëjnë me Kodin Civil, Kodin Penal dhe Gjykatën Administrative janë parashikuar që të përfundojnë dhe të votohen në mars të këtij viti. Natyrisht që po punohet me seriozitet dhe PS-ja, si dhe për kodet e mëparshme, ka organizuar tryeza me specialistë të fushës për të qenë sa më e gatshme gjatë periudhës së diskutimit në Parlament dhe për ta mbyllur votimin e këtyre ligjeve me 3/5-tat brenda muajit mars për të cilën është marrë vendimi në Konferencën e Kryetareve të Parlamentit.
Zoti Dokle, ju jeni anëtar i Grupit të Punës për ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit, cilat janë çështjet e identifikuara për t’u ndryshuar dhe a ka një konsensus mes jush dhe shumicës?
Për fat të mirë, deri tani në Grupin e Punës, ku janë dy përfaqësues të PD-së dhe dy të PS-së, elementët e diskutuar kanë pasur konsensus dhe mirëkuptim. Ne kemi përcaktuar tri drejtime kryesore. Drejtimi i parë, disa ndryshime në Rregullore që vijnë si drejtim i ndryshimit të Rregullores pa konsensus. Pra, kemi një situatë që rregullorja e 2004-s, e miratuar me konsensus politik, ka pësuar disa ndryshime pa konsensus. Një element që po diskutojmë është gjetja e momenteve se ku duhet bërë ndërhyrja në Rregullore, në mënyrë që të jetë dhe konsensuale dhe të mos ketë në asnjë rast kuptime të dyfishta e shteg për keqinterpretime. Kemi rënë dakord edhe për mënyrën e buxhetimit të Parlamentit, në mënyrë që roli i grupeve politike të jetë më i madh në planifikimin dhe përdorimin e buxhetit të brendshëm të Parlamentit. Do të shihen dhe disa elementë të statusit të deputetit, elementë për të cilët kemi diskutuar bashkërisht dhe që ka mirëkuptim. Ndërkohë, kemi bërë një punë përgatitore me ekspertët e Kuvendit dhe kanë filluar konsultat me tri organizma ndërkombëtare, me Institutin Demokratik Amerikan, me OSBE-në dhe Fondacionin Anglez për Demokraci. Deri tani janë bërë hapa pozitivë, besoj që në kohën e duhur do të jemi gati për t’ia paraqitur Kuvendit.
Pra, a do të mbyllet kjo reformë brenda muajit shkurt, siç është planifikuar?
Jo. Kjo reformë është parashikuar të mbyllet brenda muajit mars, sepse në vendim është katër muaj pas mbledhjes së parë, pra që i bie të përfundojë në fund të muajit mars, së bashku me reformën zgjedhore që mendoj që është më e rëndësishme se reforma parlamentare, për të cilën vazhdon puna.
Zoti Dokle, ngërçi politik ishte një nga shkaqet që Shqipërisë iu mohua statusi i vendit kandidat për në BE. Duke pasur parasysh acarimin e ri pas hetimit të ngjarjeve të 21 janarit, apo diskutimet e pritshme për zgjedhjen e Presidenti të ri pas disa muajsh, a mendoni se PS dhe PD do të arrijnë një konsensus për hir të vendit, për të përmbushur 12 detyrimet ndaj Brukselit?
Do të ishte shumë pozitive të arrihej një konsensus, sidomos për zgjidhjen e atyre problemeve që janë shtruar në tavolinë dhe që kanë të bëjnë me 12 prioritetet. Një nga elementët që ne kemi diskutuar më shumë ka qenë dhe pakti për Drejtësinë, për të cilin në kemi bërë dhe propozime konkrete, dhe dihet që një nga elementet e reformës është edhe Drejtësia. Po ashtu, një element shumë i rëndësishëm është dhe reforma për mediat, sepse tashmë, siç është njoftuar nga shtypi dhe mediat, Shqipëria zë vendin e fundit për sa i përket lirisë së mediave në rajon dhe ka një përkeqësim në këtë drejtim. Pra, janë një sërë problematikash që kanë të bëjnë me luftën e përbashkët për t’u integruar në Bashkimin Europian. Për këtë, duhen përcaktuar qartë dhe marrë masa konkrete për luftën ndaj korrupsionit, për të eliminuar sistemin e pandëshkueshmërisë për të korruptuarit. Për të pasur lirinë në media, për të rritur lirinë ekonomike. Megjithatë, të gjitha ato problematika që ju prekët në pyetjen tuaj janë elementë që mund të shkaktojnë probleme, dhe ne kemi kërkuar gjithmonë nga qeveria e nga maxhoranca që t’i bindemi ligjit dhe Kushtetutës, dhe të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe Kushtetutës. Nga kjo pikëpamje, opozita vazhdon të jetë mbrojtëse e të drejtës së qytetarit e barazisë së tij para ligjit, në mënyrë që të jemi dhe ne europianë të vërtetë për t’u integruar. Qëndrimet e fundit të maxhorancës kam përshtypjen se mund të përbëjnë shqetësim, dhe Partia Socialiste ka bërë thirrje, ashtu si opinioni ndërkombëtar e përfaqësuesit e diplomacisë që janë të akredituar në Tiranë, që gjithçka të zbatohet në bazë të parimit të barazisë para ligjit, të drejtësisë për çdo qytetar. Këta do të ishin elementë shumë pozitivë në qoftë se do të arriheshin. Por, vihet re që ka presion nga qeveria mbi shtypin, mbi ekonominë, mbi drejtësinë. Këta janë elementë të cilët detyrimisht duhet të ndryshohen, që të arrijmë atë objektiv të përbashkët në familjen europiane.
ZERI I AMERIKES
© Panorama.al











