
Shtetasit që aktualisht kanë importuar një makinë për të cilën nuk kanë paguar detyrimet doganore, në pritje të projektligjit që heq detyrimin e zhdoganimit, nuk përfitojnë nga ky ligj.Konfuzionit që është krijuar mes përfitimit nga amnistia dhe

përfitimit nga heqja e importit, Ministria e Financave i ka dhënë dje një sqarim zyrtar lidhur me këtë pikë. Kështu, sipas deklaratës, përfitojnë nga ligji për amnistinë fiskale të gjithë ata qytetarë që kanë importuar një makinë deri më 31 dhjetor 2010 nëse paguajnë 50 për qind të principalit. Për shtetasit që kanë importuar një makinë nga 1 janari 2011 dhe deri në momentin që do të hyjë në fuqi projektligji për heqjen e doganës për makinat e importuara, do të duhet që të paguajnë detyrimin e plotë të zhdoganimit. Vetëm për makinat që do të importohen pas hyrjes në fuqi të ligjit, që aktualisht është në diskutim, përdoruesit nuk do t’i duhet që të paguajë zhdoganimin e makinës.
AMNISTIA DHE IMPORTI
Këtë konfuzion e sqaroi dje gjatë një takimi me Këshillin Konsultativ të Biznesit edhe zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj. “Është rasti të bëj një sqarim, sepse është vënë re një farë konfuzioni ndërmjet këtij projekti që është paraqitur nga ana jonë dhe një të drejte që pronarët e automjeteve që i kanë futur makinat deri në fund të vitit 2010 kanë në lidhje me pagesën 50 për qind të detyrimeve doganore. Sqaroj që projekti që aktualisht po diskutojmë do të mund të sillte efektet vetëm për transaksionet që do të kryheshin pas hyrjes së fuqi të këtij ligj dhe ky projekt i referohet vetëm taksës së makinave të përdorura. Ajo çfarë ligji për faljen e detyrimit doganor dhe legalizimit të kapitalit ofron është diçka tjetër”, tha Rushaj. Sipas tij, të gjithë ata pronarë mjetesh që kanë futur makina deri në fund të vitit 2010 dhe kanë pa paguar detyrimet në doganë, duhet të paguajnë 50 përqindëshin e detyrimeve për t’iu falur pjesa tjetër, pasi në çdo rast ky ligj nuk do të prekte detyrimet e prapambetura në doganë për t’u paguar. “Është shumë e rëndësishme, pasi kemi vënë re që pronarët e mjeteve, mbase duke konsideruar faktin që projekti i ri do të falë një taksë, kanë ndaluar aplikimet për pagesën e detyrimeve në doganë. Ky ligj, siç thashë, nuk fal asnjë taksë. Ky ligj bën një strukturim të taksës dhe do t’i sjellë efektet vetëm pas hyrjes në fuqi të tij”, theksoi zëvendësministri.
TAKSA E MAKINAVE, PSE U NDRYSHUA
Dje, në takimin me Këshillin Konsultativ të Biznesit, Rushaj prezantoi edhe ndryshimet që Ministria e Financave ka propozuar për t’u bërë në taksën e qarkullimit të mjeteve dhe në taksën e regjistrimit. “Të dyja këto taksa sot mblidhen duke pasur parasysh ndikimin që mjetet kanë në infrastrukturën nacionale dhe lokale, ndërkohë që projektligji propozon që këto të vilen nëpërmjet karburantit”, tha zëvendësministri. Ministria e Financave e ka propozuar një ndryshim të tillë në vjeljen e taksave të makinave duke marrë parasysh një seri faktesh. “Së pari, jo të gjitha automjetet e përdorin njësoj infrastrukturën apo e dëmtojnë njësoj infrastrukturën. Një automjet që lëviz shumë pak në vit nuk e dëmton apo nuk e përdor njëlloj infrastrukturën si një automjet që lëviz shumë më tepër sesa i pari. Ligji aktual, këtë diferencë nuk e mban në konsideratë, thjesht pronarët e automjeteve paguajnë taksa vjetore, pavarësisht se sa ata e përdorin infrastrukturën. Së dyti, vihet re një numër shumë më i madh makinash në qarkullim nga ato që në fakt janë të evidentuara si automjete që paguajnë taksë regjistrimi dhe qarkullimi. Diçka e tillë sjell një farë pabarazie jo vetëm në kontributin që çdo pronar mjeti duhet të japë përsa i përket përdorimit apo dëmtimit të infrastrukturës, por edhe një lloj evazioni në drejtim të mbledhjes së këtyre taksave, që janë të rëndësishme si për institucionet qendrore, edhe për ato vendore”, shpjegoi dje Rushaj.
SI DO TË VILET TAKSA
Një propozim tjetër i Ministrisë së Financave ka të bëjë me mënyrën se si do të vilet taksa e makinave të përdorura. “Së pari dua të sqaroj që nuk është në mendimin e Ministrisë së Financave që ne duhet të heqim dorë nga politika e mbrojtjes së mjedisit duke inkurajuar përdorimin e mjeteve që ndotin pak mjedisin, si dhe duke dekurajuar përdorimin e makinave që e ndotin shumë mjedisin. Sidoqoftë, është vënë re që politika fiskale e ndjekur deri tani, edhe pse e ka të qartë këtë proces, në një farë mase ka dekurajuar transaksionet për ndërrimin e pronësisë së makinave”, tha Rushaj. Ai sqaroi se aktualisht, me ligjin në fuqi, taksa e makinave vilet në doganë për importin, pra mjetet që vijnë nga importi, si dhe në çdo shitje në rast se transaksioni ndodh brenda vendit. Duke iu referuar formulës që zbatohet aktualisht, zëvendësministri shpjegoi se qëllimi fillestar qysh në fillim kur u vendos kjo taksë ka qenë dekurajimi i futjes së makinave të përdorura që do ta ndotnin shumë ambientin, duke vendosur edhe koeficientet. “Është vënë re që shuma që një pronar mjeti që do të kryente një transaksion, qoftë nga importi, qoftë brenda vendit, ishte shumë e lartë, gjë që, siç thashë, ka rezultuar në bllokimin e tregut të shitjes së makinave. Në këtë sens është parë me vend që të propozohet një mënyrë e re taksimi. Kjo taksë nuk do të hiqet, por do të kthehet në një taksë vjetore që do të mbajë në konsideratë gjithashtu se çfarë lloj karburanti përdor makina, çfarë cilindrate ka makina dhe, mbi të gjitha, sa e vjetër është makina me parimin që sa është ndotja”, tha Rushaj.
SHEMBUJT
SA ËSHTË AKTUALISHT DOGANA E MAKINËS
Aktualisht, me ligjin që vazhdon të zbatohet, për importin e makinës paguhet një taksë, e cila llogaritet duke shumëzuar cilindratën me koeficientin e naftës ose benzinës (respektivisht 25 dhe 20) dhe me koeficientin e vjetërsisë (0.5 për çdo vit nga data e prodhimit). Në rast se sot (korrik 2011) një person do të importonte një makinë me naftë të vitit 1999 me një cilindrat 2200 kubikë, ai në doganën shqiptare do të paguante 330 mijë lekë. Kjo si llogaritje e formulës që është akoma në fuqi, ku 2200 është cilindrat x 25 koeficienti i naftës x 6 koeficienti i vjetërsisë (12 vite x 0.5 për çdo vit) = 330 mijë lekë.
KUSH PËRFITON NGA AMNISTIA FISKALE
Amnistia fiskale që ka nisur të zbatohet para një muaji parashikon që dogana e makinave të sjella në Shqipëri, por që për arsye të ndryshme nuk është paguar, të përgjysmohet. Amnistia parashikon që falja e 50% të vlerës së doganës dhe e të gjitha penaliteteve të tjera, si gjoba dhe kamata, të bëhet vetëm për makinat që kanë hyrë në Shqipëri para datës 31 dhjetor 2010. Pra, makinat që janë importuar pas kësaj date nuk përfitojnë nga amnistia. Pra, në rast se një person ka kryer importin e makinës nga janari 2011 dhe më vonë, nuk përfiton nga amnistia fiskale. Ai do të paguajë të gjithë vlerën e doganës. Kush e ka importuar para kësaj date, pra para fillimit të vitit 2011, do të paguajë vetëm gjysmën e doganës. Për shembull, në rast se një makinë është importuar në nëntor të vitit të kaluar, me cilindrat 2200 dhe e vitit 1998, atëherë, sipas formulës, e cila llogaritet për nëntorin 2010, ditën që ai ka importuar makinën, do të duhet të paguante 330 mijë lekë taksë. Ai nuk e ka paguar doganën dhe nga korriku 2011 deri më 31 dhjetor 2011, atij ligji i amnistisë i fal gjysmën e kësaj vlere. Pra, në rast se ai do të shkonte në doganë sot, do të paguante vetëm gjysmën e 330 mijë lekëve, ose 165 mijë lekë.
KUSH PËRFITON NGA LIGJI I RI
Qeveria ka parashikuar në paketën e re fiskale heqjen ose bërjen zero të taksës së importit të makinave, ose doganës. Sipas parashikimeve, ligji do të duhet të votohet në Kuvend në fund të korrikut dhe pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Parashikohet që ligji të hyjë në fuqi në fillim të shtatorit. Kjo bën që të gjitha mjetet që hyjnë në doganë, pas aplikimit të ligjit, pra pas shtatorit, të mos paguajnë taksën e importit. Por, nga ana tjetër, duhet sqaruar se të gjitha mjetet e tjera të importuara para kësaj date, nuk përfitojnë nga ligji i ai. Ato do të duhet të paguajnë vlerën e plotë të taksës doganore. Pra, të gjithë ata që kanë importuar makina para shtatorit 2011, do të paguajnë doganën në vlerën e parashikuar ditën që ata kanë bërë importin. Nga ligji i ri do të përfitojnë vetëm ata që e blejnë makinën dhe e sjellin në Shqipëri pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra pas fillimit të shtatorit.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











