
Në rrethe të ndryshme të vendit po bëhen lëvizje të pamotivuara të mësuesve nga një shkollë në tjetrën, duke shkelur dispozitat e kontratës kolektive. Sipas kreut të Federatës të Sindikatave të Arsimit, Xhafer Dobrushi, këto lëvizje po bëhen për arsye korruptive më tepër, por nuk mungojnë edhe lëvizjet politike. Këtë shqetësim Dobrushi e ngriti dje gjatë një konference për shtyp. “Në rrethe si Mallakastër, Mirditë, Has, Gramsh, Librazhd, po transferohen mësuesit nga një shkollë në tjetrën, në shkelje flagrante të ligjit të ri për arsimin e lartë, i sapohyrë në fuqi”,tha Dobrushi. Ai i kërkoi Ministrisë së Arsimit të ndërhyjë për të mos lejuar që të masivizohet më tej ky fenomen. “Largimet nga puna të mësuesve më të aftë, veçanërisht në gjimnaz, dhe zëvendësimi i tyre me persona jo të kualifikuar kërcënon cilësinë në arsim”,tha Dobrushi.











