A e ka ndërmarrë Thaçi aksionin e ROSU në veri të Kosovës me apo pa dijeninë e amerikanëve?. Hashimi le të kuptohet se po, Kantrimeni e mohoi këtë kategorikisht duke thënë se qeveria e Kosovës e ka bërë këtë pa dijeninë e qeverisë amerikane.
Për të treguar se cila është e vërteta, po tregoj shembullin e një ish-punëtorit tim në “RTV Mitrovica”. Më 1999, një teknik kujdestar në “Radio Mitrovica” kishte lëshuar në transmetim një diçka që nuk ishte me program dhe unë e thirra në telefon që ta hiqte menjëherë nga transmetimi dhe pas këtij urdhri, le që u ndal programi në fjalë, por edhe krejt sinjali i radios. E thirra sërish dhe e pyeta çfarë ndodhi e ai m’u përgjigj se e kishte hequr transmetuesin nga rryma elektrike. Ti vete më the – u arsyetua, unë ndryshe nuk di veç se me e ndalë krejt. Ndash me e leshu ndonjë tjetër program eja e lëshoje vetë.
Tani, puna e Hashim Thaçit është si puna e këtij ish-punëtorit tim që nuk dinte të lëshonte ndonjë tjetër program në transmetim, pos ta bënte punën bërllok – me e ndalë transmetimin krejt.
Qeveria e Kosovës e përfundoi aksionin në veri me dështim dhe me turp, sa që amerikanët e panë të arsyeshme të distancohen nga ky aksion
Sigurisht që amerikanët duhet t’i kenë thënë Hashimit që të lëvizë në drejtim të marrjes së Veriut nën kontroll. Dhe Hashimi e ka bërë t’vetmën gjë që e ka ditur. I ka nisë njësitë speciale të policisë, si Azem Bejta para 90 vitesh, duke harruar se është shekulli 21 dhe për dallim prej Azem Bejtës që aksioneve u printe vetë personalisht dhe i kryente me sukses, qeveria e Kosovës përfundoi me dështim dhe me turp, saqë amerikanët e panë të arsyeshme të distancohen nga ky aksion.
Këtë nuk do ta bënte kurrë një kryeministër i përgjegjshëm. Nëse do t’ishte i përgjegjshëm, ai për 3 vjet e gjysmë si kryeministër çdo ditë e çdo natë do të përpunonte në kokën e vetë planin se si do ta merrte Veriun nën kontroll efektivisht e pa viktima ose me minimumin e viktimave. Por, këtë ia tregoi botës se nuk është i zoti ta bëjë.
Bota e kuptoi këtë, prandaj pozicioni ndërkombëtar i Kosovës para dhe pas 24 korrikut ndryshoi rrënjësisht në kuptimin negativ për Kosovën.
Por, bota kuptoi edhe aftësinë e Hashimit për ta manipuluar popullin e vetë. Bota e kuptoi se Hashimi ka aftësinë që edhe mu… t’ia shes për hallve popullit të vetë dhe opozita të mos reagojë ose të ketë një reagim tejet të vakët. Kjo e bën Hashimin lojtarin kyç politik të Kosovës dhe prandaj ai është shumë më i fortë se para 24 korrikut 2011.
© Panorama.al












