
MAT/ “Shteti u kujtua nga presioni i ndërkombëtarëve”
Mersim Katuçi: Tetë vjet kërkuam ta zbardhnin “trafikun”, tani duam dëmshpërblimin.
“Nuk do lejojmë asnjë në shtëpi pa marrë dëmshpërblimin që na takon”. Vetëm disa orë pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë që u hap rrugë hetimeve të EULEX-it për trafikimin e organeve në vendin tonë, vjen reagimi i fortë i familjes Katuçi nga Gurra e Matit.
Shtëpia e Abdulla Katuçit u kthye banesa më e frekuentuar në Veri të Shqipërisë, pasi Marty e kishte etiketuar atë si “shtëpia e verdhë” dhe ngrinte akuzën se ajo është përdorur si klinikë për transplantin e organeve të ushtarëve dhe shtetasve serbë. Plot 12 hetues nga vende të ndryshme të botës hetuan me 4 e 5 shkurt 2004 në fshatin e largët të Matit, Gurrë e Vogël, në lidhje me akuzën e kryeprokurores së Hagës, Karla Del Ponte, se në një banesë të fshatit kryhej transplanti i organeve trupore. Mersim Katuçi, djali i madh i kësaj familjeje që u përfol kaq shumë, tha dje për “Panorama” se ai nuk është dakord që hetuesit ndërkombëtarë të rikthehen në shtëpinë e tij për hetime të tjera, pasi këtë gjë familja Katuçi e ka kërkuar për 8 vjet me radhë.
Kuvendi i Shqipërisë vendosi dje me shumicë votash që hetuesit e EULEX-it të hetojnë rreth akuzave për trafikun e organeve në vendin tonë. Ka shumë gjasa që ato të jenë për një “vizitë” edhe në shtëpinë tuaj. Ju si do të veproni?

Ne do ta kundërshtojmë kontrollin e banesës sonë, siç vepruam në rastin kur Dik Marti erdhi tinëz për të hetuar në banesën tonë private, në maje të malit. Do të kundërshtojmë sepse për tetë vjet nuk kemi lënë derë pa trokitur që të zbardhet e vërteta dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. U kemi dërguar letra dhe u kemi kërkuar takim drejtuesve më të lartë të shtetit, Presidentit, kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministrit, kryeprokurores, ministrit të Drejtësisë, ambasadave të akredituara në Tiranë etj. Nuk kemi kërkuar lëmoshë. U kemi kërkuar njerëzve më të rëndësishëm të këtij vendi të zbardhin të vërtetën, sepse ndaj nesh u hodhën akuza të forta, totalisht të pavërteta. Para ardhjes së hetuesve të EULEX-it në Gurrë, shteti duhet të zgjidhë kërkesën tonë kryesore: dhënien e dëmshpërblimit për dëmin që na kanë shkaktuar hetuesit e huaj në vitin 2004. Ne iu lutëm shtetit tonë të zbardhte të vërtetën, sepse si Shqipëria, ashtu edhe familja jonë u njollosën keq nga Del Ponte e Dick Marty. Besoj mjaftojnë këto argumente për të kuptuar se ne do ta kundërshtojmë me sa mundemi një kontroll tjetër në banesë. Tetë vite ishin të mjaftueshëm për të kuptuar a shërbeu shtëpia jonë si klinikë për trafikimin e organeve. Tani, u lutemi strukturave më të larta të shtetit të na lënë të qetë, në hallin tonë, në fukarallëkun tonë, në vetminë tonë.
Po shteti ka instrumente për të ushtruar kontroll në banesë. Kuvendi i ka hapur rrugë një hetimi nga EULEX-i dhe ju nuk mund ta pengoni atë?
Ne do ta kundërshtojmë zbatimin e këtij vendimi për rastin tonë, sepse kanë kaluar shumë vite dhe ne nuk i jemi shmangur zbardhjes së të vërtetës, përkundrazi, ne e kërkonim një gjë të tillë dhe strukturat shtetërore kanë heshtur. Tani shteti u kujtua nga presioni i ndërkombëtarëve dhe ne nuk jemi dakord. Nëse shteti përdor forcë, ne nuk do të bëjmë të njëjtën gjë. Por, që nga ky moment u bëj thirrje të gjitha mediave dhe ambasadave që të ndjekin hetimin që mund të realizohet në shtëpinë tonë. Të jenë prezente dhe ta kuptojnë të parët sa trafikantë paskemi qenë ne si familje. Ne e dimë si shteti të merr edhe shpirtin, jo më nuk paska mundësi të ushtrojë kontroll në një shtëpi, në një fshat të humbur, siç është Gurra e Vogël e Matit. Nëse ndodh që ne të kontrollohemi, besoj se strukturat e larta të shtetit fillimisht do të kërkojnë ndjesë që nuk na ndihmuan për tetë vite, do të dërgojnë dëmshpërblimin për dëmin e shkaktuar dhe pastaj të nisin hetimet e tjera.
Si u refuzua Marty në vitin 2009
Në gusht të vitit 2009, familja Katuçi bllokoi makinat e ardhura nga Tirana për t’iu afruar shtëpisë së tyre, në Gurrë të Matit. Ata deklaruan në atë kohë se vetë Dick Marty ndodhej në një nga makinat që mbërritën në fshat. Makina e Marty u afrua rreth 200 metra nga shtëpia e familjes Katuçi, por në atë kohë të gjithë anëtarët e familjes dolën dhe bllokuan lëvizjen e saj. Familjarët deklaruan se nuk do të lejonin hyrjen në shtëpi nëse nuk paraqisnin dokumentet e nevojshme. Për rreth 2 orë makina ku dyshohej se ndodhej Dick Marty u rrethua nga familjarët, të cilët vetëm pas ndërhyrjes së policisë u larguan.
Deputetët, 127 vota pro ligjit për EULEX
TIRANE – Në unanimitet, veç votës së socialistit Braçe, deputetët e Parlamentit dhanë dje OK-in për nisjen e hetimeve në Shqipëri nga EULEX-i për trafikun e pretenduar nga eurodeputeti Dick Marty. Me 127 vota pro, lejohet që EULEX të hetojë edhe në vendin tonë për çështjen e trafikut të qenieve njerëzore në vitin 1999. Deputetët në sallë kanë qenë pro projektligjit për “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task-Forcen hetimore speciale të EULEX-it”, i cili për t’u shndërruar në ligj kërkonte shumicë të cilësuar. Në këtë mënyrë, hetuesit europianë të misionit EULEX mund të kryejnë, ashtu si në Kosovë, edhe në Shqipëri hetime mbi dyshimet e ngritura nga zvicerani Marty për trafik organesh të ushtarëve serbë. Menjëherë pas votimit të djeshëm, ka reaguar Task-Forca e Posaçme e Hetimit e Bashkimit Europian (SIFT), duke përshëndetur miratimin e ligjit. Sipas zyrës së shtypit të delegacionit të BE-së në Tiranë, “miratimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm përpara, pasi forcon më tej aftësinë e SIFT-it për të kryer një hetim penal të plotë, të drejtë dhe të pavarur lidhur me akuzat për krime lufte dhe për krim të organizuar, që përmbahen në raportin e Këshillit të Europës të janarit 2011.
BURREL/ HASAN PASHA
© Panorama.al











