“Djegia e banesave të romëve, për zhurmën e muzikës në një dasmë”

Jul 18, 2011 | 10:45

TIRANE – Djegia e barakave të komunitetit rom pranë Stacionit të Trenit në Tiranë, në shkurt të këtij viti, nuk ka pasur sfond racist. Besmir dhe Daniel Vladi, dy të rinjtë e dënuar si autorët e ngjarjes, mund ta kenë mbështetur me çfarëdo argumenti veprimin e tyre, por asnjë prej këtyre veprimeve nuk ka pasur për bazë racizmin. Të paktën kështu argumentohet në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Tiranës deklarimi i pafajshëm i dy të rinjve për akuzën e “nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”. Në bazë të një vendimi gjyqësor të pak kohëve me parë, dy kushërinjtë Vladi u deklaruan fajtorë vetëm për akuzën e “shkatërrimit të pronës me zjarr”. Në të njëjtën ditë që gjykata vendosi t’i dënojë me burg, u urdhërua lirimi i tyre, për shkak se masa e dënimit përputhej me kohën e qëndrimit në paraburgim.
JO RACIZËM
Referuar vendimit të zbardhur të Gjykatës së Tiranës, veprimi i dy të rinjve, përjashtohet kryekëput që të ketë pasur motive raciste. Sipas Gjykatës, motivi i sherrit ka qenë vetëm zhurma e madhe dhe dy të rinjtë do të ishin konflikutar edhe nëse banorët e çadrave nuk do t’i përkisnin komunitetit rom. “Të pandehurit Besmir Vladi dhe Daniel (Klodian) Vladi janë konfliktuar me shtetasen Xhevrije Hysenaj dhe anëtaret e familjes së saj, për shkakun e vetëm se janë shqetësuar nga intensiteti i zhurmës së muzikës në orët e vona të mbrëmjes. Ky ka qenë shkaku që ka sjellë këtë konflikt që ka agravuar deri në djegien e barakave. Të pandehurit kanë shumë kohë që jetojnë në afërsi të vendit ku jetonte komuniteti ‘rom’. Të pandehurit, po të kishin qëllime apo shkak që buronte nga përkatësia racore e këtij komuniteti, do të kishin vepruar më parë. Të dy të pandehurit janë shqetësuar në orët e vona të natës nga zhurma e madhe dhe, për këtë shkak, ata janë konfliktuar me shtetasit e sipërcituar. Ky konflikt do të krijohej edhe nëse personat që krijonin intensitet të lartë zhurme nuk do të ishin të ndonjë përkatësie të veçantë racore”, thuhej në arsyetimin e vendimit të gjykatës. Volumi i lartë i muzikës pas mesnate, për shkak të një dasme në një nga familjet e komunitetit rom mbrëmjen e 20 shkurtit, ka bezdisur së tepërmi dy kushërinjtë Vladi, të cilët banonin aty pranë. Sipas Gjykatës, ky ka qenë shkaku, që dy të rinjtë janë konfrontuar fizikisht me disa nga anëtarët e komunitetit. Po sipas Gjykatës, më vonë, për shkak të këtij konflikti, dy të rinjtë kanë ndërmarrë edhe aktin e zjarrvënies. “Nga të pandehurit janë djegur dhe dy prej barakave të komunitetit, si dhe janë shkatërruar të gjitha barakat e tjera të komunitetit”, citonte gjykata në vendim.

© Panorama.al

Te lidhura