Djegia e “Skampa”, lirohen 2 punëtorët, hetim pronarit

Aug 9, 2011 | 10:24

Gjykata e Elbasanit vendos hetimin në gjendje të lirë për atë e bir, të akuzuar si shkaktarë të zjarrit që shkrumboi totalisht teatrin “Skampa”.Në seancën e zhvilluar dje u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për shtetasit Ali dhe Gentian Meçe, përkatësisht babë e bir, të cilët u akuzuan për veprën penale “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”. Ata u arrestuan të premten, pasi u akuzuan për vënien e zjarrit në hotel “Guri” dhe më pas të godinës së teatrit “Skampa”, ngjarje e ndodhur të enjten e kaluar. Sipas policisë, të ndaluarit kanë qenë duke punuar me bombol gazi me traze për izolimin e tarracës së hotelit, mjaft pranë teatrit “Skampa”, çka ka shkaktuar si fillim rënien e zjarrit në vendin ku punohej e më pas ka përfshirë godinën e katit të dytë të teatrit. Dy punëtorët po shfrytëzonin gjatë punës së tyre bombolën e gazit, e cila shërben për ngrohjen e ziftit dhe katramasë. Ciflat e gazit në temperaturën ku edhe po kryheshin punimet kanë shkaktuar zjarrin, si fillim në tarracën e hotelit e më pas në tarracën e teatrit “Skampa”. Prokurori i çështjes, Pertef Asllani, kërkoi për dy të ndaluarit “arrest me burg”, por kjo kërkesë u hodh poshtë nga gjykatësi i çështjes, Tomorr Kullolli, i cili la në fuqi vendimin detyrim paraqitjeje, deri në përfundimin e hetimeve. Babë e bir kanë qenë duke punuar në tarracën e një hoteli ngjitur me teatrin “Skampa”, prej të cilit ka ardhur zjarri që depërtoi në kohë rekord në të tria katet e tij, duke shkaktuar një dëm me vlerë 2 milionë euro. Ndërkaq, Policia e Elbasanit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj administratorit të hotelit “Guri”, si dhe të afërmve të tij, shtetasve Besnik dhe Mikel Guri, përkatësisht 49 dhe 26 vjeç. Lajmin e bën të ditur zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu, e cila thotë se procedimi penal në gjendje të lirë ndaj dy shtetasve u bë në vijim të hetimeve rreth zjarrit të rënë më datë 4 të këtij muaji në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit. Shtetasi Besnik Guri, administrator i hotelit, akuzohet për veprën penale “ndërtim pa leje”, pasi rikonstruksioni i katit të tretë të hotelit të tij po kryhej pa lejen e organeve kompetente, ndërsa i afërmi i tij, shtetasi Mikel Guri, akuzohet për veprën penale “dëshmi të rreme”, pasi kur është marrë në pyetje nga ekspertë të policisë, nuk ka treguar me detaje rreth zjarrit të rënë në tarracën e hotelit. Mësohet se ndaj dy shtetasve materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ku edhe do të hetohet më me imtësi rreth zjarrit të rënë në teatrin “Skampa”, godinë e cila ndodhej ngjitur me hotelin. Djegia e “Skampës” u cilësua si një tragjedi kulturore për mbarë Elbasanin. Teatri “Skampa” ishte një nga veprat monumentale më të rëndësishme në Elbasan, i ndërtuar në vitin 1932 me variantin e “La Scala”-s në Itali, me akustikën më të mirë në Shqipëri.

Nisin punimet për rindërtimin e “Skampës”

Një grup specialistësh inxhinierë të Bashkisë, por edhe qytetit, të mbështetur edhe nga ekspertë të kompanisë së sigurimit të objektit, kanë nisur punën për rindërtimin e teatrit “Skampa”, i cili u dogj të enjten e kaluar. Mësohet se inxhinierët po analizojnë materialin që është përdorur rreth 73 vjet më parë për ndërtimin e teatrit. Më pas do të bëhet preventivi, si dhe vlera në para për rindërtimin e tij.

 

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura