Prokuroria heton regjistrat e “Kristal”: Djali i Bossit studioi tre vjet pa hyrë në Shqipëri

May 8, 2012 | 12:20
Faksimile e diplomës së lëshuar nga “Kristal”

Në regjistër e listë notash italiani pasqyrohet si student i rregullt.

Sekuestrohen dokumentet te “Kristal”, Renzo jo në TIMS.

Për tri vite radhazi, Renzo Bossi, djali i politikanit ekstremist italian Umberto Bossi, ka frekuentuar rregullisht universitetin dhe më pas është diplomuar në degën Menaxhim-Biznesi.
Ai ka dhënë rregullisht provimet e lëndëve dhe notat e tij janë hedhur në mënyrë të rregullt në amzën e shkollës. Kështu rezulton të paktën nga dokumentet që Prokuroria e Tiranës me anë të njësisë Task Force ka sekuestruar ditën e premte më 4 maj 2012, pranë universitetit privat “Kristal” në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Prokurorisë, të cilat thanë se në bazë të hetimeve të filluara kryesisht për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë”, është vepruar me sekuestrimin e materialeve shkresore për “studentin” Renzo Bossi. “Nga këqyrja pranë universitetit privat është konstatuar se diploma e lëshuar në emër të Renzo Bossit ka numër serie 482 dhe është firmosur në datën 8 korrik 2011”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, verifikimi i listës së notave korrespondoi me diplomën. Gjithçka ishte hedhur në dokumente në mënyrë të rregullt për plot 29 provime që Renzo Bossi figuron t’i ketë dhënë në Shqipëri. Gjithçka është në rregull deri këtu. Krahas verifikimeve në universitetin “Kristal”, me anë të procedurave të hetimit, oficerët e njësisë Task Force dhe Prokuroria kanë hyrë në sistemin TIMS dhe kanë parë regjistrin e hyrje-daljeve të shtetasit Renzo Bossi në Shqipëri. Sipas burimeve zyrtare, nga verifikimi procedural në sistemin TIMS, nuk rezulton që djali i Umberto Bossit, shtetasi italian Renzo Bossi, i datëlindjes 8 shtator 1988, të ketë hyrë në Shqipëri. “Verifikimi fillimisht u përqendrua në periudhën kur në dokumente pretendohet se shtetasi italian ka frekuentuar universitetin privat. Më pas u bë një verifikim i përgjithshëm dhe u konstatua se nuk rezulton që Renzo Bossi të ketë kaluar në pikat kufitare shqiptare gjatë periudhës që pretendohet se ka studiuar në Shqipëri”, thanë burimet nga Prokuroria.
Hetimi

Lista e notave të Renzo Bossit

Në kushtet kur dokumentet në universitetin privat janë plotësuar sikur Renzo Bossi të ketë frekuentuar rregullisht për tre vjet, por nga ana tjetër sistemi TIMS nuk përmban asnjë lëvizje të tij, sipas Prokurorisë dy janë mundësitë. Ose shtetasi italian, djalë i një politikani të ekstremit të djathtë në Itali, Lega Nord, ka hyrë dhe ka dalë fshehtas në pikat kufitare të Shqipërisë, ose dokumentet mbi shkollimin e tij janë falsifikuar. Mundësia e tretë është që dikush tjetër të jetë paraqitur me dokumentet dhe identitetin e Renzo Bossit për tre vjet në Universitet dhe në fund t‘ia ketë dhënë diplomën atij. Prokuroria është rezervuar në deklarime lidhur me këta skenarë, duke pohuar se hetimi është në vazhdim. Mësohet se ditën e djeshme pas konfirmimit të fakteve se universiteti privat “Kristal” ka dokumente për frekuentimin e shtetasit italian, i cili sipas sistemit TIMS nuk ka hyrë dhe nuk ka dalë në vendin tonë, grupi i hetimit ka bërë një analizë të çështjes. Akuza për të cilën është regjistruar dosja penale në Prokurori, deri tani është “falsifikimi i dokumenteve nga personi ose nëpunësi që ka për detyrë t’i lëshojë”. Sipas Prokurorisë, në vazhdim të hetimit akuzat mund të shtohen edhe në korrupsion e mashtrim, në rast se provohet se personat e interesuar për diploma kanë dhënë shuma financiare në këmbim të pajisjes me këtë dokument. Prokuroria deri dje ka qenë në fazën e verifikimit të dokumentacionit në lidhje me veprat penale, ndërsa hetuesit thonë se pas konfirmimit në TIMS e gjithë situata ka ndryshuar.

Leja e qëndrimit
Një tjetër verifikim i Prokurorisë është kryer për të parë nëse pranë autoriteteve shqiptare ka pasur ndonjë kërkesë për leje qëndrimi me emrin Renzo Bossi. Sipas ligjit, nëse do të qëndronte për tre vjet në Shqipëri, veç kalimit në kufi duhej që djali i politikanit italian të paraqitej në polici dhe tek autoritetet e migracionit për lejen e qëndrimit.

Mbetës në Itali, student i notave 8-10 në Shqipëri
Sipas këqyrjes që ka bërë Prokuroria në listën e notave në universitetin “Kristal”, Renzo Bossi rezultonte student i dalluar. Sipas hetuesve kishte marrë nota të mira nga tetë deri në 10 gjatë kohës që ka kryer studimet pranë universitetit në fjalë. Sipas hetimeve, notat e vendosura kanë qenë të rregullta në lëndët: Matematikë e aplikuar, Matematikë e përgjithshme (dy teste), Bazat e ligjit, Marketing, Menaxhim i burimeve njerëzore, Kontabiliteti financiar, Statistika”, Ekonometria dhe Praktikat e menaxhimit, si dhe një sërë lëndësh të tjera. Në kontrast me këtë situatë, sipas mediave italiane Renzo Bossi kishte mbetur tri herë në provimet e maturës në Itali. Edhe kohëzgjatja 3-vjeçare e studimeve në Shqipëri sipas mediave italiane shtrihet në një kohë kur Renzo Bossi nuk kishte përfunduar maturën në Itali.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura