Divorci, 43-vjeçari në gjyq: Dua dy gra

Aug 16, 2011 | 10:54

TIRANE – I thirrur në seancën gjyqësore për divorcin me bashkëshorten e tij, një 43-vjeçar është shprehur se nuk e kishte problem të kishte marrëdhënie me dy partnere njëkohësisht. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës i dha fund shqyrtimit të kërkesës duke pranuar zgjidhjen e martesës së P. E. nga bashkëshorti i saj M. N. Divorci ishte kërkuar pas pretendimeve të paditëses P. E., 37 vjeçe, se bashkëshorti i saj nuk përmbushte detyrimet si bashkëshort dhe si prind i tre fëmijëve të tyre. Sipas 37-vjeçares, bashkëshorti i saj nuk punonte dhe rrjedhimisht nuk kontribuonte me të ardhura në familje, si edhe shpërdoronte të ardhurat e pakta që ajo siguronte nga puna e saj dhe nga ndihma sociale. Po sipas saj, gjatë dy viteve të fundit ai kishte shkelur në mënyre sistematike besnikërinë bashkëshortore duke bashkëjetuar në një rast me një partnere tjetër në banesën bashkëshortore, në prani të tre fëmijëve. Për shkak të këtyre fakteve, 37-vjeçarja ka pretenduar se grindjet dhe mosmarrëveshjet në çift kanë qenë të vazhdueshme dhe se ndaj saj ishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. I pranishëm në gjykim, M. N. ka mohuar ta kishte dhunuar bashkëshorten e tij. Por ai ka pranuar para trupit gjykues se kishte nisur bashkëjetesën me një partnere të re. Madje, ai ka shkuar më tej duke thënë se lidhjen me partneren e tij paralele nuk e shihte si problem. “I padituri kërkoi që martesa e tij me paditësen të mos zgjidhej, duke mos e konsideruar problem ruajtjen në të njëjtën kohë të marrëdhënieve me dy partnere”, thuhej në vendimin e divorcit.                     ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura