
Një agjent i Prokurorisë e akuzoi Efraim Diverolin se ka tentuar të vrasë në burg një dëshmitar të trafikut të armëve.Gazeta lokale “Orlando Sentinel”, në një raportim nga salla e gjyqit ku u mbajt procesi ndaj Efraim Diverolit, shkruan se agjenti Kevin McCan, nga Byroja e Alkoolit, Duhanit dhe Armëve të zjarrit, e fajësoi Diverolin për tentativën e vrasjes së dëshmitarit që ndodhet në një burg rajonal të sigurisë së ulët në Amerikë. Dëshmitari tha në gjyq se Diveroli ka tentuar të punësojë dhe të paguajë një të burgosur në një burg lokal të sigurisë së ulët për të vrarë një dëshmitar të trafikut të armëve. Pas një dëshmie të tillë inkriminuese, avokatja e Diverolit, Cynthia Haunkins, ka reaguar duke u munduar ta bëjë sa më pak të besueshëm pohimin e agjentit të ATF. “Nuk ka paguar Efraim Diveroli për të vrarë dëshmitarin. Ai i ka dhënë informacion policisë se një dëshmitar i rëndësishëm do të vritej, duke bërë të mundur parandalimin”, deklaroi avokatja e Diverolit në sallën e gjyqit. Në seancën e djeshme, Diveroli dha disa deklarime të pjesshme ku pranoi se ka abuzuar me alkoolin dhe ka përdorur drogë. “Isha zhytur në një jetë me abuzime dhe kam rrezikuar shumë, falënderoj Zotin që kam shpëtuar”, ka thënë dje Diveroli në gjykatë. Një seancë tjetër ndaj tij do të mbahet javën e ardhshme.
Biznesmeni i armëve
Efraim Diveroli, tashmë 24 vjeç, në cilësinë e presidentit të kompanisë “AEY”, ka blerë municione kineze në Shqipëri për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë. Me këto para, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kërkoi të furnizojë forcat afgane të sigurisë me municione, por Diveroli shkeli embargon e SHBA-ve ndaj municioneve dhe armëve kineze. Sipas dëshmisë së biznesmenit Kosta Trebicka, i vdekur në shtator 2008 në Korçë, fishekët kinezë që mblidheshin nga depot e ushtrisë shqiptare i janë shitur kompanisë së Efraim Diverolit, pasi paketimet e tyre janë manipuluar në një punishte në Aeroportin e Rinasit. Ngarkesat janë nisur me avionë nga Rinasi në 2007-2008 dhe sipas dëshmive, pasi kanë mbërritur në Afganistan, fishekët në disa raste kanë dalë problematikë për shkak të vjetërsisë. Një dëshmi e tillë u dha fillimisht nga Trebicka në gazetën “Nju Jork Tajms” dy javë pas tragjedisë së Gërdecit, e cila ndodhi më 15 mars 2008 dhe shkaktoi vdekjen e 26 personave. Për falsifikimin e mbishkrimeve kineze të fishekëve dhe mashtrimin e autoriteteve amerikane, Diveroli është dënuar me katër vjet burg, mirëpo kur ndodhej në liri me kusht, ai u ndalua nga agjentët e ATF-së me armë pa leje, të cilat i përdorte për të dalë për gjah. Për këtë shkak, ndaj tij u hap një tjetër çështje penale, kësaj radhe për shkelje të urdhrit të gjykatës dhe mbajtje pa leje të municioneve luftarake.
Trafiku i armeve
Në mënyrë të përsëritur Prokuroria shqiptare deklaroi disa herë pas tragjedisë së Gërdecit se kishte hapur hetime për “trafikun e armëve nga Shqipëria në SHBA”. Përfundimet e një hetimi të tillë nuk dihen, megjithatë, kompania “AEY” e Efraim Diverolit është gjetur me një sërë shkeljesh nga autoritetet amerikane. Vetë Diveroli ka qenë tri herë në Shqipëri për çështjen e tregtisë së armëve.











