UVIL ZAJMI/ Ish-sportist, atlet i njohur më pas i diplomuar për mjekësi, Prof. Dr. Dhimitraq Stratobërdha, pas 35-vitesh, lidhur me ngjarjen e futjes në ambasada, doktor Taqo rrëfen: “Kam jetuar në një vilë dykatëshe, shumë pranë ambasadës gjermane, një mur na ndante. Atë fillim korriku e kujtoj mirë, e kam përjetuar si dëshmitar okular, shumë gjëra edhe sot i kam në memorie. Kam qenë vetëm 40-vjeç”. Ish- Shef i Departamentit të Mjekësisë Sportive në Universitetin e Sporteve të Tiranës, ish-Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Edukimit dhe Promocionit të Shëndetit, ka qenë, gjithashtu, dhe ish-mjek i Kabinetit të Mjekësisë pranë klubit sportive “Partizani” në periudhën 1980-’90.

Z. Stratobërdha, keni banuar në atë rrugë, tashmë historike
Kam banuar në vilën dykatëshe ngjitur me ambasadën gjermane sot. Një mur na ndante. Vilën e ndërtoi gjyshi im në fund të viteve 50-të, i sapo kthyer nga Amerika. Shumë pranë nga krahu tjetër ishte vila e doktor Shirokës me bodrume të banueshme. Pa fëmijë me grua austriake e cila u largua pas vdekjes së tij. Aty erdhi u sistemua doktor Mborja, kur doli në pension. Po aty në atë vilë kanë banuar edhe familja Gjoni dhe ajo e Aleko Dhimas.
Si e kujtoni, fillimet e ndërtimit atij blloku të ri?
Të parët që u larguan, viti 1971, ishin familjet në tre vilat dykashtëshe. Aty u vendos ambasada e Greqisë. Më 1974, janar, pasi ishin prishur të gjitha të krahut lindor, si më të vjetra, nisi ndërtimi i vilave të reja, ku u vendosën selitë e ambasadës egjiptiane, franceze, hungareze, bullgare edhe Çekosllovakisë. Për të vijuar me dy pallatet e mëdha, me apartamente për familjarët e trupit diplomatik. Aty në një apartament ka qenë edhe ambasada e Palestinës, më pak personale që banonin, punonin në një hyrje. Më 1977, edhe prokuroi Aranit Çela u largua nga vila dykatëshe dhe aty u instalua ambasada e Austrisë.
Ka një ngjarje që përflitej në atë periudhë shkatërrimi
Kujtoj se kur u prishën vilat e Kokonave, Agës, Misjes duke gërmuar për të hapur themelet për ndërtesën e re, një punëtor gjeti një kuti metalike. Nga kureshtja e pati hapur dhe sheh monedha floriri. Njoftoi menjëherë, vjen policia, bashkë me arkën, e marrin edhe punëtorin në rajon. Madje e arrestuan, me pretendimin, duke e akuzuar se sa flori kishte marrë. Ai i kundërshtonte, ata këmbëngulnin. Një ngjarje, që e tillë u përfol.
Korrik, njerëz që përgatiten për pushime, vjen shpërthimi historik?
Gjithçka nisi me futjen e kamionit në ambasadën gjermane, më 2 korrik ka qenë kohë dreke. Kur ai goditi murin, mbrapa saj, dhe me rreth 40 persona u futën, kërkuan strehim në këtë ambasadë. Askush nuk e priste, një veprim, që i befasoi të gjithë, tronditi shtetin, qytetarët e Tiranës, personelin e ambasadës gjermane, por jo vetëm edhe të të tjerave, kryesisht ato perëndimore. Por edhe banorët në atë zonë. Që provokoi më pas edhe futjen e njerëzve, turmave në tri selitë, atë gjermane, franceze, dhe çeke, si dhe në atë italiane, por që ishte jashtë bllokut, rrugës së ambasadave.
Ditë, javë tension, gjithçka mund të ndodhë?
Mund të ketë qenë dita e tretë apo e katërt po qëndroja te dera e shtëpisë, pranë asaj të ambasadës, ku vetëm aty dilnin, futeshin makinat, personeli. Isha duke biseduar me një polic që ruante derën e vogël, njerëzit lëviznin, kalonin, por në rrugë, jo në trotuar, aty nuk i lejonin. Ndërkohë hapet dera, për t’u futur një automjet, kur befas një djalë i ri, si një shigjetë, u shkëput nga turma, me shpejtësi në ato pak sekonda u hodh barkas si në det, që të mos e kapte, ndalonte polici. Ra në oborrin e ambasadës, mjafton që u fut në atë territor, ku polici i cili po bisedonte me mua, që nuk pati kohë dhe mundësi të reagonte, kaq e rrufeshme ishte lëvizja e djaloshit, nuk mund të futej për ta marrë e nxjerrë jashtë. Duke m’u drejtuar mua, i dëshpëruar më tha: “Doktor, sapo më lavdëroi shefi, se në turin tim në ambasadë nuk ka hyrë asnjë njeri. Ky që u fut do më marrë në qafë”.
Cila ishte atmosfera brenda na ambasadë?
Çdo ditë e vështirësonte qëndrimin aty. Natën flinin kudo, në oborr, mjedisin e brendshëm të saj. Dëgjoja që midis tyre diskutonin, shprehnin dyshime për persona, që ishin aty, për të cilët mendonin se i ka futur Sigurimi i Shtetit. Kishin frikë edhe nga kurthe, deri edhe helmim të provokuar nga shteti shqiptar. Gjithashtu, rreziku i një epidemie ishte evident. Madje ambasada kishte hapur edhe një infermieri të vogël brenda saj, me një mjek gjerman që shërbente.
Por, ka edhe situata të tjera, të paparashikueshme?
Kishte edhe njerëz që dilnin, iknin të shokuar. Nga ata që nuk mundën të duronin qëndrimin aty, dhe nuk mund të dilnin nga dera e ambasadës, gjenin si rrugë për t’u larguar, oborrin tim. Duke u hedhur mbi mur, në oborrin tim dhe unë i hapja derën e shtëpisë që t’u largonin.
Ka një ndryshim edhe në lëvizje, komunikim?
Në ato ditët e para, ajo rrugë u kthye si në xhiro, me njerëz, familjarë, të afërm që shkonin e vinin, me shpresën për të parë, komunikuar me të futurit në ambasadë. Në atë gjermane më shumë, më pak në atë franceze, ceke. Pas dy tre ditëve u vendos postblloku në të dyja krahët, që ndalonte hyrjen e lirë, masive të njerëzve. Vetëm, unë se më njihnin dhe për faktin shtëpia ime ishte në buzë të rrugës dhe pa dalje nga mbrapa. Motrën nuk e linin të futej, shkoja e marrja unë të postblloku. Të tjerëve ia bllokun daljen në rrugë, duke i detyruar të gjenin tjetër mundësi daljeje. U mbyllën me mur, të gjitha rrugicat anësore në atë rrugë.
Në ato ditë, po zhvillohet edhe një event i madh sportiv?
Po luhej kampionati botëror i futbollit, në Itali. Finalja ka qenë e diel, 8 korrik, mbrëmje, luante Gjermania me Argjentinën. E ndiqnin edhe në ambasadë, madje fitorja e Gjermanisë u shoqërua me brohoritje.
Ka tentativa që nuk ndalen, për të hyrë në ambasada?
Janë futur edhe në shtëpinë time, e kujtonin për ambasadë. Edhe pse ishte vendosur postblloku, rreth 4- korrikut një djalë i ri, që kishte mundur t’i shpëtonte policisë, duke vrapuar pa ndërtesën e ambasadës bullgare, por që personeli i saj ishte larguar, dhe duke qenë me kangjella të ulta, i kërceu, kaloi, ngjiti shkallët dhe i binte derës, i sigurtë se ishte futur në ambasadë, pa e ditur se ajo ishte boshatisur, pa asnjë njeri, duke bërtitur ndihmë, ndihmë më pas aiuto, aiuto. U afruan, i thoshin që eja, dil, por ai nuk pranonte. Nuk hynin nuk futeshin se kishin frikë tokë e huaj. Por, kur e panë se nuk kishte njerëz, kërcyen e kanë nxjerrë zvarrë me forcë.
Është një derë me hekura që ndan, por edhe afron njerëzit
Kujtoj një grua me një valixhe që shtynte një karrocë fëmijësh në trotuar, edhe pse polici ishte te dera, u kacavjerr te hekurat, për të kaluar matanë. Ndërsa këtej i mbeti karroca me fëmijën. Dhjetëra duar nga brenda e ndihmuan të ngrinte edhe karrocën duke mundësuar që ajo të kalonte derën metalike, ta ulnin në territorin gjerman. Ende kam parasysh një njeri, që u përpoq më shumë, quhej Adnan, një i persekutuar nga komunizmi.
Jeni pranë, një mur ju ndan, si komunikonit?
Mamaja, dhe ne të gjithë, unë vëllai Leonardi, motra Vilma kemi ndihmuar me çfarë kemi pasur mundësi. Kujtoj, që mamaja i vinte muhalebi, një gruaje për fëmijë e saj të vogël, deri edhe rrobat ia lante. Komunikonim nga ballkoni, dritaret e shtëpisë me to. Ushqim, veshje, ujë, gjithçka, nga oborri im hipja dhe ua jepja. Veçanërisht për fëmijët e vegjël. Ishte një çast kur pati mungesë uji, sollën një autobot, nga ato që lanin rrugët. Rreziku për përhapje të sëmundjeve infektive ishte shumë i madh.
Ka edhe sportistë që ndodhen aty?
Kujtoj disa të njohur, si futbollist Tit Ramadani, Jeton Qëndron, djalin e dy profesorëve Ana dhe Petrit Qëndros. Djalin e Sar Cakmaxhian mësuesit armen të njohur të kimisë te “Qemal stafa”. Bashkë me Sycin, Ilir Demaliajn një personazh, tejet aktiv, energjik, komunikues në atë ambasadë. Por edhe mjaft artistë, aktorë, njerëz publikë.
Si reflektohej në ekranin televiziv shqiptar e të huaj?
Shumë kameramanë, te televizioneve të huaja, ishin të pranishëm aty. Bashkë me ata të TVSH-së, si Arben Cekun, Bujar Kokonozi, Bujar Kore. Ndiqnim lajmet në Tvsh, folëset Amali Dhamo, Tefta Radi, Dhimitër Gjoka, Kico Fotjadhi. Por, vetëm në ditët e parë, pastaj u dha urdhër dhe nuk i lejuan më të futen, as ata, askush tjetër. Ndërsa për televizionin italian, kanalin Rai, futja e shqiptarëve në ambasada ishte evenimenti kryesor.
Vjen një informacion që jep shpresë për zgjidhje?
U përhap lajmi se për të futurit në ambasada, sipas një marrëveshje me institucionet ndërkombëtare, atyre për të drejtat e njeriut, pasi nuk mund të vazhdohej në të tilla kushte, shteti shqiptar kishte rënë dakord, që të gjithë, të pajiseshin me pasaporta, për t’u larguar nga Shqipëria. Kjo u konfirmua kur një ditë, ka qenë 11 korriku, pati një takim me përfaqësues të huaj, të ardhur qëllimisht, që u shoqërua me brohoritje. Kjo u konfirmua kur më pas u futën disa fotografë për të bërë fotot e njerëzve.
Nata e 12 korrikut, jo si gjithë të tjerat
U njoftua se do të largoheshin me anije, nga porti i Durrësit. Paraditja, e 12 korrikut, vapë. Çfarë do përcillte ajo natë, si do veprohej me një masë aq të madhe njerëzish, për transportimin e tyre. Ndërkohë ka filluar një lëvizje e forcave të rendit, ushtarakë, punonjës të sigurimit të shtetit me drejtuesit e policisë Dilaver Bregasi, Pirro Lako në krye. Rruga është e boshatisur, asnjë lëvizje. Ata të ambasadës çekosllovake ishin të parët që u larguan se ishin më pak. Vështirësia ishte në ambasadën gjermane. Bëhej fjalë për rreth 3 mijë persona. Kërkohej një organizim serioz dhe pa probleme.
Nata e largimit të madh, si e kujtoni?
Nga Rruga e Durrësit nisën të vinin njëri pas tjetrit autobusë, ndalonin para hyrjes së ambasadës. Punonjësit e saj, të angazhuar, i vinin njerëzit në rrallë dyshe. Te dera e vogël, në rrugë i priste autobusi, i cili merrte grupin, me një numër të caktuar për kapacitetin e tij. Kështu për të gjithë vijoi ai proces në prani të forcave të rendit, më shumë civilë. Kujtoj se në ato pak metra për të hyrë në autobus, mjaft persona e bënin me vrap nga frika se mos i kapte, tërhiqte dikush nga të policisë. Qetësi e madhe. Ndërsa unë nga ballkoni ndiqja çdo gjë.
Një udhëtim, jo për argëtim.
Në mbrëmje në oborr, i grupuan, duke vënë në rrallë dyshe. Te dera e vogël e ambasadës i priste autobusi, i cili merrte grupin, me një numër të caktuar për kapacitetin e tij. Kujtoj se në ato pak metra për të hyrë në autobus disa e bënin me vrap nga frika se mos i tërhiqte dikush nga të policisë Orë të gjata pa fund si dhe autobusët pa mbarim. Nuk e di sa kanë qenë. I fundit u largua duke lënë pas një sfond të errët, zbrastësirë, bashkë me një heshtje të pazakontë të zgjatur e të thellë. Shumë kohë më vonë, mësova se i pari shqiptar që u fut në traget ishte klarinetisti i Ansamblit, Hekuran Xhambali dhe i fundit që e largua, puthi edhe tokën, ishte Iliri Syci.
Java, muajt në vazhdim, si vijuan?
Nga e nesërmja, e shtunë ka qenë, njerëz që u nisën në punë, duke iu rikthye të përditshmes. Ndërsa në rrugën e ambasadave, jo zhurmë, jo rrethime, heshtje, pak njerëz. Një polic që pinte duhan, një tjetër që rrinte pa folur. Ndërkohë frika për një epidemi ishte e pranishme, tre muaj ka vazhduar dezinfektimi i ambasadës gjermane. Kujtoj se kur njerëzit po largoheshin, duke u ndarë me personelin e ambasadës, ato që i përcillnin i jepnin dorën, më pas me një sprai dizinfektonin duart e tyre.
Një bisedë, në një rikthim tejet të veçantë me Arben Cekun?
Kohë më vonë, nga operatori i njohur i TVSH-së, Arben Ceku, mik, që e ka përjetuar atë ngjarje, duke kujtuar detaje të asaj nate, atë çfarë kishte ndodhur, që ne nuk e dinim, ndërsa ai si i vetmi kameraman që shoqëroi vargun e autobusëve deri në Durrës, më tregon: “Deri te “21 Dhjetori”, i ka filmuar operatori Ardian Faja. Më pas unë. Duke qenë se dy tragetet e ardhura nga Italia, që për herë të parë ndodhte të vinin portin e vogël, u krijua problem në hyrjen e tyre. Me shumë vonesë mundën të sistemohen, duke marrë grupin e parë të ambasadës italiane, franceze. Për të mos krijuar kaos në port, u dha urdhër që autobusët me ata të ambasadës gjermane të ndalonin në mesrrugë, duke bërë një pushim, por që zgjati shumë. Në Maminas, mesnatë, autobusët e mbushur me njerëz dhe avull, që nuk dukeshin fytyrat e tyre. Pati frikë, u krijua pasiguri, situatë shqetësuese, sepse menduan mos ishte ndonjë manovër e qeverisë. Aty kam parë që njerëzit kërkonin njëri-tjetrin, burri-gruan, pasi i kishin hipur në autobusë të ndryshëm, dikë te numri 8, dukë të 15-ta.”
Doktor, jeni në Holandë, ju pret një surprizë?
Mjek pranë klubit “Partizani”, shorti në takon të luajmë në Kupën UEFA, në Roterdam, me “Fejnordin”. Shtator 1991, një vit, pas ngjarjes në ambasada. Disa orë para se të niste ndeshja, na njoftojnë se në stadium do të vijë një grup i madh rreth 250 shqiptarë. Ishin nga ata të ambasadës gjermane, tashmë të sistemuar në Gjermani dhe me veturat e tyre kishin marrë rrugën, për në Roterdam. Pas takimit erdhën në dhomat zhveshjes. Dikush më njohu: “Doktor të falënderoj, për ndihmën që na ke dhënë. Më ofroi 100 marka, çoja mamasë, më ka shpëtuar nga vdekja. U larguan bashkë me disa futbollistë të “Partizanit”, si Frashëri, Hasanapapa, Shulku, që nuk u kthyen në Tiranë.
© Panorama.al











