Ditët e Kujtesës, debati për të shkuarën dhe Dosjet e Sigurimit

Oct 25, 2016 | 12:23
SHPËRNDAJE

Të mos pasurit e një dite të veçantë, na jep të drejtën të kemi shumë syresh, në kujtim të atyre qindra mijëra shqiptarëve që vuajtën në burgjet e komunizmit dhe kampet e internimit, atyre që varret nuk u dihen e familjarët nuk dinë ku t’i qajnë, por edhe për vuajtjet e 3 milionë shqiptarëve, që jetuan në Shqipërinë burg për 50 vjet.

Gjatë hapjes së “Ditëve të Kujtesës”
Gjatë hapjes së “Ditëve të Kujtesës”

Një kujtesë që vlen për t’u përballur me të shkuarën, por edhe për të ndërtuar të ardhmen pa dilema, pa pengje e më së shumti që historia të mos përsëritet. Por për këtë të fundit ka nevojë për debat, ka nevojë që brezi i ri të njohë të shkuarën e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Kjo është arsyeja pse po organizohen Ditët e Kujtesës, gjatë të cilave do të hapen tema që rrahin pikërisht te përballja me të shkuarën. Një nga organizatoret e këtij aktiviteti, në emër të Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), Jonila Godole, sqaroi rëndësinë që ka ekzistenca e një dite kujtese.

“Nëse një ditë e tillë mungon, identiteti ynë është i cunguar. Pse kemi nevojë të kujtojmë të shkuarën? Kjo është e rëndësishme më së shumti për brezin e ri dhe misionin që ne kemi, që ata të njohin të shkuarën dhe të ndërtojnë një të ardhme të sigurt. Gjatë zhvillimit të temave mbi kujtesën në shkolla, gjimnaze, ndeshemi me skepticizmin që lidhet me interesin që të rinjtë kanë për të shkuarën. Por gabohen. Pyetjet e tyre janë shumë inkurajuese që ne të vazhdojmë nismën tonë”, tha Godole, teksa shton se pyetjet e të rinjve kanë të bëjnë me njohjen e dëshmitarëve të terrorit komunist, ashtu siç janë të përfshira në kurrikulat shkollore edhe takimet me veteranët e luftës.

Sipas Godoles, këto ditë jo vetëm do të ndihmojnë të rinjtë të njohin të shkuarën e vendit të tyre, por edhe si një nxitje për shoqërinë, për të kujtuar.

“Nëse nuk kujtojmë, lëmë vend për manipulimin e kujtesës dhe sot kemi breza që po rriten pa kujtesë”, tha ajo, ndërsa ndan me të pranishmit se ky proces nuk ka qenë aspak i lehtë dhe se jo kudo i kanë pritur me krahëhapur. Por këto ditë do të shërbejnë si një hapje ndaj vetes, por edhe të tjerëve, për të ndarë eksperienca. Gjatë Ditëve të Kujtesës do të jenë të pranishëm 60 ekspertë nga Shqipëria, Kosova, Çekia, Polonia, Lituania, Rumania, Bosnje-Hercegovina etj., që do të jenë pjesë e aktiviteteve të parashikuara.

Për rëndësinë e një debati të shëndoshë për të shkuarën, për të vënë në vend dinjitetin e viktimave të terrorit komunist, për respektimin e sakrificës së të gjithë atyre që dhanë jetët e tyre që të tjerët të jetonin, përshëndeti edhe Walter Glos (Fondacioni Konrad Adenauer (KAS)), si dhe Anke Holstein, zëvendësambasadore e Gjermanisë.

Sipas tyre, përtej ndihmës që vende që kanë kaluar të njëjtën eksperiencë si Shqipëria, mund të japin në këtë proces të vështirë të përballjes me të kaluarën, janë shqiptarët ata që duhet t’i përgjigjen pyetjes se “çfarë duhet të bëjmë ne me të shkuarën tonë?”.

AKTIVITETET

Në fokus të Ditëve të Kujtesës do të jetë kurrikula shkollore dhe zhvillimi i saj në vendet postkomuniste pas 1990-s. Ekspertë nga Europa Qendrore dhe Lindore do të sjellin përvojën e tyre në rishkrimin e teksteve të historisë dhe do të ballafaqohen me situatën aktuale të kurrikulës në Shqipëri.

Iniciativa Ditët e Kujtesës synon gjithashtu të ndërtojë një axhendë të përbashkët me aktorët e ndryshëm që veprojnë në fushën e kujtesës. Për këtë arsye, rreth 25 iniciativa, institucione private dhe shtetërore brenda dhe jashtë vendit do të evidentojnë para një publiku të gjerë punën dhe projektet e tyre në këtë fushë. Ballafaqimi me të shkuarën do të kulmojë me aktivitetin për hapjen e dosjeve të Sigurimit (28 tetor), një proces i vonuar që ka pasoja për të ardhmen.

Përveç përfaqësuesve shqiptarë, do të ofrojnë ekspertizën e tyre ish-komisionerja për dosjet e STASI-it, znj. Hildigund Beubert, si dhe specialistë të tjerë gjermanë. Sipas organizatorëve, qëllimi i këtyre ditëve është përfshirja masive e të rinjve dhe projekteve që ata kanë realizuar në mënyrë individuale dhe në grup mbi tema të ndryshme, si përditshmëria para 1990-s, përndjekja e klerit katolik në Mirditë, vendet e kujtesës etj.

Në kuadër të këtij aktiviteti, do të shpallen dhe fituesit e konkursit kombëtar “Pyet gjyshërit” për punimet më të mira në fushën e Multimedias. Ky konkurs u shpall më 18 maj 2016 dhe synonte përballjen e brezave, në mënyrë që kujtesa të mos shuhet. Qëndrimi i të rinjve shqiptarë ndaj diktaturës do të trajtohet gjithashtu në një panel të veçantë me iniciativë të OSBE-së dhe RTSH-së.

Takim me fëmijët e diktaturës

Ata janë fëmijë të diktaturës. Disa hynë aty fare të vegjël, ose edhe lindën aty. U rritën, u shkolluan dhe e gjithë bota e tyre ishte vetëm një hapësirë e rrethuar me tela me gjemba. “Fëmijët e diktaturës”, kështu titullohej dokumentari me regji të Besnik Bishës, i shfaqur mbrëmë në hapjen e Ditëve të Kujtesës (24 tetor), një prodhim i IDMC.

miraka

Në qendër të tij janë 4 personazhe të lindur dhe të rritur në kampet e internimit. Dëshmi rrëqethëse, nga kampet e Tepelenës, Savrës, Beratit, fëmijëri e rini të djegura, dinjitete të shkelura përdhunshëm, uri, vuajtje fizike e shpirtërore. E tillë ishte historia e Simon Mirakës, që hyri vetëm 2 javësh në kampin e internimit, për të dalë në korrik në vitin 1989; e Alma Gjurgjës dhe e shumë të tjerëve, që vuajtën për vite damkën “Ata”.

Pjesë e aktiviteteve të djeshme ishte edhe ekspozita “Lufta e Ftohtë”, pjesë e së cilës ishte edhe Shqipëria, gjurmët e së cilës ndihen edhe sot. E bashkë me të edhe miniekspozita e fotografit të njohur Antonio Fantasia “A night of a Regime”, me fotografi të ndërtesave fantazmë, që kanë mbetur nga e shkuara. Fabrika, uzina, miniera të braktisura, por edhe statuja diktaturash, të mbetur pa piedestale.

ALMA MILE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura