Dite historike per Kosoven e ka quajtur kryeministri Hashim Thaci, diten e sotme, pak kohe pas vendimit te Grupit Ndërkombëtar Drejtues për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Në nje interviste dhene per Zerin e Amerikes, Thaci deklaroi se Kosova është unike, dhe se ajo e ka përcaktuar tashmë të ardhmen e saj.
“Asnjë vend fqinj nuk mund të përcaktoj të ardhmen e Kosovës. Mbështetja ndërkombëtare do të vazhdojë, por Kosova mbas shtatorit do të funksionojë plotësisht si vend sovran”- tha Thaci.
Nderkohe me heret, gjatë një konference për mediat Thaci e ka vleresuar kete ditë si dëshmuese te rruges se gjate dhe sakrificave qe jane bere. “Qytetarët tanë çdo herë kanë pasur besim të fuqishëm, shpresë dhe optimizëm për Kosovën e pavarur dhe sot pas 22 vitesh ne jemi shtet sovran dhe demokratik. Sot Kosova po hap një kapitull të ri të shtetësisë së saj”, theksoi kryeministri Thaçi në konferencën për media, pas takimit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën, mbajtur në Vjenë të Austrisë.
Ai më tej shprehu edhe njëherë konsideratën e tij të lartë për punën që ka bërë Zyra Ndërkombëtare Civile në zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës, duke theksuar se për punën, siç ka thënë ai, “të shkëlqyeshme e cila e ka bërë Kosovën shtet të respektuar në rajon dhe më gjerë”, kanë merita të gjithë.
Ai tha se është i vetëdijshëm se në Kosovë ka ende punë për tu bërë, siç është forcimi i sundimit të ligjit dhe rritjen e mirëbesimit të qytetarëve.
“Ne duhet të rrisim shkallën e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre. Për më tepër, unë dua të ritheksoj zotimin tonë për ta rritur përfshirjen tonë në raport me të gjitha komunitetet në Kosovë, e në mënyrë të veçantë me serbët që jetojnë në veri të vendit, të cilët e meritojnë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që janë të përcaktuara me Planin e Ahtisarit dhe me ligjet e Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se “dua që të jeni të sigurt që qeveria të cilën udhëheq unë, mbetet thellësisht e përkushtuar në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit”.
Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë, sipas Thaçit, po shoqërohet edhe me ndryshimet e domosdoshme në Kushtetutën e Kosovës. “Unë jam i bindur që Qeveria dhe parlamenti i Kosovës me përkushtim po e bëjnë punën e tyre”, tha ai.
Ai tha se pret me padurim që Kosova të jetë nikoqire e takimit përmbyllës të Grupit Ndërkombëtar Drejtues në Prishtinë, në muajin shtator, që, siç tha ai, “të festojmë fundin e pavarësisë së mbikëqyrur, si dhe fillimin e një epoke të re të partneritetit të vërtetë me bashkësinë ndërkombëtare”. /Zëri/
© Panorama.al











