Ata mund të kenë kaluar shumë ulje-ngritje në marrëdhënien e tyre dashurore, ama pasioni i Richard Burton për bukuroshen hollivudiane, Elizabeth Taylor, nuk është vënë asnjëherë në dyshim. Ajo ishte, siç thotë aktori, ‘e bukur përtej ëndrrave të pornografisë’. Thellësia e ndjenjave të tij kundrejt gruas me të cilën u martua dy herë, është shprehur në ditarin privat të Burton, sekrete këto që do të zbulohen për herë të parë.
Kur ai vdiq, më 1984-n, në moshën 58-vjeçare, la më shumë se 400.000 fjalë në librin e tij të xhepit, faqe në të cilat hidhte mendimet e tij të fshehta. Në shënimet që janë mbajtur me dorë, ai shkruan për peshën e tij, pijen apo momentet kur shihte burra të tjerë të shihnin Elizabeth-ën e tij.
Por momenti më pikant, që veçohet nga të tjerët, është kur nisi romanca me Taylor, gruan që takoi në sheshxhirimin e filmit “Cleopatra”, më 1963-shin. Çifti i artë i Hollivudit u martua vetëm një vit më vonë, më 1964-n, për herë të parë, por u divorcuan pas dhjetë vitesh. Gjashtëmbëdhjetë muaj më vonë, në 1965-n, u martuan sërish, edhe pse këtë herë do të zgjaste më pak se një vit.
Në nëntor të 1968-s, ai shkruan: “kam qenë fatlum përgjatë gjithë jetës, por fati im më i madh ka qenë Elizabeth. Ajo më ktheu në një burrë model por jo formalist, ajo është e turpshme dhe e mprehtë, ajo është çmenduria e askujt. Është aktore brilante, është e bukur përtej ëndrrave të pornografisë, ajo mund të jetë arrogante me paramendim, di të jetë e butë dhe e dashur. Është fëmija e së dielës, ajo mund të tolerojë pamundësitë dhe pijen time, është një dhimbje në stomak kur jam larg saj dhe ajo më do. Edhe unë do ta dua përgjithmonë”. Kështu shkruan Burton në ditarin e tij, i cili i është dhënë universitetit “Swansea” nga vejusha e tij, Sally Burton. Mendohet që këto shënime do të botohen në fund të këtij viti.
Aktori që u martua 5 herë dhe pati katër fëmijë, nisi të mbante ditar kur ishte 14 vjeç dhe vijojë ta bëjë deri përpara vdekjes. Shënimet më të shumta janë hedhur në vitet 1965-1972. Ato janë redaktuar nga prof. Christopher Williams, I cili ka thënë: “Fjalët që lexojmë në ditar, na njohin me një Richard Burton tjetër, ndryshe nga ai që shumë njerëzve mund t’u ketë ngelur në kujtesë. Ato e tregojnë një njeri më meditativ dhe reflektues nga ç’dukej. Nuk ishte vetëm ai dhe femrat, siç mund të tregonte imazhi i jashtëm. Koha e qëndrimit me Elizabeth-ën ka qenë për të më e bukura e të gjitha kohërave. Ka qenë atëherë më i vendosur se kurrë. Është pak e trishtueshme, edhe pse të gjithë ne e dimë që shkojmë drejt një fundi, por përshkrimet për Elizabeth-ën janë kaq prekëse dhe në çdo moment ajo del prej tij kaq e mirë”.
Lexuesit mund të njihen përmes këtij ditari me një kompleksitet të lidhjes Burton-Taylor, ashtu siç mund të njihen edhe me një pjesë të sjelljeve të tij agresive kundrejt saj. Një të diel gushti të ’69-s ai shkruan: “Dje ishte një tjetër ditë e tmerrshme. U solla në një mënyrë që më bënte të dukesha si gomar. E fyeja, isha i pirë, dhe e justifikoja vazhdimisht veten për të filluar sërish trajtimin e ashpër nga e para. Ndonjëherë më duket se i ngjaj kaq shumë tim eti, sa më kapin të ngjethura. Ai kishte të njëjtën dhuratë për të bërë keq me gjuhë, të njëjtën dhunë, të njëjtën besnikëri ndaj mamasë që kam unë për Elizabeth”.
Burton ndali së shkruari në 1972-shin, dy vite përpara se të divorcohej me Taylor. Por nisi të shkruajë sërish në bllokun që mbante në xhep vitin që u rimartuan.











