
Hetimi i Akuzës në Arkivin e Shtetit, s’gjenden procesverbale të dorëzimit të dokumenteve personale të diktatorit.
“Ditarët e Enverit i ka Nexhmija”
Dokumentet personale të ish-diktatorit s’u dorëzuan kurrë në Arkiv.
Materialet “private” të ish-diktatorit Enver Hoxha dyshohet se nuk janë dorëzuar asnjëherë në Arkivin e Shtetit shqiptar.
Prokuroria e Tiranës, e cila është në fazën e verifikimeve për padinë e ngritur nga Iliri, djali i Enver Hoxhës, ka kryer verifikime të imtësishme në Arkivin e Shtetit dhe nuk ka gjetur ndonjë provë që dokumentet apo regjistrimet filmike të Enver Hoxhës të jenë dorëzuar ndonjëherë aty. “Më 27 shkurt 2012, me anë të postës, është dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë padia e bërë nga shtetasi Ilir Hoxha. Menjëherë ka nisur shqyrtimi i kallëzimit që bën fjalë për nxjerrjen në publik të dokumenteve e të dhënave personale të Enver Hoxhës”, thanë burimet e Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, kallëzimi merrte shkas nga libri “Enver Hoxha” i gazetarit Blendi Fevziu. “Duke qenë se në kallëzim pretendohej se dokumentet dhe materialet e tjera me fakte personale për Enver Hoxhën ishin dhënë nga Arkivi i Shtetit, janë kryer verifikime në këtë institucion. Fillimisht janë parë regjistrat e hyrje-daljeve të dokumenteve në dy periudha historike kur familja Hoxha pretendon se dokumentet dhe materialet personale janë dorëzuar në Arkivin e Shtetit”, thanë burimet. Sipas tyre, pasi nuk u gjetën dokumente që të tregonin dorëzimin e materialeve të tilla në Arkivin e Shtetit, filloi kontrolli kapital i regjistrit dhe përsëri nuk u arrit të gjendej ndonjë shënim, fakt apo provë se dokumentet ishin depozituar në Arkiv. “Verifikimi i protokollit dhe regjistrave të Arkivit duhej bërë, pasi në kallëzim pretendohej se materialet e tilla ishin publikuar nga institucioni në fjalë. Për të hetuar nëse kjo kishte ndodhur, duhej më parë të verifikohej nëse Arkivi i Shtetit i ka pasur materiale të tilla”, thanë burimet zyrtare të Prokurorisë. Sipas tyre, pavarësisht pretendimeve të familjes Hoxha, nga dokumentet dhe regjistrat ka dalë se në Arkivin e Shtetit nuk janë mbajtur shënime për depozitimin aty të dokumenteve të ish-diktatorit. Dyshohet se materialet e tilla personale, përfshi dorëshkrime nga ditari privat dhe regjistrimet e Enver Hoxhës në ambiente familjare, disponohen nga Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit.
Dëshmitarët
Përveç verifikimit të dokumenteve në Arkivin e Shtetit, Prokuroria ka zhvilluar hetime edhe me anë të pyetjes së dëshmitarëve. Deri më tani janë marrë deklarime nga djali i Enver Hoxhës, Iliri dhe bashkëshortja e tij, Teuta Hoxha, si dhe nga drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika. Ndërkohë, pritet që Prokuroria të marrë edhe deklarimet e Liliana Hoxhës në lidhje me këtë hetim, për shkak se kjo e fundit, publikisht në media, ka përmendur rrethana që kanë të bëjnë me objektin e hetimit, duke e akuzuar Nexhmije Hoxhën. Gjatë dëshmisë së tyre në Prokurori, Ilir Hoxha dhe e shoqja e tij, Teuta, kanë pohuar se familja i kishte dorëzuar në Arkivin e Shtetit shënimet personale të Enver Hoxhës, ditarë në letër dhe po ashtu disa regjistrime filmike të ambienteve private e familjare. Sipas Prokurorisë, kur janë pyetur për kohën në të cilën janë dorëzuar materialet në Arkiv, familjarët e ish-diktatorit kanë thënë se kjo duhet të ketë ndodhur në vitet ‘60-‘70. Teuta Hoxha, sipas kallëzimit, është personi që ka kryer verifikime në Arkiv dhe ka konstatuar humbjen e dorëshkrimeve të ditarëve personalë të Enver Hoxhës. Nga ana tjetër, djali i Enverit, Iliri, ka thënë se “kemi dokumentacionin përkatës që vërteton se dokumentet origjinale, si dhe filmat, negativat e materiale të tjera që pasqyronin jetën private të Enver Hoxhës, janë dorëzuar në Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH-së”.
Kontrolli i Teuta Hoxhës pas botimit
“Pas librit të Fevziut kuptuam se dokumentet nuk ishin në Arkiv”
TIRANE – Shkak i padisë së bërë nga Ilir e Teuta hoxha ka qenë pikërisht libri “Enver Hoxha”, i botuar nga gazetari Blendi Fevziu, një botim që bëri bujë dhe tërhoqi vëmendjen e medias dhe të lexuesit. Sipas burimeve të Prokurorisë, djali i ish-diktatorit ka pohuar se pas publikimit të librit në fjalë, familja Hoxha ka verifikuar në Arkivin e Shtetit. Personi që kishte verifikuar ka qenë pikërisht Teuta Hoxha. Ajo, sipas Ilir Hoxhës, “ka parë se ishin dhënë në përdorim dokumente të ndryshme, përfshi edhe kartelat mjekësore”. Menjëherë pas këtij konstatimi është bërë edhe padia penale në Prokurorinë e Tiranës, me argumentin e nxjerrjes së materialeve që përbëjnë sekret vetjak. Për shkak të akuzave që bëheshin në padinë penale të Ilir Hoxhës, dhe pretendimit se dokumentet e Enver Hoxhës ishin dorëzuar në Arkivin e Shtetit, një oficer i Prokurorisë së Tiranës ka kryer verifikime në këtë institucion, ku nuk është arritur të gjendet asnjë shënim për marrjen në dorëzim të dokumenteve të pretenduara.
Dorëzimi i dokumenteve
Arkivi përballë padisë së Hoxhës

Veç verifikimeve të Prokurorisë, kallëzimi i Ilir Hoxhës është cilësuar si pambështetur edhe nga Arkivi i Shtetit. Drejtoresha e Arkivit, Nevila Nika, bazuar në dokumente dhe në fakte, ka thënë se materialet e tilla që pretendohen në kallëzimin në fjalë nuk kanë qenë ndonjëherë në institucionin e drejtuar prej saj. Pasi ka shpjeguar se nuk rezulton që materialet personale të Enverit të jenë dorëzuar në Arkiv, Nika ka ripohuar se “në Arkivin e Shtetit edhe një copë letër është me vlerë. Nuk mund të humbasë asgjë, kështu që nuk ka se si të kenë humbur dokumente kaq të rëndësishme. Këtu ruhen letrat e miqve e të armiqve, sepse ne nuk jemi institucion i politizuar”, ka pohuar zyrtarja e Arkivit të Shtetit. Deklaratat e drejtoreshës së Arkivit janë konfirmuar edhe nga verifikimi i Prokurorisë, e cila ka parë se nuk ka ndonjë shënim apo ndonjë dokument që të faktojë dorëzimin e dorëshkrimeve të Enver Hoxhës në Arkivin e Shtetit. Materialet që janë bërë shkak për padinë në Prokurori përbëhen nga dy kategori dokumentesh. Në këtë volum ndodhen disa materiale filmike, që sipas Ilir Hoxhës i përkasin momenteve private të Enver Hoxhës dhe familjes së tij, si dhe dokumentet shkresore, dorëshkrime origjinale të ditarëve që mbante Enver Hoxha, siç besohet, rregullisht për një kohë të gjatë.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











