
Djali i ish-diktatorit bëri kallëzim në Prokurori për librin e Fevziut.
Prokuroria: Materialet e depozituara në Arkiv s’janë private.
Dosja penale e hapur pas padisë së familjarëve të ish-diktatorit Enver Hoxha në lidhje me nxjerrjen e sekreteve private në librin e gazetarit Blendi Fevziu është pranë mbylljes përfundimtare.
Burime nga organi i Prokurorisë, pasi janë pyetur dje në lidhje me vendimmarrjen e kësaj çështjeje, kanë thënë se nga hetimet dhe verifikimet e deritanishme konkluzionet janë për mosfillimin e procedimit penal. Burimet kanë pohuar se vendimmarrja do të jetë e shpejtë, duke pasur parasysh se kallëzimi është bërë në muajin shkurt të këtij viti, duke konsumuar plot katër muaj me hetimet paraprake. “Pritet edhe një verifikim përfundimtar në Arkivin e Shtetit dhe nga të gjitha provat e mbledhura nuk vlerësohet të ketë elemente të veprës penale”, kanë thënë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, grupi hetimor ka përgatitur një relacion për prokurorin e çështjes, i cili pritet të ketë vendimmarrjen finale. Objekti i padisë së bërë nga Ilir Hoxha, djali i ish-diktatorit Enver Hoxha, është nxjerrja në publik e sekreteve vetjake të udhëheqësit komunist. Sipas kallëzimit, kjo gjë ka ndodhur me publikimin e librit të gazetarit Blendi Fevziu me titull “Enver Hoxha”. Edhe kallëzimi penal në Prokurorinë e Tiranës është paraqitur në rrugë postare disa kohë pasi gazetari Fevziu publikoi librin e tij me titull “Enver Hoxha”, i cili u prit me interes të madh nga lexuesit në hapësirat shqipfolëse.
Verifikimet

Një numër i konsiderueshëm personash janë marrë në pyetje nga Prokuroria në lidhje me padinë e bërë nga Ilir dhe Teuta Hoxha. “Më 27 shkurt 2012, me anë të postës është dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë padia e bërë nga shtetasi Ilir Hoxha. Menjëherë ka nisur shqyrtimi i kallëzimit që bën fjalë për nxjerrjen në publik të dokumenteve e të dhënave personale të Enver Hoxhës”, kanë thënë burimet e Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, kallëzimi merrte shkas nga libri “Enver Hoxha” i gazetarit Blendi Fevziu, ndërsa gjatë verifikimit të rrethanave që përmenden në kallëzim janë marrë në pyetje një numër i madh personash. “Për shkak se në kallëzim pretendohej se dokumentet dhe materialet e tjera me fakte personale për Enver Hoxhën ishin dhënë nga Arkivi i Shtetit, janë kryer verifikime në këtë institucion. Janë parë regjistrat e hyrje-daljeve të dokumenteve në dy periudha historike kur familja Hoxha pretendon se dokumentet dhe materialet personale janë dorëzuar në Arkivin e Shtetit”, thanë burimet. Në Prokurori ka dhënë shpjegime gjatë hetimit shtetasi Ilir Hoxha, djali i ish-diktatorit, i cili është paraqitur bashkë me gruan e tij, Teuta Hoxha. Prokuroria ka marrë në pyetje edhe drejtoreshën e Arkivit, Nevila Nika, dhe po ashtu së fundi edhe Nexhmije Hoxhën. Sipas Prokurorisë, kur janë pyetur për kohën në të cilën janë dorëzuar materialet në Arkiv, familjarët e ish-diktatorit kanë thënë se kjo duhet të ketë ndodhur në vitet ‘60-‘70. Teuta Hoxha, sipas kallëzimit, është personi që ka kryer verifikime në Arkiv dhe ka konstatuar humbjen e dorëshkrimeve të ditarëve personalë të Enver Hoxhës. Nga ana tjetër, djali i Enverit, Iliri, ka thënë se “kemi dokumentacionin përkatës që vërteton se dokumentet origjinale dhe filmat, negativat e materiale të tjera që pasqyronin jetën private të Enver Hoxhës, janë dorëzuar në Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH-së”. Hetuesit kanë thënë se nga shqyrtimi i bazës ligjore është parë se pas dorëzimit në Arkiv, materialet nuk konsiderohen më sekret për sa kohë që nuk kanë shënime që i klasifikojnë ato si material i kufizuar, por publikim.
Padia
Padia në Prokurori për “nxjerrjen e sekreteve të Enver Hoxhës” është bërë pas publikimit të librit të Blendi Fevziut. Sipas Ilir Hoxhës, e shoqja e tij, Teuta, “ka parë se ishin dhënë në përdorim dokumente të ndryshme, përfshi edhe kartelat mjekësore”. Pas këtij konstatimi është bërë edhe padia penale në Prokurorinë e Tiranës, me argumentin e nxjerrjes së materialeve që përbëjnë sekret vetjak.
Arkiva
Përballë padisë së familjarëve të Enver Hoxhës, Arkivi i Shtetit ka reaguar edhe në mënyrë publike, duke bërë transparencën e çështjes. Drejtoresha e Arkivit, Nevila Nika, bazuar në dokumente dhe në fakte, ka thënë se materialet e tilla që pretendohen në kallëzimin në fjalë nuk kanë qenë ndonjëherë në institucionin e drejtuar prej saj. Pasi ka shpjeguar se nuk rezulton që materialet personale të Enverit të jenë dorëzuar në Arkiv.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











