Me nisjen e vitit të ri shkollor, si shumë figura publike tashmë edhe Zonja e Parë, Armanda Begaj zgjodhi të ishte pranë fëmijëve.
Në ditën e parë, zonja Begaj u gjend pranë nxënësve të shkollës 9-vjeçare ‘Bashkim Berisha’ në Ndroq. Midis tyre ndau dhe urimet e këshillat për këtë sezon të ri.
“Uroj që të mësoni shumë, të doni e respektoni mësuesen tuaj, të bëni shokë e shoqe, të luani e të argëtoheni së bashku.”
Zonja e Parë u premtoi atyre që ulen për herë të parë këtë vit në bankat e shkollës, se do të jetë ë festën e tyre të abetares, për të qenë pranë tyre një nga ditët më të paharrueshme të jetës së tyre.
Zonja Begaj përshendeti edhe klasat e tjera, duke iu uruar atyre një vit të mbarë.
Ajo vizitoi edhe laboratorët e shkollës, të cilët për të përvetësuar lëndët shkencore janë mjaft të rëndësishme.
Gjatë kësaj vizite, Zonja e Parë u takua edhe me stafin pedagogjik të shkollës, të cilin e përgëzoi për punën, përkushtimin, pasionin, mirëmbajtjen e mjediseve dhe laboratorëve.
Në kuadër të fillimit të shkollës, edhe Presidenti Begaj uroi më herët përmes një mesazhi të gjithë nxënësit dhe mësuesit.
“Suksese në vitin e ri shkollor për çdo nxënës, mësues dhe prind në Shqipëri, e në veçanti për të gjithë ata nxënës që hyjnë në klasë të parë! Puna dhe përkushtimi juaj i sotëm, ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes,” – tha në mesazhin e tij Presidenti.