Kreu i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, nisi dje detyrën e re. Sapo përfundoi betimin para Këshillit Bashkiak të kryeqytetit dhe marrjes së
shiritit të Kryebashkiakut, Basha zhvilloi dhe takimin e parë të tij në këtë post.
Basha takoi ambasadorët që morën pjesë në ceremoninë e betimit të tij në zyrën e kryebashkiakut. Zv. ambasadorja amerikane në Tiranë, Debora Xhons, ambasadori i OSBE-së, Volfarth, ambasadorja polake, Tatarzyska,
dhe zv. ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Bruzza, ishin dje në zyrën e Bashës, tashmë si kryetar bashkie, ku e kanë uruar për detyrën e re.
Kryebashkiaku i ri i Tiranës nuk e pati të lehtë të hynte dje në godinën e Bashkisë, pasi qindra qytetarë kishin dalë që në orën 9:00 të mëngjesit për ta uruar dhe përshëndetur. Më pas, ai është drejtuar për në sallën ku
Këshilli Bashkiak vazhdonte punën. Me të hyrë në sallë, Basha ka takuar këshilltarët e rreshtit të parë, opozitarët Enver Reçi, Lorenc Vangjeli,
Mehmet Hasanlami e më pas ata të maxhorancës, Edmond Panaritin, Shezai Rrokajn etj. Pasi bëri betimin, kryetari i Këshillit, Kosovrasti, i vendosi
shiritin e kryebashkiakut Bashës, ndërkohë që këshilltarët e djathtë e shoqëronin me duartrokitje të ngritur në këmbë. Këshilltarët e opozitës ndenjën ulur dhe nuk e duartrokitnin.
URIMI
Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli uroi dje kreun e ri të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Pasi ka gjetur numrin e telefonit, Dritëroi i telefonoi
Bashës duke e uruar për detyrën e re. Pa e fshehur befasinë e këtij urimi, Basha e ka përgëzuar shkrimtarin e njohur, i cili është dhe “Qytetar
nderi i Tiranës” “E mora ne telefon dhe i urova punë të mbarë! I përcolla
konsideratat e mia për misionin e ri që mori. Unë jam njeri me prejardhje fshatari dhe ne në anët tona i bëjmë urimet të lidhura me bereqetin,
se aty i kemi sytë. Unë të uroj korrje të mbara! Unë jam “Qytetar Nderi i
Tiranës” dhe më takonte që të uroja qytetarin e parë të Tiranës që do të merret me problemet dhe shqetësimet e banorëve të këtij qyteti”, u shpreh shkrimtari i njohur. “Lulzim Basha më përgëzoi për urimin që unë i bëra dhe
u shpreh i befasuar. ‘Më keni befasuar zoti Agolli me këtë urim. Të them të drejtën, nuk e prisja dhe ky urim tregon atë që unë kam shprehur, se
do t’i shërbej të gjithë qytetarëve të Tiranës, pa dallim përkatësish partiake”, rrëfen Dritëroi bisedën me Bashën. Dritëroi shprehet se një urim
i tillë është normal për njeriun që do të drejtojë qytetin për katër vitet e ardhshme. “Lulzim Basha është njeriu që zgjidhet për të marrë përsipër
përgjegjësitë e një qyteti dhe të qytetarëve të tij, prandaj unë nuk mund të rri
pa e uruar. Në këto momente unë nuk i vë re pozicionimet partiake, kur në qendër është qytetari. Unë e urova si qytetar duke e uruar që të
bëjë punë sa më të mirë për këtë qytet”, tha dje për “Panorama” shkrimtari i njohur.
SHIRITI
Pas përfundimit të betimit të Kryebashkiakut të ri të Tiranës, kryetari i
sapozgjedhur i Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, i dorëzoi shiritin e qytetarit të parë të Tiranës Lulzim Bashës. Si i djathtë tradicional, Kosovrasti e kaloi shiritin kuq e zi të Kryebashkiakut nga e djathta në të majtë të
Bashës. Në këtë kohë, këshilltarët e djathtë që e shoqëronin në këmbë dhe
me duartrokitje këtë moment solemn, i kërkonin Kosovrastit ta
vendoste nga ana e majtë, por kreu i Këshillit nuk hoqi dorë nga mendimi i
parë, duke e lënë djathtas shiritin dyngjyrësh.
Zyra e kryetarit, me rafte bosh dhe piktura të hequra nga muret
Pas 11 vitesh në zyrën e katit të dytë të Bashkisë së Tiranës, ku qëndronte Edi
Rama, dje shumë pak gjëra kishin ngelur. Nga një zyrë e mobiluar mirë, ajo ishte kthyer në një ambient në dukje u braktisur, mbi të cilin nuk
ishte vënë dorë prej kohësh. Përpara se zyrën ta shkelte Kryetari i ri i Bashkisë, Lulzim Basha, një grup nga stafi i tij e panë atë të parët dhe,
me këtë rast, e përshtatën për takimin që ai do të kishte me ambasadorët pasi të bënte betimin. Të kontaktuar nga gazeta, ata tregojnë ato pak gjëra që u gjetën në zyrën ku Rama ka qëndruar gjatë tri mandateve të tij. Përpara se
të hyhej në zyrën qendrore, ishte paradhoma e cila kishte një abazhur në pamje të mirë, por që nga 5 llambat, tri i kishte të djegura. Në paradhomë,
por edhe në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, ishin hequr thuajse të gjitha pikturat dhe në vendet ku ato kishin qenë më parë, kishin ngelur vetëm
gozhdët. Në zyrën e punës, në njërin cep të saj ndodhej një tavolinë e madhe në formë vezake, ku mbi të ishte vendosur një platformë e mbushur
me bar të thatë dhe që mendohet se aty kanë qëndruar dy breshkat, aq shumë të përfolura të Ramës. Në pjesën tjetër të zyrës u gjet edhe një tavolinë
pune së bashku me një kompjuter dhe fare pranë tyre, një televizor plazma me një DVD. Sipas stafit të Kryebashkiakut të ri, në televizor
kapte vetëm një stacion dhe ai ishte “News 24”, ndërkohë që ata jo pa humor tregojnë se telekomanda kishte mbetur pa bateri. Aq shumë ishte boshatisur
ajo zyrë saqë, sipas organizatorëve, edhe lulet në pjesën ku ai do të takonte ambasadorët, u vendosën në momentet e fundit. Sipas burimeve, Rama kishte të paktën 2 javë që kishte dorëzuar çelësin e zyrës së tij në protokollin e Bashkisë, çka tregon se pas vendimit të Kolegjit ai ka nisur të marrë sendet më me vlerë, që po vetë kishte vënë gjatë viteve të kaluara. Kjo tregohet
edhe me faktin se të gjithë raftet e zyrës ishin të boshatisura dhe vetëm në
njërin prej tyre, në fund të zyrës, kishte disa fletore zyrtare, por asgjë më shumë. ARISTIR LUMEZI











