NGA MIMOZA DAJÇI
Më 12 shtator 2024, pranë sheshit “Lou Gehrig Plaza” në Bronx, New York, Presidentja e Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson organizoi për të tretin vit radhazi me qytetarët, politikanët dhe OJQ-të “Ditën e Kujtimit” për 11 shtator 2001, në nderim të afro 3000 heronjve që humbën jetën gjatë atij sulmi terrorist. Edhe vite më parë ish-Presidenti Ruben Diaz Jr. i kushtonte kohën dhe respektin e duhur kësaj date të rëndësishme historike.
Kaluan 23 vite dhe çdo qytetar në SHBA kujton me dhimbje 11 shtatorin e vitit 2001, si dhe viktimat në njerëz që humbën jetën gjatë asaj tragjedie, kur terroristët islamikë rrëmbyen avionët dhe përflakën hapësirën amerikane duke goditur Pentagonin dhe “World Trade Center”. Çdo kush që e do jetën lirinë, paqen pyet me të drejtë: Kur do të marrë fund terrorizmi? Edhe unë si dëshmitare okulare e asaj ngjarjeje që tronditi botën, bashkohem me dhimbjen e madhe që shkaktoi ajo katastrofë.
Nuk po ndalem si e përjetova atë histori, pasi e kam publikuar më të zgjeruar e titulluar “Kur do të marrë fund terrorizmi” tek libri “Nënës” në vitin 2007 botim i “Bota e Gruas Shqiptare” në mediat shqiptare si dhe e dërgova për botim te gazeta amerikane “New York Times”. Ceremonia madhështore në Bronx u drejtua nën moderimin e spikerit të Tv – Bronx Net, Gary Azelbank. Si fillim në nderim të rënëve u mbajt një minutë heshtje, më pas “Himni Amerikan” u këndua nga sopranoja Renee Vredle, lutjet fetare u mbajtën nga Kleri katolik, mysliman etj. dhe nga Rabbai i Institutit hebre në Riverdale. Banda frymore “Pipes & Drums” e shtetit të New Yorkut ekzekutoi muzikë të zgjedhur si homazh për viktimat e 11 shtatorit 2001.
Fjalën e hapjes e mbajti Presidentja e Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson. Eventin gjithashtu e përshëndeti Gjykatësi i Lartë Administrativ për Çështjet Civile në Gjykatën e Lartë në Bronx, New York – Hon. Joseph E. Capella, Presidenti i BCBA Sergio Villaverde, politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Një ftesë për këtë ceremoni mbërriti edhe në postën time elektronike, ku pata rast të takohem me Presidenten Vanessa L. Gibson, nëpunësen e lartë të Bashkisë në Bronx Cecilia Hernandez, senatorin Jose M. Serrano, liderin e Bordit për Komunitetet Keny Agosto etj.. Sulmet e 11 shtatorit janë një seri sulmesh të koordinuara terroriste, të udhëhequra nga grupimi terrorist Al Kaeda, kundrejt SHBA më 11 shtator 2001.
Objekte të sulmit ishin ndërtesa të rëndësishme në SHBA, si Kullat Binjake ku ishte vendosur Selia e Organizatës Botërore të Tregtisë në New York, ndërtesa e Pentagonit si dhe Shtëpia e Bardhë. World Trade Center (Qendra Botërore e Tregtisë) shkurt WTC, ishte një kompleks ndërtesash i ndërtuar 1973 në lagjen Manhattan në jug të New Yorkut. Lartësia e saj ishte 417 m, me 110 kate dhe me sipërfaqe 400.000 m2 . Arkitekt i së cilës ishte Minoru Yamasaki. Në vendin ku ndodhej WTC është ngritur një ndërtesë tjetër me emrin Freedom Tower – Kulla e lirisë, që është më e madhe se WTC. Terroristët arritën të shkatërronin Qendrën Botërore të Tregtisë në New York dhe të dëmtonin rëndë Pentagonin në Washington. Mijëra qytetarë u vranë në sulmin më të rëndë terrorist në historinë e njerëzimit. Ditët pas tragjedisë gjatë gjithë kohës, grupe të shpëtimit kërkuan për persona që mund të kishin mbijetuar.
Ndërsa në mbrëmje, Presidenti Bush iu drejtua vendit me këto fjalë: “Ne po hetojmë se kush fshihet pas këtyre akteve mizore. Kam urdhëruar të gjitha organet e rendit që të gjejnë personat përgjegjës. Nuk do të bëjmë dallim midis terroristëve që kryen këto akte dhe atyre që i strehojnë ata”. Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Viktimat në kullat binjake ishin 2 752, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme. Sipas disa të dhënave, vetëm gjatë dekadës së fundit bazuar edhe tek mediat amerikane dhe shënimet e enciklopedisë shqiptare, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shpenzuar rreth 7 trilionë dollarë për mbrojtjen kombëtare, sigurinë e vendit dhe shërbimet e inteligjencës.
Siguria e udhëtimeve ajrore u ashpërsua ndjeshëm pas sulmeve të 11 shtatorit. Administrata për Sigurinë në Transport u krijua për të forcuar sigurinë në aeroporte dhe avionë. U deshën më shumë se 8 muaj për të pastruar Ground Zero, siç u quajt zona ku dikur ishin kullat binjake. U ngrit një memorial dhe muze me emrat e të gjitha viktimave në të cilat u skalitën panele të bronzta, të grupuara sipas vendit ku individët gjendeshin në ditën e sulmit. Projekti u inaugurua në nëntor të vitit 2014. Sot – One World Trade Center ose Kulla e Lirisë, është 541 metra e lartë, më shumë se sa kulla origjinale veriore. Për rindërtimin e Pentagonit u deshën më pak se një vit, me stafin që u rikthye në zyra, në gusht të 2002- shit.
Çdo 11 shtator në Manhattan ndizet e ndriçon një Instalacion ikonik në shenjë homazhi për viktimat e asaj tragjedie. Instalacioni artistik konsiston në dy shtylla drita ngjyrë blu, të cilat simbolizojnë dy kullat binjake dhe është kthyer në një simbol të përvitshëm në lidhje me atë se si qytetarët e New Yorkut e kujtojnë qëndresën dhe forcën e tyre pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Ky instalacion u prezantua për herë të parë gjashtë muaj pas ngjarjeve të 11 shtatorit, në mars të vitit 2002, teksa operacionet për kërkimin dhe shpëtimin e viktimave vijonin në rrënojat e kullave binjake. Përkujtimi i 9.11.2001 tashmë është kthyer në traditë e vlerë historike nga Bashkia në Bronx edhe për brezat e rinj, ku mes viktimave që humbën jetën në krye të detyrës ishin edhe tre shqiptaro – amerikanët Mon Gjonbalaj, Roko Camaj dhe i riu Simon Dedvukaj, të cilët punonin si mirëmbajtës tek Kullat Binjake 110-katëshe në Manhattan.
Edhe unë si e mbijetuar e asaj tragjedie (njohur ligjërisht nga shteti amerikan) ftohem çdo vit nga Bashkia në Bronx për të marrë pjesë në Ceremoninë Përkujtimore dedikuar 11 Shtatorit 2001. Së bashku me mua të pranishme ishin edhe aktivistet e njohura, anëtaret e Organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA, poetja Merita Prenga, Merlin Tushe, Rezarta Gashi etj.. Pasi u lexuan 144 emrat e viktimave që humbën jetën (ish-banorë të qytetit në Bronx) në atë tragjedi Presidentja e Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson falënderoi organizatorët, forcat e rendit dhe ftoi të gjithë pjesëmarrësit në koktejin e shtruar enkas për këtë event.
Zhvillimi i ngjarjeve të datës 11 shtatori 2001
Ora 8:46 e mëngjesit, një aeroplan i rrëmbyer u përplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në New York, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. 17 minuta më vonë, në orën 9:03, një aeroplan tjetër pasagjerësh u përplas mbi kullën jugore, duke krijuar një zjarr të madh.
Ora 9:17 e mëngjesit. Administrata Federale e Aviacionit urdhëroi mbylljen e të gjitha aeroporteve në New York. Pak minuta më vonë u mbyllën urat dhe tunelet në New York.
Në orën 9:30 Presidenti Bush, që ndodhej në Florida, informoi popullin amerikan se vendi ka përjetuar një sulm terrorist. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit pezulloi të gjitha fluturimet, hera e parë kjo në historinë amerikane, që pezullohet transporti ajror.
Ora 9:37 e mëngjesit. Vetëm pak kilometra jashtë Washingtonit, një aeroplan pasagjerësh përplaset mbi ndërtesën e Pentagonit, duke e mbuluar atë në flakë. Disa qindra veta vriten ose plagosen.
Ora 10:05 e mëngjesit. U rrëzua Kulla jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë, duke shkaktuar re të dendura pluhuri që mbuluan qytetin e New Yorkut.
Ora 10:10 e mëngjesit, rrëzohet aeroplani i linjës “United Airlines” numër 93 në shtetin e Pensilvanisë.
Ora 10:22 e mëngjesit, Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë evakuohet, më pas edhe Banka Botërore dhe ndërtesa e kongresit.
Ora 10:28 e mëngjesit, rrëzohet kulla veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë, Kullat e famshme Binjake të New Yorkut.
Ora 10:45 e mëngjesit, të gjitha zyrat kryesore të qeverisë federale evakuohen.
Ora 11:59 e mëngjesit, agjencia ajrore “United Airlines” konfirmon se aeroplani me numër fluturimi 175, i linjës nga Bostoni për në Los Angeles u rrëzua me 56 pasagjerë dhe 9 pjesëtarë të ekuipazhit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al