
Aktiviteti i organizuar nga ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi, me rastin e Ditës së Europës, ka mbledhur në Teatrin e Operës dhe Baletit Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama. Gjatë fjalës përshëndetëse, ambasadori Sekui deklaroi se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian. Ambasadori i BE-së lëshoi një apel ndaj klasës politike, që të shfrytëzojë këtë mundësi për të bërë të mundur arritjen e integrimit të vendit. “Cila është e ardhmja për Shqipërinë, një Shqipëri në BE, që duhet të ketë të përfaqësuara vlerat dhe standardet që përfaqësojnë atë. Mos jam gjë naiv, jo kam besim, jam në dilemë, jo kam besim, jam i verbër, jo kam vizion. Besoj se këtë vizion e ndajmë të gjithë bashkë”, theksoi Sequi. Sipas tij, objektivi nuk është i lehtë, por shprehu sigurinë se do të arrihet nga vendi ynë. “Vizioni është se Europa është Europë dhe kjo është Europa si një objektiv kombëtar i një populli kaq fisnik sa shqiptarët. Unë e di që objektivi nuk është i lehtë, por për gjërat që do të arrihen”, tha ambasadori i BE-së.
Detyrimet
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian për drejtoreshën e Institutit Europian të Tiranës, Marta Onorato, kërkon një punë të rëndësishme në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të stabilitetit të institucioneve të drejtësisë. Me rastin e Ditës së Europës, Marta Onorato deklaroi se: “Të jesh pjesë e Bashkimit Europian, do të thotë të ndash të njëjtat vlera themelore me të gjithë qytetarët e tjerë të BE-së. Respektimi dhe promovimi i të drejtave të njeriut, vlerat demokratike dhe shteti i së drejtës do ta bëjnë popullin shqiptar të jetë plotësisht pjesë e kësaj familjeje. Ne jemi të vetëdijshëm që përmbushja e kritereve të Kopenhagës, e vitit 1993, veçanërisht stabiliteti i institucioneve që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve, ekzistencën e një ekonomie tregu funksionale si edhe aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, duke përfshirë mbështetje për objektivat e bashkimit politik, ekonomik dhe monetar, mbetet për Shqipërinë një sfidë e vështirë”.











