Dita e Drejtësisë, Topi: Pavarësi dhe paanshmëri

May 10, 2012 | 11:18
Presidenti Bamir Topi

TIRANË- Në kujtim të Ditës së Drejtësisë, kreu i shtetit, Bamir Topi  ka tërhequr vëmendjen për rëndësinë që ka funksionimi normal i drejtësisë, si garant i një demokracie funksionale e me standarde.

“Dita e Drejtësisë festohet sot në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit dhe kjo është ngjarje e një gëzimi mbarëkombëtar. Sa i takon integrimit, funksionimi i gjyqësorit është në themel të një shoqërie demokratike, normale dhe garant i saj, përmirësimi i gjyqësorit, konsolidimit të tij, pavarësia e paanshmëria, lufta ndaj korrupsionit dhe trajtimit të njëanshëm të cështjeve janë garantimi i demokracisë. Demokracia funksionale është e lidhur me funksionimin normal të gjyqësorit”- tha Topi.

Sipas tij, shqiptarët kanë të drejtë t’u ofrohet një drejtësi e standardizuar, profesionale me integritet të lartë moral për të drejtat dhe liritë themelore të tyre.

“Integrimi në BE është një proces i përmirësimit të demokracisë së brendshme. Integrimi është proces i transformimit të shoqërisë, institucioneve në një shoqëri demokratike. Dita e drejtësisë në këtë 100 vjetor dhe sfida e rëndësishme për marrjen e statusit duhet të përcojë mesazhin e një bashkëpunimi e mirëkuptimi politik e institucional, kjo ditë duhet të jetë mesazhi për rëndësinë që ka ky pushtet në një demokraci funksionale dhe mbështetje të gjithë aktorëve për të ndikuar në rritjen e standardeve”- tha Topi.

© Panorama.al

Te lidhura