Dita e Drejtësisë, gjyqtarët: Duam më tepër siguri dhe kushte në punë

May 10, 2012 | 14:27

TIRANE – Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, gjyqtarët në vend kërkojnë më tepër siguri fizike e kushte më të mira pune, mes të cilave edhe paga më të larta. Në një deklaratë zyrtare, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shprehet se në dy dekada demokraci është bërë jo pak për të ndërtuar një pushtet gjyqësor të pavarur. Por ka akoma shumë rrugë për të përshkuar për të krijuar besimin e publikut te Drejtësia. Sipas Unionit, kjo kërkon rritje të përgjegjshmërisë së gjyqtarëve pa cenuar pavarësinë e tyre. “Opinioni publik duhet të dijë sot se gjyqtarët shqiptarë janë gjyqtarët më pak të paguar në Europë, madje paguhen vetëm sa gjysma e kolegëve të tyre shqiptarë në Kosovë, shtetin më të ri të Europës; kushtet e punës së tyre janë po aq të pamjaftueshme, me infrastrukturë që i pamundëson ata për të qenë sa më transparentë e solemnë para opinionit publik, teksa ofrojnë shërbimin e dhënies së drejtësisë; në vështirësi serioze sa i takon sigurisë fizike, me një bilanc të ‘pasur’ kolegësh të vrarë apo sulmuar në atentate mafioze, ende të pazbuluara. Dhe të gjitha këto, kur vështirësitë dhe përgjegjësia në zgjidhjen e konflikteve që prodhon një demokraci në tranzicion janë po aq të larta apo edhe më të mëdha, sa edhe të kolegëve tanë kudo në Europë, ku vendi aspiron të integrohet”, shprehej Unioni në deklaratën e tij. Duke përmendur rolin e rëndësishëm të gjyqtarëve në sfidën e integrimit europian të vendit, Unioni i togave të zeza kërkon ndërgjegjësim të klasës politike për t’u mundësuar atyre rolin e gjyqtarit europian. “E pra, sot, në këtë Ditë të Drejtësisë, ne gjyqtarët shqiptarë kërkojmë më shumë respekt për punën që bëjmë, në vështirësitë ku ndodhemi; trajtim më dinjitoz, nëpërmjet, ndër të tjera dhe në radhë të parë, të pagave më të larta; kushte më të mira pune dhe sigurie; përgjegjësi të identifikuara nëpërmjet kritikave objektive e profesionale, në vend të baltës individuale apo asaj që na ndot të gjithëve”, përfundon deklarata e Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë.   ar.ba

Siguria e gjyqtarëve
Vitet e fundit kanë qenë problematike për sigurinë e gjyqtarëve shqiptarë. Disa prej tyre kanë rënë pre e dhunës e kërcënimeve në dyert e gjykatave, ndërsa rasti më i rëndë ishte ngjarja e ndodhur në Vlorë, ku gjyqtari Skerdilajd Konomi u vra në një atentat me telekomandë. Gjyqtari i çështjeve civile në Gjykatën e Vlorës kishte konflikte pronësie për disa toka në Hamallaj të Durrësit.

Irma Bala
Ndahet nga jeta anëtarja e Gjykatës së Lartë
TIRANE – Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë i përcolli dje ngushëllime të sinqerta familjes së gjyqtares Irma Bala (Hebovija), e cila ndërroi jetë pak ditë më parë. Ish-gjyqtarja e Gjykatës së Lartë u nda nga jeta më 7 maj në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas një sëmundjeje të rëndë. “Ndarja e parakohshme nga jeta e njeriut tuaj më të dashur na ka pikëlluar thellë dhe duke qëndruar pranë jush në këto ditë dhimbjeje, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Humbja e koleges dhe mikes sonë Irma është e pazëvendësueshme, pasi familja ka humbur njeriun e saj më të dashur, ne kemi humbur miken tonë të shtrenjtë dhe Drejtësia shqiptare juristen dhe gjyqtaren e shquar”, thuhej në mesazhin e ngushëllimit të trupës gjyqësore të Gjykatës Supreme drejtuar familjes së gjyqtares Bala. Irma Bala lindi më 19 maj 1963 në Shkodër. Ajo u diplomua për Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1985 dhe mori titullin “Master për Shkenca Juridike” pranë këtij fakulteti. Në periudhën 1985-1988 ajo punoi si hetuese pranë Zyrës së Hetuesisë në Shkodër, në periudhën 1985-1988. Nga viti 1988 deri në vitin 1994 ka ushtruar funksionin e gjyqtares pranë Gjykatës së Rrethit Shkodër. Në periudhën 1994-2001 ka punuar si këshilltare ligjore pranë Gjykatës së Lartë. Gjithashtu, ajo ka punuar si pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Drejtësisë nga 1994-2000 dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare. Me dekret të Presidentit, më 9 prill 2001 u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.                       ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura