Dita Botërore e Shtypit, tri sfidat e gazetarisë shqiptare

May 4, 2012 | 15:10
Aktiviteti i djeshëm në universitetin “BEDËR”

Media shqiptare duhet të përballojë tri sfida: etikën, pavarësisë dhe situatën financiare. Të tria këto probleme, me të cilat, kush më shumë e kush më pak, përballen përditë gazetarët shqiptarë, u diskutuan dje në “workshop”-in me temë “Sfidat e medias shqiptare”. Seminari u organizua dje, në Ditën Botërore të Shtypit nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë universitetit “Hëna e Plotë – BEDËR”, në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, Unionin e Gazetarëve dhe Institutin Shqiptar të Medias. Panelistët dhe të ftuarit treguan, secili për fushat që përfaqësonte, problemet për të tria sfidat e gazetarisë. Ramandan Çipuri, përgjegjësi i Departamentit të Komunikimit në universitetin “BEDËR”, theksoi në fjalën e tij mungesën e lirisë së veprimit dhe objektivitetit me të cilin gazetarët përballen në ushtrimin e profesionit të tyre ditor. “Raportimi i tyre ndikohet nga interesat ekonomike dhe politike të pronarëve të tyre”. Për analistin Lutfi Dervishi, etika është gjëja e fundit që diskutohet nga drejtuesit e medias. “Ajo që siguron etikë të brendshme, është niveli i pagës, konkurrenca e ashpër dhe etika e redaksisë. Realiteti nuk është ashtu siç e mendojnë studentet e Gazetarisë. Është më i ashpër”. Për përgjegjësin e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Prof. dr. Artan Fuga, problemet që lindin midis medias dhe pushtetit zgjidhen me anë të rezistencës dhe përshtatjes me transformimet teknologjike. “Ka ardhur momenti t’i tregojmë medias që ne po ndodhemi përpara një formule progres ose barbari. Progres ose njohje e një bote të re që sjell transformimi teknologjik, ose barbari që do të renditemi në një kaos informativ që do ta humbim këtë betejë, një kaos që nuk do t’i shërbejë askujt”.

© Panorama.al

Te lidhura