
Një avokat shqiptar ka qenë personi që ka paraqitur në Ambasadën Italiane në Tiranë diplomën e lëshuar nga universiteti “Kristal” për Renzo Bossi-n, djalin e politikanit italian, Umberto Bossi.
Dy muaj pasi kjo diplomë ishte paraqitur në Ambasadë për njehsim në mënyrë që të përdorej në Itali, avokati në fjalë ka kërkuar që t’i kthehej dokumenti, pasi “nuk ishte më i interesuar për legalizimin e saj”. Ndërkohë, Prokuroria shqiptare, e cila po zhvillon hetime në lidhje me pajisjen me diplomë të shtetasit italian, i cili nuk ka hyrë asnjë ditë në Shqipëri, ka verifikuar dy ditët e fundit në zyrat e Ministrisë së Arsimit për prova dhe materiale në lidhje me çështjen. Sipas burimeve nga Prokuroria, veç një urdhri të dhënë nga drejtuesit e Ministrisë që çështja të verifikohej pasi ishte bërë publike në media, në Ministrinë e Arsimit nuk është gjetur ndonjë provë apo dokument tjetër. Sipas rregullave dhe procedurës, në rast se gjithçka do të ishte e ligjshme në pajisjen e Renzo Bossi-t me diplomë, duhej që dokumentet e tij të kishin kaluar përmes Ministrisë së Arsimit në Shqipëri.
Tentoi ta përdorte diplomën në Itali
Mediat italiane shkruanin dje se Renzo Bossi ka pasur si qëllim ta përdorë në Itali diplomën e marrë në Shqipëri për menaxhim biznesi. Në korrik 2011, avokati përfaqësues i Renzo Bossi-t ishte paraqitur në Ambasadën Italiane në Shqipëri dhe kishte depozituar aty diplomën dhe një kërkesë të nënshkruar nga vetë djali i politikanit italian. Avokati kishte kërkuar që pas verifikimeve, diploma të njihej në Itali dhe të përdorej atje si vërtetim i një kualifikimi profesional shtesë. Ambasada Italiane kishte parë se diçka nuk shkonte me dokumentet. Diploma e lëshuar për djalin e Umberto Bossi-t ishte e muajit korrik të vitit 2011, ndërkohë që rezultonte se Renzo Bossi ishte diplomuar në maturë në shtator 2011, pasi kishte dhënë tri herë provimet, duke qenë se kishte mbetur në dy raundet e para. Pra, rezultonte se tre muaj para se të mbaronte shkollën e mesme në Itali, Renzo Bossi ishte pajisur me diplomë universiteti në Tiranë dhe po përpiqej ta legalizonte atë në Ambasadën Italiane në Shqipëri. Legalizimi i diplomës, sipas mediave italiane, bëhej me qëllimin e vetëm që më pas ajo të përdorej në Itali.
Dekonspirimi
“Ju lutem të na ktheni mbrapsht dokumentet. Nuk jemi më të interesuar për njehsimin e diplomës së Renzo Bossi-t”. Kjo ka qenë kërkesa që avokati përfaqësues i të riut ka dorëzuar në Ambasadën Italiane në Tiranë në datën 4 maj 2012. Pra vetëm pak ditë më parë, pasi skandali shpërtheu në media, shtetasi shqiptar që ka vepruar në emër të Renzo Bossi-t është munduar që t’i tërheqë dokumentet e paraqitura prej tij në Ambasadën e Italisë në Tiranë. Ky fakt, me sa duket, tregon se edhe vetë zotëruesit e dokumentit në fjalë kanë qenë në dijeni të parregullsive dhe kanë parashikuar se mund të ndesheshin me probleme në rast të fillimit të hetimeve. Deri tani verifikimet e Prokurorisë shqiptare pranë universitetit “Kristal” kanë treguar se në dokumentet e këtij institucioni privat arsimor, është pasqyruar gjithçka sikur Renzo Bossi të ketë frekuentuar vërtet. Amza, listat e notave dhe gjithçka tjetër duket e rregullt. Ajo që mungon është diploma e shkollës së mesme në dosjen e regjistrimit të Bossi-t në këtë universitet, dhe po ashtu edhe fakti se në sistemin TIMS nuk rezulton që djali i politikanit italian të ketë hyrë apo të ketë dalë në Shqipëri.
Sekseri
TIRANE – Gjykata e Tiranës dënoi me 6 muaj e 20 ditë burg dhe 400 mijë lekë gjobë një “sekser” të pedagogëve në Universitetit Bujqësor të Kamzës. Gjergj Deda u deklarua i pafajshëm pak ditë më parë për akuzën e “ushtrimit e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas Gjykatës, i pandehuri Deda, në vitin 2011 i ka marrë disa shuma parash një studenti të degës Zoologji, i cili ishe përsëritës në disa lëndë duke i premtuar ndërhyrje te pedagogët për nota kaluese në provimet përkatëse. Gjatë gjykimit, i zhvilluar me kohë të shkurtuar, i pandehuri e pranoi plotësisht akuzën dhe fajësinë, si dhe ka treguar pendim të thellë për veprën e kryer prej tij.
Diploma e Bossi-t, debat në Komisionin e Arsimit
TIRANE – Kryetarja e Komisioni Parlamentar i Medias dhe Edukimit, Valentina Leskaj, ka kërkuar dje që ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, të raportojë në Kuvend lidhur me skandalin e shitjes së diplomave në universitetet private. Gjatë mbledhjes së djeshme, deputetja e Partisë Socialiste e cilësoi si shqetësues denoncimin e mediave italiane për blerjen e diplomës nga djali i politikanit italian Renzo Bossi, dhe për këtë shkak ajo kërkoi që Ministria e Arsimit të japë llogari në Kuvend për këtë çështje. “Nuk është çështja e një emri, por është çështje e një fenomeni që është i rrezikshëm për shoqërinë shqiptare, çështja e shitjes së diplomave. Është rasti i dytë që kalon në Prokurori dhe ne si Komision nuk mund të bëjmë sikur nuk dëgjojmë dhe nuk shikojmë. Të paktën në një rast kohor shumë të shkurtër është rasti i dytë. Është rasti i dy personave që Prokuroria ka hapur hetim për të njëjtin universitet është dhe rasti ‘Bossi’, por që nuk janë raste të veçanta”, thotë Leskaj.











