Diogjeni zbret në Tiranë

Jun 13, 2012 | 13:31

SAMI REPISHTI

Agjencitë e lajmeve lajmëruen zgjedhjen e z. Bujar Nishani, ministër i Punëve të Mbrendëshme të kabinetit “Berisha”, si President i Republikës së Shqipërisë me 73 vota dhe kundërshtimin e opozitës. I urojmë z. Nishani sukses në detyrën e re.
Thesari i mitologjisë së Greqisë Antike ruen nji figurë të randësishme të qytetnimit gjenial: Diogjenin e thjeshtë dhe pyetjet e tij akoma pa përgjigje. Gjatë ditës, filozofi plak shëtiste rrugëve të Athinës me nji fener në dorë sikur të ishte në errësinën e mesnatës. I pyetun përse, ai spjegoi: “Kërkoj nji njeri!”. Ai vdiq pa e gjetë ”njeriun”. Sot kam kujtue figurën madhështore të këtij mendimtari të thjeshtë, dhe për shumë arsye.
Atmosfera politike në Shqipëri ashtë keqësue shumë. Mbas tri seancave ndërpartiake për zgjedhjen e nji Presidenti konsensual, konsensi i përgjithshëm ashtë se klasa politike në Shqipëri ka arrijtë në nji ngërç (impasse) të krijuem nga paaftësia ose xhelozia e klasës politike që vrasin shpresat e popullit shqiptar për nji të nesërme ma të mirë.
Shpeshherë, politikanët “magjistare” nuk janë në gjendje me largue nga mendja gjakun që ashtë derdhë dhe shtypjen që ka mbretnue si rrjedhim i sundimit të tyne. Në Shqipëri nuk dëshmojmë nji fenomen të këtill që zakonisht sjellë ringjalljen morale të “fajtorit”. Kjo shihet qartë në të ashtuquejtunat “bisedime” në mes dy partive kryesore, të cilat në thelb janë monologe të përsërituna e të neveritshme. Më kujtohet rasti i diplomatit të dalluem Arthur Kuko, që refuzoi ofertën për postin e Presidentit, dhe ai i gjeneralit Adrian Zaimi, që u trajtue pa respektin që meritonte. Të mbledhun kokë më kokë, korbat politike që përjashtojnë popullin nga ky proces mbrenda dy orësh zgjodhën ish-gjeneralin Alfred Moisiu.
Asnjeri nuk i dinte mendimet e Presidentit Moisiu. Ai nuk paraqiti ndonji program para zgjedhjes, as nuk pati nji debat për sqarimin e miliona shqiptarëve, të cilëve u “dhurohej” si udhëheqsi ma i naltë i “shtetit” shqiptar. Gjithçka në mshehtësi, gjithçka nën rrogoz! Raja shqiptare u zgjue në mëngjes dhe gjeti “Presidentin” në zyrë. “Kemi Presidentin! Aleluja!” Të frikësuem nga përvoja e së kalueses, disa mendje aktive kërkojnë që tash e tutje “Presidenti të mos jetë më pazar”. Kërkesa tregon nivelin e ulët të diskursit politik në Shqipëri. “Pazari” nënkupton mallnat e konsumit që blihen e shiten simbas nji çmimi të përcaktuem nga forcat e tregut. Cili ashtë çmimi i Presidentit të ri?
Dy kandidatët e parë, z. Xhezair Zaganjori dhe z. Artan Hoxha, për fatin tonë, treguen mjaft dinjitet që të mos lejojnë nëpërkambjen në kuliset partiake ku vetëm ndershmëni nuk ka. Mbeti përpjekja për gjetjen e nji “Presidenti” që ose i nënshtrohet shumicës, ose premton mos me shqetësue pakicën; me nji fjalë, nji President me parakushte të vëna nga forcat politike të vendit. E meriton populli shqiptar nji figurë pa kurriz si President? A mund të pranohet nji politikë pa parim, apo duhet të punojmë për parime para politikës?
Nga përgjigjja e jonë varet nëse jemi akoma të gatshëm me pranue nji çizme qeveritare që dërrmon fëtyrat tona çdo ditë – e nji përvojë që kemi kalue për shumë dekada të gjata. Të gjithë kemi pa se nën thundrën komuniste, karakteri i shqiptarit u shëmtue nga pesha e frikës së përgjithëshme, nji frikë e ngulun thellë në nji klimë të panjohun ma parë dhe që përfundoi në nji filozofi jete ku vetëm heshtja dhe nënshtrimi sigurojshin mbijetesën.
Njizet e dy vitet e tranzicionit kanë prodhue “politikanë” të dalluem për retorikë dhe ambicie napoleonike. Por asnji prej tyne nuk ka tregue aftësinë e lundërtarit të stërvitun që shpëton anijet nga çdo shkamb dhe hynë i padamtuem në portin e sigurisë kombëtare. Shteti dhe shoqënia shqiptare jetojnë në nji atmosferë pasigurie për të nesërmen. Diçka e frikëshme përshkon ajrin që thithin shqiptarët sot: ashtë procesi i shpërbamjes së demokracisë para syve tanë dhe pamundësia e masave me pengue këtë proces. “Shteti” shqiptar ashtë i dobët dhe rrezikon dështimin. “Shoqënia” shqiptare nuk ka gjetë ende forcën dhe aftësinë me u krijue, zhvillue dhe influencue jetën politike të vendit. Në këtë atmosferë gjysmë-absurde duket sikur asnjeri nuk din se ç’bahet dhe ku shkon vendi i tyne. Duket sikur të gjithë presin ardhjen e zotit Godot!
Politikologët janë të mendimit se “tranzicioni” në demokraci bahet i vështirë nga mentaliteti helmues i së kaluemes komuniste dhe nga mungesa e institucioneve të vërteta demokratike të nji shoqënie që siguron meritokracia, dhe jo “shefi”. Kemi këtu atë që quhet “kultura e vorfënisë”, nji popull akoma i mbyllun në kutinë demagogjike të normave shoqënore të shtrembnueme e që nuk frymëzojnë. Sot kemi në Shqipëri nji “sub-kulturë” me aspirata modeste dhe nevojë elementare, nji masë fatkeqësh që manipulohet lehtë nga “politikanët e ditës” në tregun shqiptar.
Raporte vjetore nga qendra ndërkombetare të pavaruna e paraqesin Shqipërine si nji vend ku korrupsioni ashtë i gjithëmbarëshëm, administrata e paaftë dhe e politizueme, dhe nji sistem ligjor opsional ose i papërfillun. Dhe kur i gjithë planeti shqiptar vepron pa ligje dhe pa rregulla, problemet janë të paevitueshme. Pak nga pak, “shteti”, ashtu si e njohim na, shuhet pa shërim. Gjendja e sotme politike në Shqipëri sjell në mend përcaktimin e termit “totalitar” nga filozofi italian Benedetto Croce: “… (sistem) ku vendimet merren vetëm me procedurë (ekzekutive), pa bashkëpunim me të tjerët, nji qëndrim që transformon ‘mjetin’ në ‘qëllim kryesor’, në kërkim madhërimi të pakufi të forcës së vet, i dyshimtë ndaj çdo njeriu dhe çdo gjaje, dhe i predispozuem me shkatërrue çdo kundërshtar, qoftë real, qoftë imagjinar”.
*
Presidenti George Washington i këshillonte bashkatdhetarët e tij që në lindje të shtetit amerikan: “Kemi nevojë për nji bashkëbisedim të qytetnuem. Shprehja e zanit të ndërgjegjes ka qenë tradita e vlerave ma të thella që na, si popull, bashkëndajmë. Nuk kërkohet të jemi dakord me njëni- tjetrin mbi problemet thelbësore që të përkrahim të drejtën e tjetrit dhe të respektojmë shprehjen e tij të lirë”.
Shqiptarët duhet ta bindin veten se janë të lirë dhe se ka kalue koha kur trajtoheshin si lecka pa vlerë. Sot, shqiptari koshient duhet të jetë i qartë për atë që dëshiron: përmirësimin çdo ditë e ma shumë të gjendjes ekzistuese në vend, sidomos atmosferën e lirisë dhe sigurimin e nji vendi të denjë për Shqipërinë në familjen e kombeve të lira dhe të qytetnueme. Na duem hymjen në Europë jo si lypsarë e leckamanë, por si nji popull krenar me histori mijëvjeçare e që e meriton këtë privilegj.
Unë e shoh Shqipërinë si nji vend të gatshëm me ndërtue të nesërmen pa frikën e hijeve të zeza të së kaluemes. Prandej, zgjedhja e Presidentit të ri ka randësi të veçantë: nji President që ka njohë vuejtjen dhe që ashtë i ndërgjegjshëm për kufizimet e tija si qenie njerëzore; nji President që përballon sfidat e kohës në nji shoqëni shqiptare në evolucion të plotë, dhe ma e sofistikueme se asnjiherë ma parë.
Unë e shoh Shqipërinë në prag të fitimit të nji identiteti modern, përtej vlerave e traditave të së kaluemes, nji Shqipëri që shikon për të rejat që e rrethojnë. Ma shumë se nji milionë shqiptarë jetojnë në botën e jashtëme dhe e kanë adoptue atë. Izolimi gjysmëshekullor na ka lodhë; nënshtrimi ndaj skllavërisë komuniste na ka lodhë. Sot Shqipëria përpiqet të largohet nga konceptet e ngushta të “fisit” e “krahinës”. Sot flitet për institucione “mbarëshqiptare”. Moderniteti dhe theksi te kuptimi i termit “persona” – qenie njerëzore e veçantë – rritet çdo ditë. Na e shohim këtë në tërheqjen magjike që ushtron te shqiptarët qytetnimi europian dhe dashunia për Shtetet e Bashkueme, gjithherë në kërkim të çdo gjajë inteligjente dhe krijuese që ky qytetnim ofron.
Dëshiroj të përsëris fjalët e Bill Keller-it, të The New York Times: “Disidentët janë heronj. Ata flasin të vërtetën që të ndigjohet nga sunduesi dhe na sfidojnë të bahemi çdo ditë ma të mirë. Ata tregojnë anën njerëzore të viktimave nën regjimet e tmerrshme. Tregimet e tyne frymëzojnë ata që janë ma pak guximtarë. Disidentët janë të vështirë; ata moralizojnë.
Me nji numër ma të madh të këtyne “personave” të ndritun nga arsimi dhe kultura do të jetë shumë vështirë me sigurue bindjen që kërkojnë “politikanët marifetçinj” dhe me marrë vendime, ose me ba llogari politike që shërbejnë vetëm ata, ose lajkatarët e tyne nuk pranojnë kompromisin”.
Sot, Shqipëria ka nevojë për guximin e disidentëve shqiptarë! A do të gjejë Diogjeni që zbret në Tiranë disidentë në Shqipëri? Unë mendoj se po!

© Panorama.al

Te lidhura