Titulli mbetet i hapur dhe gjithçka do të vendoset në finish. Gjithçka do të zyrtarizohet pasi të luhen edhe 90 minutat e fundit, që mbajnë në ankth dy qytete, Korçën dhe Durrësin. Skënderbeu është ende në krye falë fitores së arritur me vështirësi ndaj Apolonisë. Muzaka dhe Xhafaj, me golat e shënuar në pjesën e dytë, mbajnë në vendin e parë me 54 pikë korçarët. Me një pikë më pak është Teuta, e cila ka fituar me goleadë duke mbajtur veten ende në lojë për titullin. Durrsakët kanë mposhtur, 5-3 Pogradecarë, që mbajnë edhe pas kësaj jave vendin e 12-të në renditje. Ekipi i Likës janë shfryrë duke realizuar pesë të tillë, aq sa nuk i kishin parë tifozët bregdetarë prej vitesh të tëra brenda 90 minutave. Dinamo s’ka më shanse, e ka braktisur edhe matematika. Zyrtarisht, blutë e kryeqytetit detyrohen t’i thonë lamtumirë Superiores, duke zbritur një kategori më poshtë, për herë të parë në historikun e saj të lavdishëm e me shumë trofe. Sakaq, Vllaznia ka mbyllur çdo hesap duke e vënë në shina të sigurta Superioren. Tre golat në portë kanë vulosur mbijetesën e tyre. Dy skuadrat, që e kanë zyrtarizuar tashmë pjesëmarrjen në Europë përmes kampionatit, Tirana dhe Flamurtari, luanin transferta të vështira. Bardheblutë kthehen me fitore ndaj Laçit, që më shumë ka vlera prestigji. Ka mjaftuar një gol i Bekim Balës për të marrë tri pikë, që ka kthyer në njëfarë mënyre buzëqeshjen te kryeqytetasit. Kuqezinjtë e Shkëlqim Muçës, të konsoliduar në vendin e katërt, janë mposhtur në Peqin nga një gol me penallti i Diopit. Kastrioti, nga krahu tjetër, pa pretendime tashmë, ka barazuar 1-1 në Kamzë me ekipin vendës, duke i çuar këta të fundit automatikisht në “play-out”. Kjo pikë është pak për formacionin e De Vekis, që renditet një vend më lart se Pogradeci, në kuotën e 27 pikëve. Në Berat gjithçka është mbyllur barazim. Tomori, edhe pse ka kaluar dy herë në avantazh, është barazuar nga miqtë ballshiotë. Dy golat e Bakiut zhvlerësohen nga Izuçuku dhe Shoshi në limit të kohës së rregullt. Një pikë që nuk i vlen sa duhet formacionit të Gjokës, i cili duhet të përshkruajë me sukses edhe transfertën e fundit në Fier, për ta qartësuar përfundimisht pozicionin e vet.
Kategoria Superiore/ Java e 25-të
Skënderbeu-Apolonia 2-0
Muzaka 28′, Xhafaj 90′
Teuta-Pogradeci 5-3
Osmani 3′ (11-m), Jakupi 18′, Nika 24′, Tairi 38′, A.Hoxha 58’/ Eminhazeri 48′, Baze 68′, Kllogjeri 70′
Kamza-Kastrioti 1-1
Karapici 60’/ Sefa 76′
Laçi-Tirana 0-1
Bala 26′
Shkumbini-Flamurtari 1-0
Diop 58′ (11-m)
Dinamo-Vllaznia 0-3
Sykaj 8′, Petroviç 13′, Gocaj 26′
Tomori-Bylis 2-2
Bakiu 63′, 87’/ Izuçuku 44′, Shoshi 89′
© Panorama.alRENDITJA
Nr EKIPI N F B H G+ G- P
1 Skënderbeu25 16 6 3 42 15 54
2 Teuta 25 16 5 4 31 17 53
3 Tirana 25 15 5 5 32 21 50
4 Flamurtari 25 12 6 7 39 21 42
5 Kastrioti 25 11 5 9 36 28 38
6 Vllaznia 25 10 4 11 35 29 34
7 Laçi 25 11 6 8 26 28 33
8 Shkumbini 25 9 6 10 34 38 33
9 Bylisi 25 8 8 9 37 36 32
10 Tomori 25 8 4 13 31 41 28
11 Kamza 25 7 6 12 22 31 27
12 Pogradeci 25 6 4 15 24 44 19
13 Apolonia 25 4 6 15 21 41 18
14 Dinamo 25 3 7 15 18 38 13Shënim: Dinamo është penalizuar nga UEFA
me -3 pikë, ndërsa Laçi dhe Pogradeci, respektivisht
me -6 dhe -3 pikë nga Komisioni i Disiplinës











