Dimitar Berbatov, ideja e re e Moratit për sulmin zikaltër

Aug 3, 2011 | 12:25

Tratativat mes Interit dhe Mançester Junajtid mbase nuk do të mbyllen të gjitha me transferimin e Uesli Shnajderit në Angli. Në orët e fundit, duket se zikaltrit kanë lëshuar kundrejt ofertës së Sër Aleks Fergusonit për holandezin, nisur edhe nga fakti se klubi i presidentit Masimo Morati është shumë i interesuar për afrimin e bomberit bullgar, Dimitar Berbatov. “Djajtë e kuq” e kanë nxjerrë në shitje numrin 9 të skuadrës për një shifër prej 10-12 milionë eurosh dhe zikaltrit duken tepër të interesuar. Gjithsesi, sipas shtypit anglez, Dimitar Berbatov nuk do të jetë pjesë e tratativës së transferimit të Shnajderit, sepse Interi mendon ta ulë disi më shumë çmimin e bullgarit, duke e trajtuar veçmas. Ndërkaq, pas humbjes me Mançester Sitin, kompanitë më të mëdha të basteve shohin si favorite për suksesin e Superkupës së Italisë, Milanin. Zikaltrit, të cilët e nisnin këtë sfidë në barazpeshë me “kushërinjtë” kuqezi, humbin pikë në baste dhe hasin një rritje të koeficientit të fitores së tyre në këtë finale. Fillimisht, kuotat e të dyja ekipeve ishin të barabarta me koeficient 2.4, por nga dje e në vazhdim, Interi do ta paguajë 3.5 herë bastin e luajtur. Ndërsa sipas informacioneve, derbi kinez mes Milanit dhe Interit do të sjellë disa miliona euro të rëndësishme në arkat e këtyre dy klubeve. Mendohet se shifra do kalojë 3 milionë euro brenda një nate.

© Panorama.al

Te lidhura