Duke ndjekur rrjedhën e ngjarjeve… negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës
për çështje teknike, ndërprerjen e beftë të tyre, linjën e pazakontë
të komunikimit të politikës kosovare, e cila foli me gjuhën e reciprocitetit duke e ilustruar praktikisht për ndalimin e mallrave serbe, aksionin
për të vendosur ligjin bash aty ku është ngritur “perandoria” e krimit dhe e kontrabandës, vrasjen e një polici nga një snajperist serb, neglizhencën
e EULEX, tërheqjen e forcave speciale, yshtjen e mercenarëve serbë të dirigjuar nga Beogradi për të shkatërruar, djegur pikat doganore, mësymjen e
forcave të KFOR për rivendosjen e qetësisë dhe parandalimin e përshkallëzimit të incidenteve, kakofoninë e zërave të Beogradit duke marrë rolin e viktimës nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke nxitur ekstremistët e
huliganët, ngjashëm si paramilitarët e Millosheviçit, deklaratat aspak të koordinuara të faktorit ndërkombëtar, vendosmërinë e autoriteteve politike dhe qeverisë të Kosovës për të ruajtur nderin e një turpi të pajustifikueshëm
e bëjnë çështjen e Mitrovicës tepër komplekse. Duke marrë në konsideratë këtë lloj kompleksiteti, plus të gjitha detajet e ngjarjeve më të fundit, situata është sa e ndërlikuar, po aq e ndjeshme. Madje, në këto kushte, nëse nuk i paraprihet fenomenit, mund të ndodhë hapja e valvulave të trazirave, autorët e së cilës tashmë janë të njohur për gjithkënd. Beogradi e çori maskën e moderimit, fryma dhe politika serbe është identike me atë të Millosheviçit. Ky konstatim është në sinkron me të gjitha qëndrimet e aktorëve dhe faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Në këtë kuptim, çdo tentativë për të vendosur në një peshore viktimën me agresorin vetëm sa e agravon situatën dhe e bën të pazgjidhshëm problemin. Në këto kushte nuk mjafton vetëm rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, e cila i dha mbështetje qeverisë që të vazhdojë me masat e ndërmarra në veri, për vendosjen e rendit në pikat doganore dhe zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, as qëndrimet e Tiranës
zyrtare. D.m.th, zgjidhja përfundimtare e veriut të Mitrovicës nuk kërkon thjesht vullnet dhe vendosmëri nga pushtetarët dhe shtetarët e Kosovës, por duhet një garant potencial, një zë kumbues dhe unifikues i faktorit
ndërkombëtar, në rastin konkret i BE-së. E, ky zë është i domosdoshëm, ngaqë ende nuk kemi një përgjigje të saktë dhe precize: se si do të zgjidhet përfundimisht çështja e Mitrovicës apo ende do mbetet pezull.
Në këto rrethana, pyetja që shtrohet për diskutim dhe kërkon debat është: qëllimi i aksionit ishte i njëmendtë për të garantuar përfundimisht sovranitetin e shtetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj dhe për t’i
thënë troç Beogradit që të mos shohë ëndrra më sy hapur për ndarjen e
Kosovës apo ishte një test për të kuptuar se deri në ç’masë ka ndryshuar mendësia dhe logjika e Beogradit dhe në ç’fazë janë zbutur gjakrat mes dy vendeve. Sido që të jetë, tashmë nuk është koha e eksperimenteve,
por e vendimeve të mëdha. Ekzistojnë një mijë e një arsye që Mitrovica
në tërësinë e saj të vendoset brenda kornizës kushtetutare dhe ligjore të Kosovës, ngaqë përmes saj arrihen disa efekte:
– Vendoset ligji, rendi, qetësia, siguria… shkërmoqet “perandoria” e krimit dhe e kontrabandës që nuk njeh etni e kombësi;
– Vendoset legjitimiteti i sovranitetit të Kosovës, e cila deri më tani nuk e ka ushtruar pushtetin në gjithë territorin e saj;
– Hiqen dilemat dhe konfuzioni i faktorit ndërkombëtar rreth një çështjeje, e cila mban pezull garancinë për stabilitet afatgjatë në Ballkan;
– Shtohen garancitë për sovranitetin dhe jo ndarjen e Kosovës, pasojat e së cilës do të ishin tepër të rrezikshme për gjithë rajonin;
– Dhe më kryesorja, ndërpriten ambiciet e Beogradit për ta përdorur Mitrovicën si trampolinë për implementimin e ambicieve të saja ekspansioniste. Ç’është e vërtetë, e gjithë sa thamë më sipër nuk është aq e lehtë për t’u realizuar, por jo mision i pamundur. Shumëçka varet nga garantuesit e paqes dhe stabilitetit në botë (!) Topi është në fushën serbe, shqiptarët për hir të rrethanave e kanë bërë një kompromis, natyrisht të diskutueshëm, duke pranuar që një komb të jetë i ndarë të pesë njësi administrative.












