Dilemat e Kosovës

Feb 13, 2012 | 9:57

MENTOR NAZARKO

Eshtë një e vërtetë e përsëritur sa bota, se në vendet ku  çështja kombëtare është ende e pazgjidhur, ka të paktën dy krahë politikë ekstremë për zgjidhjen  e saj dhe do ishte e udhës që këta krahë të bashkëpunonin. Ngjan paradoksale kjo aksiomë, që në fakt s’ka fare të bëjë me aksiomën tjetër se ekstremet përputhen, edhe kjo një aksiomë politike. Ka shumë shembuj vendesh me problematikë kombëtare, të themelimit të statusit, të konsolidimit të tij, ku krahët ekstremë të politikës kanë gjetur rrugën e pajtimit, qoftë publik, qoftë nën rrogoz. Sa për shembull, edhe Izraeli dikur, por dhe Palestina sot, ofrojnë shembuj të këtij bashkëpunimi.
Sipas kësaj aksiome, edhe Kosova mund të konsiderohet si shembull i mirë bashkëpunimi të dy krahëve ekstremë politikë për një periudhë të caktuar të historisë së saj, duke filluar nga 1999-a deri në 2009-n, me ndonjë shkëputje. Sfidat e shtetformimit, të pranimit tërësor të shtetësisë së Kosovës, imponojnë dhe sot një bashkëpunim midis dy krahëve të politikës atje, të paktën për çështje të veçanta. Negociatat me Serbinë nën kujdestarinë e BE-së përfaqësojnë një fushë për të cilin duhet bashkëpunim, ndërsa për formën i takon vetë partive politike kosovare ta zgjedhin. Kohët e fundit këto negociata prodhuan një çështje në të cilën ngjan se pikërisht mungesa e bashkëpunimit mes krahëve të politikës kosovare, po bën që oferta e BE-së për Kosovën të zvogëlohet edhe më. Po e sqarojmë më hollësisht.
Jo Republikë, jo rezolutë 1244
Fjala është për të ashtuquajturën çështje të përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës. Nga sa është bërë publike më parë, po ngjante se ndërmjetësuesi britanik Kuper ia kishte dalë mbanë që të bindte Kosovën dhe Serbinë të hiqnin dorë nga dy elementë. Kosova do të hiqte dorë nga përcaktori “Republikë”, ndërsa Serbia nga përcaktori tjetër, që do të vendosej me shënim në fund të tekstit apo fusnotë-pa paragjykim të statusit sipas rezolutës 1244. Bërja publike e këtij kompromisi, ende pa u fiksuar në ndonjë formë, krijoi reagimet përkatëse në të dyja vendet. Në Kosovë, nën ndikimin e një mediaje të rëndësishme që bën opinion dhe Vetëvendosjes, u bë zhurmë e madhe për lëshimin që u bë me heqjen dorë nga “Republika”. U vendos steka, nën të cilën qeveria s’mund të zgjidhte asnjë pozicion. Sipas mekanizmave të stërhollimit të miteve, pozicioni i opozitës u bë pozicion dominant publik. Kjo zhurmë me induksion, apo në mënyrë krejt të pavarur, krijoi reagim dhe në Serbi, ku u konsiderua tradhti kombëtare heqja dorë nga rezoluta 1244, e cila ngjan se është emëruesi i përbashkët i pranuar me zor prej forcave politike atje. Në Kosovë, zëvendëskryeministrja dhe shefi i saj u shpallën tradhtarë, diçka që krijoi mekanizmin vetëmbrojtës të tërheqjes së tyre nga ky pozicion. Presidentja dhe Kryeministri e mohuan kompromisin e pranuar më parë dhe pala serbe gjithashtu u tërhoq nga lëshimi.
Kompromisi i ri? Më i keq. Republikë, por dhe fusnotë.
Ndërkohë, sot po diskutohet dhe me gjasë do të pranohet nga palët një kompromis i ri. Në emërtimin e ri Kosova mund të quhet Republikë, por ama fusnota do të shkruajë diçka si kjo: pa paragjykimin e statusit të përcaktuar me rezolutën 1244, vendimin e GJND-së dhe rezolutën e OKB-së.
Kjo ofertë e re, që BE-ja e bën në limitin kohor të shqyrtimit të ftesës për statusin e kandidatit për Serbinë, ngjan shumë më e keqe për Kosovën, megjithëse në thelb ruhet ajo që është më e rëndësishme e shënon përparim në raport me gjendjen aktuale: Kosova do të ketë përfaqësim ndërkombëtar dhe në ato forume ku do të jetë Serbia. Fusnota është diçka që relativizon sadopak përfaqësimin ndërkombëtar të një shteti- shiko Maqedoninë, megjithëse nuk e kufizon jetën e tij në familjen e shteteve. Por, pse mbërritëm në keqësimin e ofertës perëndimore?
Sepse në Kosovë po bëhet e udhës që në gjykimin e një problematike, që s’është me karakter lokal, të krijohen opinione paragjykuese, që janë jo thjesht me frymëzim autoreferencial, por dhe sipas një arsyetimi tipik të sensit komun. Dikush që shkruan, që shprehet më mirë, qoftë parti, qoftë media, thotë i pari se heqja e “Republikës”, është tradhti, se brezat luftuan për Republikën etj, etj., dhe ky opinion imponon gjithë debatin e brendshëm. Askush, prej frikës së etiketimit tradhtar, hiq ndonjë zë të vetmuar të brendshëm, nuk rreket të marrë shembuj ndërkombëtarë. Askush nuk do të dëgjojë miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, nunët e saj, siç është për shembull Gjermania. Megjithëse me pritjen e Albin Kurtit në nivel të lartë, Gjermania e inkurajoi partinë e tij duke ia thyer izolimin ndërkombëtar partisë së tij, kjo nuk e pengoi reagimin e fortë të Kurtit ndaj ambasadorit gjerman pse ky e cilësoi kundërvënien e Vetëvendosjes si “lojë politike fëmijësh”. Askush në Kosovë nuk u mor (disa nuk guxuan) me argumente të karakterit teorik dhe praktik, për shembull të së drejtës kushtetuese. Sipas doktrinës kushtetuese, të qenit Republikë është diçka që nuk ka lidhje me formën e shtetit, por me formën e qeverisjes. Republika është formë qeverisjeje, pra që i referohet marrëdhënies që kanë mes tyre institucionet. Forma e shtetit i referohet marrëdhënies që vendoset midis pjesëve të shtetit, territorit, organizimit politik, popullsisë, etj. Prej këtij përfundimi teorik, duhet thënë se emërtesa “Republikë” nuk ka lidhje me përfaqësimin ndërkombëtar. Aq e vërtetë është kjo, sa shtetet seriozë të rëndësishëm nuk e vendosin Republikën në përfaqësimin e tyre ndërkombëtar, si për shembull në OKB, apo gjetkë. Madje, si shembull i kundërt vlen dhe rasti i Maqedonisë me emër të kontestuar, së cilës i është imponuar si emër ndërkombëtar IRJM, pra fjala Republikë në trupin e emrit të saj ndërkombëtar! Argumenti se Kosova nuk ka problematikën e Gjermanisë, e cila ka status ndërkombëtar të konsoliduar si anëtare e OKB-së, është dhe ai krijim inteligjent autoreferencial, por jo i shëndetshëm. Si mund të konsolidohet shtetësia e dikujt në arenën ndërkombëtare? Me përfaqësim, qoftë dhe pa Republikë, apo me mospërfaqësim?
Nga kjo analizë e thjeshtë, nga këto argumente që kanë munguar në debatin e brendshëm kosovar, mund të arrihet në përfundimin se Kosova nuk ka bërë ndonjë lëshim të madh herën e parë kur hoqi dorë nga Republika. Sot, kur në fusnotën e saj mund të vendosen rezoluta 1244, vendimi i GJND dhe Rezoluta e tetorit 2010 e OKB-së, ndodh e kundërta. Përfaqësimi i saj ndërkombëtar relativizohet pak në sytë e atyre shteteve që nuk e kanë njohur, megjithëse në fund të fundit, pjesëmarrja e Kosovës në forume ndërkombëtare është më e mirë se mospjesëmarrja.
Idetë për të ardhmen
Pra, sipas kësaj analize mbërritëm në përfundimin se mungesa e koordinimit, lufta e egër politike jo normale për një vend ku ka ende sfida ekzistenciale ndërkombëtare, paragjykimet e brendshme, mungesa e debatit profesional për këto sfida, dhe autoreferencialiteti në debatin e brendshëm mund të sjellin keqësimin e pozicionit ndërkombëtar të shtetit. Është momenti që të ndërrohet përfundimisht sjellje. Dhe janë disa linja, mbi bazë të të cilave duhet shkuar kah koordinimi.
Së pari, miqtë ndërkombëtarë që asistuan në shpëtimin nga zhdukja, në lindjen dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës nuk kanë interes në dobësimin e saj. Jo aq për Kosovën, sesa në nevojën që ky shtet i ri të jetë funksional, të mos jetë burim problemesh, etj, etj. Ndaj është miopi, autolezionizëm që ata të etiketohen si armiq të Kosovës thjesht pse ata sot bashkëpunojnë me qeverinë e një partie rivale. Nesër ata do të bashkëpunojnë me partinë tjetër, që do të fitojë zgjedhjet!
Së dyti, faza e mbikëqyrjes ndërkombëtare po përfundon, por kjo s’do të thotë se vendit i nevojiten forca fatalisht disgreguese, apo qendërikëse që në fillim të jetës së vet të re. Është njëlloj sikur t’i kërkohet fëmijës së vogël, që sapo është ngritur në këmbë, të vrapojë në kampionatin olimpik të profesionistëve, të këndojë në Festivalin Europian, të bëjë shpikje teknologjike të shekullit të 22 etj, etj. Përkundrazi, në emër të konsolidimit të shtetit, të përmirësimit të imazhit, të përqendrimit te prioritetet ekonomike nevojitet koordinim. Qoftë larg vëmendjes së mediave për çështje të caktuara, qoftë dhe me praninë e tyre.
Së treti, mediat, opinioni publik, ekspertët vendorë të çështjeve ndërkombëtare duhet të flasin me forcë në debate të tilla. Por duhet t’i çojnë sytë kah bota, dhe jo kah vetja. Politika e jashtme e Kosovës për shumë aspekte është edhe politikë e brendshme e Kosovës, por kjo s’do të thotë që për këtë duhet të flasin vetëm politikanët.
Këto ishin vetëm disa ide në lidhje me një çështje që gjithsesi nuk është thelbësore për ekzistencën e Kosovës si shtet i pavarur, apo për pranimin e saj tërësor në familjen e shteteve. Një çështje e vogël, por që duhet të ndërgjegjësojë për pasoja të mëdha në jetën e këtij shteti të ri.

© Panorama.al

Te lidhura