Dilemat e edukimit në globalizëm

Jul 28, 2011 | 9:41

ILIR KALEMAJ

Në një botë përherë dhe më të ndërlidhur në rrafsh ekonomik, por edhe politik, kulturor, shkencor dhe inovativ, nga njëra anë është rritur
ndjeshëm efekti i informacionit në kohë reale dhe pushteti mediatik, ndërsa nga ana tjetër konkurrenca shpesh e pamëshirshme, ku në çdo
rënie apo ngritje tregjesh, ka mijëra viktima, firma, korporata që rrëzohen, ndërsa mijëra të tjera lulëzojnë. Nga lajmi për skandalin që rrethoi
gazetën e famshme britanike ‘News of the World’, të modulit australian “Murdok”, te lajmi i fundit për sulmin e tmerrshëm kriminal në Oslo, te lajmet për rënie dhe ngritje bursash që shpesh bazohen në vendime politike të
qeverive apo institucioneve financiare globale, sjellin në vëmendje se sa të mëdha janë mundësitë për informacion, transparencë dhe demokratizim horizontal në këtë botë policentrike, po aq sa edhe tregojnë qartazi rreziqet
që i kanosen këtij sistemi përherë e më kompleks. Në këtë botë përherë dhe më komplekse, ku shoqëria e dijes dhe informacionit është njëkohësisht shoqëri konsumi në shkallë të gjerë, ka filluar të ravijëzohet qartazi nevoja
për një edukim të certifikuar sa më prestigjioz, formësim dijesh të specializuara dhe kërkim degësh sa më konkurruese në një treg përherë dhe më të lëvizshëm e të pasigurt. Dy janë ndër karakteristikat më kryesore të këtij trendi të ri përshtatshmërie me teknologjitë globale në një epokë përherë dhe më të fragmentarizuar, heterogjene dhe ku shtete, kompani
shumëkombëshe, media globale dhe shoqëri civile kozmopolite, krijojnë një botë policentrike, rrënjët e së cilës janë në eter. Së pari, gjithnjë e më tepër po ndodh që edukimi i profilizuar ngushtë veçanërisht në lëndë tekniko-shkencore po zhvendoset gjerësisht në lindje, ku spikasin vendet aziatike, të
cilat ofrojnë një konkurrencë të jashtëzakonshme në raportin cilësi-pagesë, duke iu shërbyer shumëkombëshve të reduktojnë ndjeshëm kostot dhe të rrisin fitimet. Për shembull, Thomas Fridman në librin e tij bestseller “Bota është e sheshtë”, përmend përqindjet e profilizimit të shekullit XXI në disa
prej vendeve aziatike në zhvillim apo të zhvilluara, duke lidhur shkallën e suksesit të tyre me specializimin në degë shkencore dhe teknike të të rinjve në këto vende. Diplomat në shkencë dhe inxhinieri në Kinë zënë rreth 60 për
qind të diplomave të shkallës së parë (bachelor), në Korenë e Jugut 33 për qind, në Tajvan 41 për qind. Ndërkohë që, në SHBA, përqindja respektove është vetëm 31 për qind. Nga ana tjetër, studentët kinezë dhe indianë kanë
pushtuar kampuset e universiteteve më të mira të botës. Për shembull, Fridman sjell disa statistika interesante në këtë drejtim, ku përmend
se nga 40 studentë kinezë që u graduan nga Universiteti i Jalës në SHBA në vitin 2001, numri kishte shkuar në 276 në vitin 2008.  Ose një statistikë tjetër, që tregon se në vitin akademik 2004-2005 p.sh, 80, 466 studentë të
huaj në SHBA ishin nga India, 62, 523 nga Kina, 53, 358 nga Koreja e Jugut e kështu me radhë. Sikundër përmend një nga themeluesit indianë të Mphasis, një firmë që kryen shërbime për firma homologe amerikane dhe europiane,
Jerry Rao, në Indi ka një mungesë të theksuar të studentëve që shkojnë për shkenca shoqërore, ndërkohë që gjithsekush dëshiron një diplomë inxhinierie dhe MBA. Për këtë biznesmen të suksesshëm, kjo në fakt nuk është
dhe aq gjë e mirë, se kjo do sjellë mungesë të të ngjashmëve të nobelistëve indianë si shkrimtari V.S. Naipauls apo ekonomisti Amartya Sens. Por, ana tjetër e medaljes, është që ky brez i ri indianësh apo kinezësh, koreanësh
e me radhë, ka kuptuar dinamikën e tregut, forcën e konkurrueshmërisë në një botë të globalizuar dhe kanë vendosur levën e Arkimedit në vendin e duhur, gjë që i shërben mirëqenies personale. Së dyti, për të qenë të suksesshëm në tregun e punës, kërkohet gjithnjë e më tepër një aftësi sintetizuese, formim ndërdisiplinor dhe aftësi përshtatjeje e vazhdueshme, në një treg përherë e më dinamik dhe ku shpesh konvergjencat ndodhin vetvetiu. Në këtë botë përherë dhe më konkurruese, si në fushën e posedimit të dijeve të specializuara, si në aftësitë sintetizuese të individëve të rinj dhe dinamikë, si në ‘ekonomitë e shkallës’ me çmimet gjithnjë dhe më të leverdishme për konsumatorin mesatar, rritja e aktivitetit dhe volumit tregtar shkon krah më krah me risqet. Vetëm ata që kanë aftësinë për sintezë,
që kanë formim të gjerë, informacion të bollshëm, kulturë pune në grup, mendje të hapur dhe dinamike, shoqëruar me edukimin e certifikuar në institucione cilësore, do arrijnë të përshtaten, t`u mbijetojnë luhatjeve të
kursit dhe do të jenë të suksesshëm. Rritja e cilësisë arsimore, investimi në burimet njerëzore dhe në ato fusha ku mund të jemi konkurrues në tregjet europiane dhe globale, duhet të jenë përparësi në çdo lloj strategjie  kombëtare. Nga ana tjetër, profilizimi sipas kërkesave të tregut, aftësia për marrjen dhe sintezën e informacionit dhe shkalla e përshtatshmërisë
janë tërësisht në dorën e gjithsecilit të ri, që vetëm nëpërmjet aplikimit të
dijeve dhe kulturës së punës mund të arrijë të realizojë vetveten në këtë shekull të ri.

© Panorama.al

Te lidhura