GENC BURIMI
Kur Makron, Sholz, Osmani dhe Kurti shprehen nga Moldavia e largët sinjale sadisfaksioni se zgjidhja e krizës u gjet me mundësinë e ribërjes së zgjedhjeve në veri të Kosovës, një pyetje lindte vetvetiu me skepticizëm: si e gjetën zgjidhjen europianët aty ku dështuan amerikanët përballë bojkotit të serbëve? Për të ribërë zgjedhjet, nuk duhej bindur Kurti, por serbët. Atëherë çfarë ‘karote’ kishin në kapele ‘magjistarët’ europianë për të evituar kësaj here bojkotin serb?
Fatkeqësisht asnjë! Serbët siç po shihet çdo ditë e më qartë kanë një kusht dhe vetëm një për të hyrë në zgjedhje bashkiake në veri të Kosovës. Dhe ai kusht është i parealizueshëm me Kryeministrin Albin Kurti. Serbët duan me çdo kusht asociacionin.
Sipas një botimi të fundit në websitin e “Zërit të Amerikës”, “Lista Serbe”, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, tha se do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja, por (1) pasi të jenë larguar njësitë e posaçme të Policisë nga zona dhe (2) të jetë themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.
KOSOVA NUK DEL NGA KRIZA PA REFERENDUM OSE ZGJEDHJE TË REJA TË PARAKOHSHME NË MBARË VENDIN
Kurthi i ngritur nga Aleksandar Vuçiç po funksion në mënyrë impresionuese sepse perëndimorët ranë vetë aty brenda me të dyja këmbët. Xhoker-in me kushtin e Asociacionit, Vuçiç e mbante nën mëngë që prej 10 vjetësh, që prej 2013 kur u firmos ai detyrim europian për Kosovën. Por Serbia nuk e përdori gjatë gjithë këtyre viteve me atë ngulm dhe agresivitet siç po e bën sot për aq kohë sa asnjë Kryeministër në Kosovë nuk kërkonte të shtrinte autoritet në Veriun me shumicë serbe. I pari Kryeministër në Kosovë që prej pavarësisë së vendit, i cili vendosi ta vërë “veriun” në qendër të axhendës së shtetit të Kosovës, është Albin Kurti kur vendosi para një viti të zbatojë reciprocitetin e targave. Kjo lëvizje e Kurtit e detyroi çiftin franko-gjerman të hartonte planin me 10 pika për një fillim njohjeje. Falë Kurtit ndodhi diçka e paparë në dhjetë vjet letargjie europiane, dhe për më tepër diçka që e orientonte presionin perëndimor kah Vuçiçit, i detyruar që ta firmoste atë plan ku parashikohet vendosje e misioneve diplomatike ne Beograd dhe Prishtinë, pra, fillim i njohjes reciproke.
Në këtë situatë ku presioni po i vihej Serbisë pa mundësi më t’u shmangej detyrimeve të saj (targat në veri, mosbojkot i zgjedhjeve në veri, vendosje misionesh diplomatike), Vuçiç vendos atëherë të konsumojë xhokerin e vetëm në mëngë, kërkesën për zbatimin e Asociacionit që BE-ja ia kishte premtuar para dhjetë vitesh. Kjo kundërpërgjigje e befasishme e Vuçiçit si një goditje me të jashtmen e raketës nga Xhokoviç në tenis, qe mjaft efikase sepse bëri që menjëherë presioni të hiqej nga Serbia dhe të transferohej mbi shpatullat e atij që filloi “lojën” Kurtit. Me goditjen me “Asociaconi”, Vuçiç arriti biles të provokojë dhe deklarata kërcënuese kundër Kosovës nga ana e baballarëve të pavarësisë së Kosovës. Millosheviç do ta kish ëndërruar, Vuçiç e realizoi me një fjalë të vetme magjike: Asociacioni. Çfarë do që do kërkojë Kosova tani, Serbia do t’i shqiptojë një fjalë që bllokon gjithçka, asociacioni. Ironia është se asnjë politikan, ish-drejtues i Kosovës, nuk kish guxuar ta përmbushte këtë “detyrim” që nga 2013 dhe ja që tani i kërkohet ta bëjë Kurti, pikërisht politikani që e ka kundërshtuar gjithmonë kur ishte në opozitë me frikën se do të institucionalizohej krijimi i një shteti të serbëve brenda Shtetit të Kosovës. Ndaj sot nuk mund t’i kërkohet Albin Kurtit të ndërrojë mendim. Do të ishte më e drejtë t’i kërkohet popullit të Kosovës të japë demokratikisht mendimin e tij. Miqtë e shumtë të Kosovës në Perëndim të mos humbasin më tepër kohë për të bindur në kulisa Albin Kurtin, por Presidenten dhe Kuvendin e Kosovës që të shpallet datë referendumi për Asociacionin, po aq i domosdoshëm dhe historik sa ç’qe Brekskit-i.
Edhe britanikët kur hynë në Europën e Bashkuar, më 1 janar 1973, u angazhuan si në një martesë, të qëndronin bashkë me europianët e tjerë, në të mirë dhe në të keq. Por çdo komb ka të drejtë të ndërrojë mendim me kusht që kjo të bëhet në mënyrë demokratike. Britanikët e prishën fjalën që ia kishin dhënë Europës, kur votuan për dalje nga BE-ja me referendumin e Breksitit të 31 janarit 2020. Sa shumë analistë, udhëheqës, mendje të arsyeshme në botë, sa shumë britanikë kozmopolitë të Londrës bënë fushatë e presion ndaj “provincave” britanikë se po bënin gafë historike, se po bënin biles dhe tradhti kombëtare, sepse sipas tyre Britania e Madhe jashtë BE-së do të dobësohej ekonomikisht, gjeopolitikisht, dhe biles ushtarakisht. Ekzakt i njëjti presion që dëgjojmë sot mbi Albin Kurtin, Boris Jonson-i Kosovës për nga kokëfortësia e tij. Pse Kosovës mos t’i ofrohet si britanikëve, me referendum apo zgjedhje të përgjithshme, e njëjta rrugëdalje nga kriza kur një popull ndodhet në një kryqëzim të Historisë me H të madhe?
KOSOVA NDODHET NË KONFLIKT TË NGRIRË QË DUHET TË MARRË FUND NË TË MIRË TË VETË PERËNDIMORËVE
Cilido qoftë e ardhmja, asociacion ose jo asociacion, një gjë është e qartë: Serbia i ka hyrë me sukses rrugës së një konflikti të ngrirë me Kosovën, për ta “shkrirë” atë në përfitim të saj një ditë, një vit, një dekadë, një shekull, kur ajo, Serbia, do të jetë në pozicion force, domethënë kur BE-ja ndoshta nuk do të ekzistonte më apo kur SHBA-të të tërhiqen nga Europa. Ndërkohë, përpara se ta ripërpijë atë ditë gjithë Kosovën, emrin e së cilës Serbia e ka të gdhendur edhe në preambulë të Kushtetutës serbe pa i lënë asnjë hapësirë njohjeje të ndërsjellë Presidentit të Serbisë, ky i fundit mund të realizojë një gllabërim të pjesshëm territorial të Kosovës. Fundi i fundit a nuk është Qiproja Veriore e ngjashme me veriun e Kosovës? Kemi në Qipro situatën e një konflikti të ngrirë prej dekadash ku predatori turk është mjaftuar të marrë “një copë” tokë, duke pritur edhe ai vitin, dhjetëvjeçarin, shekullin e favorshëm të gëlltisë të tërën po qe me e fortë atë ditë se një Greqi pa NATOn. Pushtimi i Turqisë, 50 vjet me parë, më 1974, rezultoi në ndarjen e ishullit në dy entitete. Në jug, Republika e Qipros, e cila kontrollon 60% të ishullit, i vetmi shtet sovran, i njohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe anëtar i Bashkimit Evropian. Në veri, Republika e vetëshpallur Turke e Qipros Veriore në vitin 1983, e cila mbulon 35% të ishullit dhe që njihet vetëm nga Ankaraja, e cila e mban atë nën mbështetje ekonomike, financiare, ushtarake dhe politike. Sa herë që ushtria serbe afrohet në kufi me Kosovën, rreziku i këtij skenari turk me Qipron shfaqet.
Ashtu si në situatën e Qipros (por dhe në Bosnjë), amerikanët po shfaqen totalisht të paaftë të gjejnë një zgjidhje dhe në rastin e Kosovës. E kishin fare kollaj amerikanët ta zmbrapsnin pushtimin turk të Qipros më 1974, qoftë me armë për ta mbrojtur Qipron greke, qoftë me sanksione ekonomike kundër Turqisë. Nuk e bënë sepse nuk donin të prisheshin me Turqinë që u shërbente si barrierë ndaj ish-Bashkimit sovjetik, ashtu siç u shërben Erdogani sot si garanci krahut juglindor të NATO-s kundër Putinit. Në Bosnjë dhe në Kosovë është e njëjta dilemë sot për ndërkombëtarët me Vuçiçin. E kanë fare kollaj ta zmbrapsin Serbinë nacionaliste edhe në Republika Serbska edhe në Mitrovicë, t’ia ulin Beogradit kokën me sanksione ekonomike ose me ndalimin e qarkullimit pa viza për serbët në Europë, por nuk e bëjnë sepse zemër te Ballkanit, ashtu si Turqia midis dy kontinenteve, Serbia u shërben si pikë mbështetjeje që Rusia të mos instalohet me bazë ushtarake në Ballkan.
Në këtë skenar, Serbia mund të fitojë shumë vite kohë duke marrë Veriun për veten e saj që tani, dhe duke shpresuar për gjithë gjithë Kosovën një ditë. Pas këtij Vuçiçi mund të vijë një tjetër që do bëjë të njëjtin shantazh si Erdogan për “kundëraleancë” ushtarake me Rusinë.
Kosova është shndërruar tashmë qartazi në një konflikt të ngrirë pa njohje reciproke dhe pa autoritet të Shtetit të Kosovës mbi Veriun e saj. Dhe këtu fle kurthi i Vuçiçit me asociacionin. Po nuk u pranua, Kosova prishet me Perëndimin. Po u pranua, Kosova i futet skenarit të institucionalizimit të shkëputjes së Veriut.
MUNGESA E GARANCIVE AMERIKANE KUNDËR NJË SKENARI TË SHKËPUTJES SË VERIUT
Dilema e kosovarëve në lidhje me “asociacionin” bëhet dhe më e ndërlikuar, kur konstaton se dhe vetë aleati kryesor që mishëron mbrojtjen e interesave të Kosovës, SHBA-të, nuk japin në këtë moment asnjë garanci se çfarë mund të ndodhë më pas në veri pas pranimit të asociacionit nga qeveria e Kosovës. Në një intervistë të negociatorit amerikan Gabriel Eskobar induktohet biles një mesazh i frikshëm se gjithçka mund të ndodhë dhe pas asociacionit. Kjo shihet qartë në përgjigjen ndaj kësaj pyetje që i bëhet Gabriel Eskobarit nga shtypi austriak (Die Presse):
“Pyetje – Serbia kërkon themelimin e një asociacioni serb të komunave në Kosovë. Kosova e refuzon këtë nga shqetësimi se mund të çojë në një republikë të re serbe…
Gabriel Eskobar: … Asociacioni Serb i Komunave duhet të krijohet sepse është angazhim ndërkombëtar i Kosovës. Por nëse Kosova nuk dëshiron një Republikë të re Serbe si Bosnja, duhet të na japë një ide se çfarë dëshiron. Na thanë atë që nuk duan. Tani ata duhet të na thonë se çfarë duan”.
Kjo deklaratë u lejon amerikanëve të dalin “të mbuluar” nëse nesër “asociacioni” në Kosovën Veriore devijon në një format Republika Serbska bis. Për amerikanët faji do të jetë i kosovarëve në të dyja rastet: kosovarët e kanë gabim po mos ta bëjnë asociacionin. Por edhe po e nënshkruan Asociacionin kosovarët do ta kenë sërish gabim nëse hartojnë një tekst jo siç duhet për asociacionin domethënë që do t’u linte shumë pushtet serbëve të Veriut. Po atëherë si të gjendet “e mesmja e artë” që “mishi të piqet, por helli të mos digjet” siç e thotë një proverb shqiptare? A nuk do të ishte më e thjeshtë që miqtë amerikanë dhe ata europianë të Kosovës, me përvojë dhe ekspertizë të jashtëzakonshme në hartime tekstesh të tilla ta propozojnë ata vetë një draft për “Asociacionin”? Le ta bëjnë ata vetë projektin e Asociacionit por me garancinë se po të pranohet teksti i tyre nga qeveria Kurti nuk do të ndodhë kurrë skenari i një Republika serbska në veri të Kosovës. Askush nga perëndimorët nuk e jep këtë garanci sot sepse nuk do të ishte e besueshme pas asaj që po shohim se ç’po ndodh në Bosnie. Perëndimorët i kane të gjitha aftësitë ta hartojnë nje teskt të tillë siç e treguan me planin franko-gjerman per normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd . Ai tekst u hartua tërësisht nga Perëndimi dhe jo nga palët ne lojë. Kështu le të ndodhë dhe me Asociacionin dhe t’i jepet me pas për votim Popullit të Kosovës me referendum!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al