Digjet fabrika e plastmasit, dëmi 10 milionë euro

Jul 21, 2011 | 11:12
Forcat zjarrfikëse, duke shuar zjarrin në fabrikën e plastmasit në Tiranë

Një zjarr i fuqishëm shkatërroi një prej fabrikave më të mëdha të prodhimit të plastmasit tek ish-Poligrafiku, në Tiranë.Për rreth 3 orë, magazinat e një godinë 2-katëshe të subjektit “Arbeas sh.p.k”, me materiale druri, plastike, duralumini etj. janë shkrumbuar pothuajse plotësisht nga zjarri që paraprakisht dyshohet të jetë shkaktuar nga një shpërthim në rrjetin e amortizuar elektrik. Fatmirësisht, ndërhyrja në kohë e 12 zjarrfikëseve të Tiranës dhe Durrësit dhe forcave të policisë kanë arritur të shpëtojnë nga flakët fabrikat e tjera përreth godinës, si dhe Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, që ndodhet shumë pranë saj. Pas shuarjes së zjarrit, grupi hetimor ka zbuluar vatrën e zjarrit, që mësohet të ketë qenë në katin e dytë të fabrikës, ku prodhoheshin etiketa për shishet plastike. Në vendin ku ka rënë zjarri, rreth orës 11:10, ndodheshin disa punonjës, dy prej të cilëve janë asfiksuar nga tymi, por pas mjekimit kanë kaluar rrezikun për jetën. Sipas kalkulimeve paraprake të kryera nga pronari i subjektit të dëmtuar, rezulton se dëmi i shkaktuar nga zjarri i djeshëm të jetë rreth 10 milionë euro. Por fatmirësisht, sipas burimeve, rezulton që kompania ka qenë e siguruar dhe ekziston mundësia e rimëkëmbjes.
Zjarri ne fabrike
Një zjarr i madh ka shpërthyer rreth orës 11:10 në një fabrike plastmasi në zonën e “Ali Demit”, pranë ish-Poligrafikut, në Tiranë. Drejt vendit të ngjarjes janë dërguar me urgjencë 12 makina zjarrfikëseje të Tiranës dhe Durrësit, të cilat kanë nisur të shuajnë flakët gjigante që po përpinin ndërtesën. Flakët kanë startuar në ambientet e fabrikës “Arbeas sh.p.k” pas një shpërthimi në rrjetin elektrik. Por, megjithatë grupi hetimor që po verifikon shkaqet e zjarrit, nuk e përjashton edhe mundësinë e një zjarrvënieje të qëllimshme. Përmasat e mëdha të zjarrit kanë bërë që në vendngjarje të shkojnë edhe forca të shumta policie dhe një ambulancë. Fabrika e plastmasit “Arbeas sh.p.k” është një prej më të mëdhave në Tiranë, që e ka nisur aktivitetin që prej vitit 1995 dhe vazhdon të ketë status aktiv, jo vetëm në prodhimin e materialeve plastike, të drurit dhe duraluminit, por edhe në blerje e shitje të materialeve industriale, hidrosanitare etj. Një grup hetimor është ngritur për të hetuar shkaqet e rënies së zjarrit, ndërkohë që ka filluar marrja në pyetje e dëshmitarëve që ndodheshin në vendngjarje.

Fabrika e djegur

Objekti i subjektit tregtar që u shkatërrua dje nga flakët, është blerja dhe shitja e mallrave industrialë, elektroshtëpiake, ushqimorë, materialeve të ndërtimit, brenda dhe jashtë vendit, me shumicë dhe pakicë. Prodhime e montime objektesh duralumini, metalike, plastike, si dyer, dritare, banakë dhe aksesorë të tjerë ndërtimi për shtëpi e mjedise të tjera dhe riparime pajisjesh elektroshtepiake.

Kushtet e sigurise

Nga të dhëna jozyrtare, rezulton që në ambientet e fabrikës që u përfshi nga flakët, është kryer një kontroll nga zjarrfikësit dhe përfaqësues të tjerë të Dhomës së Tregtisë dhe Konfindustrisë. Mësohet se kontrolli është kryer për të verifikuar nëse biznesi i  plotësonte kushtet e sigurisë në punë, që nga roja e deri te një stacion zjarrfikës pranë ndërtesave, por ende nuk bëhen të ditura rezultatet e këtij kontrolli.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura