
Gjykata e Dibrës pranon kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për të nxjerrë jashtë grevës minatorët e ngujuar në galerinë 14 të minierës së Bulqizës.Pas dy ditësh nga kërkesa që METE, nëpërmjet Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, iu drejtua Gjykatës së Dibrës, kjo e fundit vendosi ndërprerjen e grevës. Nga ana e METE-s ishte kërkuar që të zhbllokohet kjo situatë e rrezikshme, e krijuar në ambientet e brendshme të minierës së Bulqizës për shkak të organizimit të grevës së urisë nga një grup minatorësh. “Kjo bëhet me qëllim mbrojtjen e jetës së minatorëve dhe interesave pasurore të shtetit në minierë. Ndërprerja e punës në minierë për shkak të kësaj greve ka krijuar rreziqe serioze për jetën dhe shëndetin e grevistëve. Gjithashtu, nga ndërprerja e punës në minierë, shtetit shqiptar po i shkaktohen dëme të pallogaritshme ekonomike dhe financiare, pasi nuk mirëmbahet miniera”, bëhet e ditur në deklaratën e METE-s. Bazuar dhe në një raport të specialistëve të Repartit të Inspektim-Shpëtim Miniera, rezulton se moskryerja e veprimtarive jetike për mirëmbajtjen e minierës përbën bllokimin e saj, duke krijuar shembje të punimeve minerare dhe shkatërrimin e makinerive të instaluara në minierë, të cilat arrijnë një vlerë të konsiderueshme financiare. Pikërisht mbi këtë kërkesë, me datë 17 gusht, Gjykata e Dibrës mori vendimin e ndërmjetëm, me anë të të cilit vendosi që të pranojë faktet e paraqitura nga Ministria e Ekonomisë. Sipas vendimit të Gjykatës, lejohen specialistët që kanë lidhje me marrjen e masave për eliminimin e rreziqeve për jetën dhe shëndetin e minatorëve në minierë. Nisur nga këto të dhëna, Gjykata vendosi nxjerrjen e minatorëve grevistë nga ambientet e minierës së Bulqizës. Bazuar te vendimi i marrë të mërkurën, ditën e djeshme METE u kërkoi zyrtarisht strukturave përgjegjëse zbatimin e tij. Të pyetur dje nga gazeta si presidenti i Sindikatave, Kol Nikollaj, ashtu dhe drejtori i Policisë Dibër, Artan Hasanaj, u shprehën se ata nuk disponojnë një vendim gjyqësor, por thanë se këtë e kanë mësuar nga mediat.
Minatorët ngrenë “grupet e gatshme”
Lajmi se Gjykata ka vendosur pezullimin e grevës dhe se policia do të ndërhyjë për zbatimin e tij ka krijuar tjetër situatë për minatorët. Është mbledhur me urgjencë komisioni i grevës dhe këshilli sindikal dhe kanë vendosur që të shtojnë shërbimet në afërsi të minierës, sidomos në hyrje të galerisë kryesore. Taf Koleci, njëri nga eksponentët kryesorë të Konfederatës, tha se prej javësh minatorët bëjnë roje me turne pranë grevës së urisë. “Nuk ka polici e forcë të na mposhtë në të drejtën tonë”, deklaroi ai.
Minatorët bllokojnë rrugën, ulen fëmijë e gra në asfalt

BULQIZE – Minatorët dhe familjarët e tyre kanë protestuar sërish dje, duke bllokuar për disa orë rrugën nacionale, në mbështetje të grevës së urisë që po zhvillohet në nivelin 14. Prej orës 09:00 deri në orën 11:00, qindra banorë, fëmijë, gra e burra kanë bllokuar rrugën nacionale në dalje të saj, në vendin e quajtur “Kthesa e 41-shit”. Megjithëse policia lokale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ndërtuar kordonë me efektivët e tyre, protestuesit kanë mbajtur të bllokuar rrugën për të paktën dy orë. Fëmijët e minatorëve dhe ish-minatorët grevistë të urisë që kanë dalë tri ditë më parë nga nëntoka ishin ulur në asfalt dhe nuk lejonin lëvizjen e makinave në aksin nacional Peshkopi-Tiranë. Forcat e policisë herë janë përpjekur t’i bindin sindikalistët dhe protestuesit se po ndërmarrin një akt të paligjshëm e duhet ta lironin rrugën kryesore, herë janë përpjekur të përdorin forcën për t’i larguar ata. Protestuesit janë bërë dëshmitarë të përdorimit të dhunës mbi minatorët dhe familjarët protestues, ndërkaq që dje revolta ishte më e madhe sesa ditët e tjera. Pasi kanë qëndruar të paktën dy orë në segmentin Qafa e Buallit-Karburanti, në hyrje të qytetit, grumbulli i protestuesve ka bërë një ndalesë tjetër në afërsi të spitalit lokal, duke bllokuar makinat të hyjnë apo të dalin nga qyteti. Shumë prej minatorëve lëshonin thirrje kundër firmës austriake dhe kërkonin zgjidhjen e shpejtë të kërkesave të tyre ekonomike. Zyrtarë të policisë lokale kanë negociuar me protestuesit që të lironin rrugën drejt spitalit të qytetit, pasi kështu po pengonin ambulancat drejt urgjencës së spitalit të Bulqizës. Drejtuesit e këshillit sindikal iu bindën policisë dhe e spostuan turmën drejt sheshit “Minatori”, përballë Bashkisë Bulqizë. Për afro një orë para godinës së Bashkisë, duke u bërë thirrje autoriteteve lokale, kryebashkiakut, nënprefektit dhe zyrtarëve të tjerë të bashkohen me minatorët dhe familjet e tyre, pasi situata në Bulqizë po del jashtë kontrollit. Rreth orës 14:00 protesta është spostuar në mjediset e ACR-së, pranë galerisë kryesore ku kanë hyrë grevistët e urisë.
“ACR të ndalë presionet mbi Sindikatën”
Disa organizata joqeveritare janë vënë dje në mbrojtje të të drejtave të minatorëve të Bulqizës. Kryesisht të rinj, kanë udhëtuar nga kryeqyteti deri në hyrje të galerisë kryesore dhe janë shprehur se aktualisht burimet natyrore të vendit tonë po shfrytëzohen padrejtësisht, ndërkohë që minatorët po rrezikojnë jetën çdo ditë. “Kjo po ndodh jo vetëm nga natyra e pashmangshme e punës që kanë, por edhe nga mungesa e investimeve bazë në infrastrukturën e minierës, nga mungesa e mjeteve te nevojshme për punë. Për më tepër, këmbëngulja e ACR-së për të negociuar me persona të zgjedhur nga ajo vetë është minimalisht e dyshimtë, për të mos folur se sa shpërfillëse dhe dobësuese është për struktura, si sindikatat, që në Shqipëri duhen forcuar dhe reformuar”, shkruhet në deklaratën e këtyre organizatave.
14 minatore
ndodhen aktualisht në grevë urie në galeritë e nëntokës së Bulqizës. Dhjetë prej tyre u zëvendësuan 4 ditë më parë nga 10 të tjerë, pas rreth 3 javësh ngujimi
1 muaj
e gjysmë kanë kaluar që nga mbyllja totale e minierës së Bulqizës dhe bllokimi i aktivitetit të saj nga ana e minatorëve protestues e më pas atyre të izoluar në grevën e urisë
700 minatore
janë përfshirë në protestën masive kundër ACR-së, duke reaguar në këtë mënyrë për mosrealizimin e kërkesave të tyre në lidhje me investimet në minierë dhe pagesat
Protestat
Ndërprerja e punës në minierën e Bulqizës nisi më 4 korrik 2011. Atë ditë, këshilli sindikal i minatorëve iu drejtua ACR-së me këto kërkesa: rritje të pagës 20%, nisjen e thellimit të pusit të ri, përmirësimin e kushteve të punës, largimin e subjekteve të palicencuara nga miniera. Sipas sindikatës, 700 minatorët do të riktheheshin në punë pasi të merrnin përgjigje pozitive nga ana e ACR-së.
Tiranë
Nga data 18 deri më 22 korrik gati 300 minatorë protestuan për pesë ditë në rrugët e kryeqytetit, para Kryeministrisë, Ministrisë së Ekonomisë, ACR-së. Megjithëse u strehuan në rrugë përgjatë 4 ditë dhe netëve, në shenjë proteste për mosreagimin mbi kërkesat e tyre, ata u rikthyen në Bulqizë pa asnjë zgjidhje, për të vazhduar në qytetin e tyre protestat masive, me rreth 700 punëtorë të të gjithë sektorëve.
Greva
Greva e urisë nisi më 25 korrik, pas dështimit të çdo mundësie për një zgjidhje për minatorët e Bulqizës. Fillimisht u njoftua se në thellësitë e galerisë 14, rreth 1400 metra nën tokë, kishin hyrë 20 minatorë, por pas dy ditësh u mësua se në galeri ishin 16 grevistë. Aktualisht në nivelin 14 janë ngujuar 10 minatorë. Ata kanë ndërprerë çdo komunikim me jashtë dhe kanë bllokuar ashensorin që të çon në këtë nivel.
Negociatat
Kanë dështuar herë në nisje e herë pasi nuk janë përkrahur nga të gjithë minatorët. Fillimisht ka qenë administratori i ACR-së, i cili ka lënë në baltë minatorët që e prisnin në Bulqizë. Më pas ai kërkoi takim në Peshkopi, çka nuk u pranua nga minatorët dhe rreth një javë më parë ai takoi në Tiranë një përfaqësi të tyre. Por, sipas kreut të Sindikatave, ata nuk ishin përfaqësues të zyrtarizuar të Sindikatës së Minatorëve.
RISHM
“Policia të nxjerrë me forcë minatorët grevistë nga miniera”. Kjo ishte deklarata e drejtorit të Repartit të Shpëtim-Minierave, Sajmir Zekaj, bërë një javë më parë. Ai kërkoi që atë ditë ndërhyrjen e specialistëve, pasi po rrezikohej miniera. Ajri është në kufijtë minimalë të lejuar, ndërsa punimet e nënkateve në nivelet 15-16 kanë filluar shembjen e armatimit prej druri në segmente të veçanta.
Kërkesat e minatorëve
1- Rritje të pagës me
20 për qind
2- Heqjen e taksës së sheshtë
3- Kryerjen e investimeve në minierë
4- Largimin e subjekteve
të palicencuara nga
territori i ACR
5- Largimi i drejtorit të minierës, Medat Zogu
Çfarë ofron ACR
1- Rritjen e pagës me 20 për qind mbi pagën bruto
2- Kryerjen e investimeve në minierë dhe transparencë në realizimin e tyre
3- Krijimin e Sindikatës së Re të Punëtorëve të Minierës së Bulqizës
4- Largimin nga drejtimi i Sindikatës të
Kol Nikollajt
ACR-ja ofron “paqe” me minatorët

Kompania austriake ACR ofron një “memorandum mirëkuptimi” për minatorët e Bulqizës pas 1 muaji e gjysmë paralizimi të punës.Me anë të një njoftimi për shtyp bëhet i ditur ky memorandum i përpiluar me 5 nene dhe firmosur nga administratori i ACR-së, Giga Bedineishvili, si dhe pesë minatorë, që sipas kompanisë së huaj përfaqësojnë “Këshill përfaqësimi të punëtorëve të ACR-së në minierën e Bulqizës”. Bazuar në këtë draft-memorandum (që ka bosh vendin ku shënohet data e firmosjes, ku do të shënohet çdo punëtor), theksohet fakti se “qëllimi i memorandumit është t’i japë fund grevës së urisë që vazhdon në nivelin e 14-të të minierës së Bulqizës, si dhe në objektet e tjera të kësaj miniere”. Nga ana e saj, ACR-ja shprehet e gatshme për të plotësuar kërkesat e minatorëve: për të rritur pagat e tyre bruto me 20%, duke filluar nga data e nënshkrimit të këtij memorandumi; për të bërë transparent nivelin dhe progresin e investimeve të parashikuara në Kontratën e Koncesionit sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare; përmirësimin e kushteve të punës dhe transparencë të plotë për çdo veprim. Por, nga ana tjetër, kompania pranon që të realizojë këto kërkesa dhe madje të përfshijë investimin për një zyrë për “Sindikatën e Re të Minatorëve të minierës Bulqizë”. Gjithashtu, sipas saj, çdo punëtor që do të firmosë nuk do të realizojë veprime të dhunshme ose mosveprim tjetër që cenon interesat e ligjshëm të ACR-së. Pas bërjes publik të këtij memorandumi nga ana e ACR-së, situata është tensionuar sërish në qytetin e minatorëve. Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Kol Nikollaj, ua ka bërë atyre të ditur këtë fakt, bashkë me vendimin e gjykatës së Dibrës për të nxjerrë me forcë nga galeritë minatorët grevistë. Kreu i Konfederatës ka njohur minatorët me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër dhe draft-memorandumin e ACR-së. Të dyja këto janë hedhur poshtë nga minatorët, madje ata kanë shtuar vigjilencën për të mos lejuar policinë të ndërhyjë për zbatimin e vendimit të gjykatës Dibër. Kol Nikollaj deklaroi se minatorët nuk mund të jenë dakord me këtë memorandum, pasi ai nuk ka në vetvete asnjë fuqi ligjore. Gjithçka sipas tij zgjidhet me kontrata pune ligjore dhe protokoll marrëveshjeje. “ACR nuk mund të na sfidojë me pseudosindikata, pasi ato zgjidhen nga vetë minatorët dhe jo nga punëdhënësit. Kjo është një lojë e rrezikshme e ACR-së, e cila është kuptuar prej javësh nga minatorët”, tha Nikollaj.
Këshilli
ACR-ja ka bërë të ditur dje në projekt-memorandumin e mirëkuptimit se për të kanë rënë dakord dhe një Këshill Përfaqësimi i Punëtorëve të ACR-së në minierën e Bulqizës. Bëhet fjalë për Sadik Kamishin, Tush Asllanin, Shukri Çupin, Fiqiri Shkinën dhe Afrim Dishën. Këta persona kanë qenë dhe në takimin e zhvilluar në Tiranë me administratorin e ACR-së, ndërkohë që nuk njihen tashmë nga ana e Konfederatës së Sindikatës së Minatorëve.
“Paqe absolute”
“Detyrim për paqe absolute kundrejt ACR”. Kështu është cilësuar në një nga pikat e memorandumit sjellja e punëtorëve të minierës ndaj përfaqësuesve të ACR-së. Cilido nga punonjësit që do të firmosë këtë memorandum dhe do të përfitojë nga përcaktimet e kushtet e vendosura, do të marrë përsipër detyrimin që të mos përfshihet në asnjë veprim dhune apo çdo veprim a mosveprim tjetër që dëmton interesat e ligjshëm të ACR-së.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











