Dialogu, Stefanoviç: Mund të flitet dhe për veriun

Jul 5, 2012 | 18:55
Ushtarë të KFOR-it ne veri te Kosoves

UPDATE- Zyrtarët në Beograd thonë se ka një disponim te komuniteti ndërkombëtar që të hapet për diskutim me Prishtinën çështja e veriut të Kosovës.

Kryenegociatori i deritashëm në bisedimet me Prishtinën, Borisllav Stefanoviç thotë se në takimin e fundit që ka zhvilluar në Beograd me zëvendës-ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit, Filip Riker nuk është biseduar konkretisht për veriun, por për vazhdimin e dialogut, temat dhe zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura.

Megjithatë, sipas tij, te komuniteti ndërkombëtar ka një pajtim që të hapet për diskutim edhe çështja e veriut të Kosovës.

​​“Ka një pajtim se veriu i Kosovës është një problem kyç dhe se në këtë aspekt duhet bashkëpunuar me Prishtinën dhe mendoj se ka gjasa që këto gjera të vështira të rregullohen”, ka thënë Stefanoviç.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës të enjten nuk kanë komentuar zhvillimet që priten në raport me bisedimet me Serbinë.

Sipas tyre, javën e ardhshme Kosovën pritet që ta vizitojnë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe vetëm atëherë do të mund të dihet më mirë fati i vazhdimit të dialogut.(rel)

© Panorama.al

Te lidhura