Dialogu Prishtinë-Beograd, serbët: Jemi akoma më larg

Feb 23, 2012 | 12:46

Stefanoviç e Tahiri

Ekipi kosovar hesht për gazetarët para e pas takimit, dialogu  edhe sot.

Dialogu mes Prishtinës e Beogradit në Bruksel për çështje të mbetura pezull, si përfaqësimi rajonal i Kosovës, u zhvillua dje pa ndonjë rezultat dhe pritet të vazhdojë edhe sot, me pak shpresa për marrëveshje. Dialogu ishte parashikuar i vështirë, por pas takimit të djeshëm, kreu i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviç, ka deklaruar se pozicionet e të dy palëve janë edhe më të largëta. Ai tha se pala serbe do të bëjë gjithçka është e mundur për të arritur marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe se Serbia i mbetet besnike qëndrimit që në përfaqësimet rajonale të gjendet një zgjidhje e pranueshme, në përputhje me rezolutën 1244. Stefanoviç tha para gazetarëve se zgjidhja për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale do të jetë duke marrë parasysh Kushtetutën e Serbisë, rezolutën 1244 dhe Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por pa hedhur poshtë mundësinë që të përmendet edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës. Sipas Bashkimit Europian, një arritje e marrëveshjes do të ishte në të mirë të të dyja palëve, sepse Serbisë i ndihmon për statusin, ndërsa Kosovës për nismat rajonale. BE-ja ka njoftuar se takimi dje ka zgjatur gjatë gjithë ditës. Palët janë afruar shumë në qëndrime rreth dy pikave: zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, si dhe për marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal. Delegacioni i Kosovës nuk është prononcuar për mediat as para e as pas nisjes së takimit. Pala kosovare është pajtuar që të shkojë me formulën e përmendjes së rezolutës 12 44, Deklaratës së GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar se “Situata është më e keqe sesa mbrëmë, për shkak të mënyrës se si Prishtina i propozon zgjidhjet”, duke shtuar se propozimi kosovar është jashtë çdo realiteti.

Serbia nuk shpall zgjedhje në Kosovë
Kryetarja e Parlamentit serb, Sllavica Gjukiç Dejanoviç, tha se mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është “një çështje delikate për shkak të bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar”. “Ka disa segmente të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, që kërkon bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar”, i tha ajo të përjavshmes “Novi”. “Është e vërtetë se sipas Kushtetutës, Serbia ka obligimin për të shpallur zgjedhje në të gjithë territorin e republikës”, tha ajo. Por e përjavshmja ka raportuar se deklarata ishte që nuk do të shpallë zgjedhje në Veri të Kosovës. Dejanoviç e mohoi këtë deklaratë, duke thënë se e përditshmja i ka keqinterpretuar fjalët e saj. Refuzimi i të ashtuquajturave institucione paralele praktikisht nis me mosmbajtjen e zgjedhjeve në Veri të Kosovës, gjë që është kërkuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjashtë muaj më parë. Sipas gazetës, kjo lëvizje politike tregon se Beogradi pa dyshim është drejtuar nga përmbushja e të gjitha obligimeve që KE ka vendosur në dhjetor.

© Panorama.al

Te lidhura