PRISHTINE- Çështja e funksionimit të dy pikave doganore në veri të Kosovës do të jetë temë e diskutimit të radhës në tavolinën e “dialogut teknik” mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas burimeve ndërkombëtare, Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic do të ulen në tavolinën e bisedimeve në ditët e para të muajit shtator për t’u përpjekur të gjejnë zgjidhjen e problemit të funksionimit të doganave në veri të vendit, të cilat javët e fundit edhe ishin në qendër të trazirave në veri.
Negociatori serb, Stefanovic, i cili javët e fundit duket se ka qëndruar më tepër në veri të Kosovës sesa në Beograd dhe ka “menaxhuar” turmat e serbëve që kanë vendosur barrikadat nëpër rrugë, dhe zëvendëskryeministrja kosovare, e cila për dallim nga Stefanovici ka qenë shumë më pak aktive, thuhet se janë duke u konsultuar vazhdimisht nga lehtësuesi evropian i bisedimeve, Robert Cooper.
Gazeta “Koha Ditore”, qe raporton sot lajmin shkruan se burime ndërkombëtare kanë shpjeguar se nga palët do të kërkohet që të diskutojnë për funksionimin e të dy pikave doganore, ngaqe marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës, KFOR-it dhe Qeverisë së Serbisë është e përkohshme – e menduar të mbajë situatën nën kontroll deri nga mesi i shtatorit.
Ajo që përfaqësuesit ndërkombëtarë po kërkojnë është një rol më të vendosur të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare, në mënyrë që palët të lëvizin nga qëndrimet e tyre. Një mundësi e mirë në këtë drejtim, sipas burimeve, mund të jetë vizita e ardhshme e kancelares gjermane, Angela Merkel, në Beograd.
Po ato burime kanë shpjeguar se nëse nuk ka lëvizje konkrete deri në mesin e muajit shtator, KFOR-i do të vazhdojë të mbetet atje, por shtojnë se mbajtja e dy pikave kufitare si zona ushtarake nuk mund të zgjasë përgjithmonë.
Mospajtimet për mënyrën e funksionimit të të dy pikave doganore, por edhe për transportin e mallrave, Prishtina dhe Beogradi i kanë shfaqur edhe të hënën.
Qeveria e Kosovës ka refuzuar idenë e hedhur nga Beogradi që për transportimin e mallrave të përdoren vula që kanë kuptim të dyfishtë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se Beogradi e di fare mirë se çfarë duhet të bëjë për të zhbllokuar transportimin e mallrave.
“Qëndrimi ynë sa u përket vulave është i qartë dhe i deklaruar disa herë. Serbia duhet t`i pranojë vulat e Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.
Sipas tij, Kosova e ka vetëm një zgjidhje edhe sa i përket funksionimit të dy pikave kufitare. “Zgjidhja e Qeverisë së Kosovës për të dy pikat është krijimi i rrethanave për dërgimin dhe funksionimin normal të doganierëve në mënyrë që aty të vihet rendi kushtetues”, ka thënë Kuçi.
Kuçi tha edhe se Serbia nuk do të pyetet për një gjë të tillë. Megjithatë, ka thënë Kuçi, për shkak të rrethanave të sigurisë Qeveria e Kosovës do t`i bëjë veprimet në koordinim me KFOR-in.
Ideja e Beogradit që kalimi i mallrave mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet me vula dykuptimëshe së pari është lansuar nga mediat serbe e pastaj edhe nga zyrtarë në Beograd.
Sipas këtij propozimi të Serbisë, vula e Kosovë do të jetë dy në një. Në njërën anë të saj do të shkruaj “Dogana Kosovës” e në tjetrën “UNMIK-Shërbimi Doganor i Kosovës”, ose “EULEX- Shërbimi Doganor i Kosovës”.
Kryenegociatori serb, Borislav Stefanovic, ka thënë se ky është vetëm një propozim. “Mendoj se kjo është një nga gjërat që paraqitet si ide. Pritet të shihet në fillim të shtatorit në raundin e ri të bisedimeve sesi do të zgjidhim këtë gjë. Ajo që është e sigurt, që e kemi thënë disa herë deri tash, është se ne pranojmë vulën që është në përputhje me rezolutën 1244, që është neutrale ndaj statusit dhe dokumentacionin që është neutral ndaj statusit”, ka thënë Stefanovic.
Përveç zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, propozimin e ri të Beogradit e ka kundërshtuar edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila.
Ministrja, që është edhe zëvendëskryeministre, ka thënë për “Evropën e Lirë”, se vulat doganore të Kosovës kanë qenë të pranuara nga të gjitha vendet e BE-së dhe anëtareve tjera të CEFTA-s. “Mendoj se ky problem pa asnjë meritë është shndërruar në problem politik në momentin kur Serbia ka tentuar në mënyrë të vazhdueshme të bëjë obstruksione politike me efekt ekonomik për ekonominë e Kosovës për këta tre vjet. Ajo që ka ndodhur deri tash, mospranimi i vulave ka qenë shkelje e vazhdueshme e rregullave të CEFTA-s, pasi që flasim për një vulë që ka qenë e pranuar nga të gjitha vendet e BE-së dhe nga vendet tjera anëtare të CEFTA-s, prandaj nuk shohim asnjë arsye për të ofruar zgjidhje ose forma të reja të aplikimit të vulës”, ka thënë Kusari-Lila.
© Panorama.al











