Dialogu me Serbinë, po punohet në nivele të ulëta

Aug 28, 2012 | 10:00

PRISHTINE- Deri më 4 shtator nuk do ketë zhvillime të reja sa i përket dialogut Kosovë- Serbi pasi në atë kohë shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton pritet të takojë kryeministrin e ri të Serbisë, Ivica Daçic. Ky takim sipas të gjitha gjasave do të jetë perfundimtar për fatin dhe formën e dialogut, por jo më pak edhe fatin e marrëveshjeve të arritura nga dialogu që ka filluar marsin e vitit të kaluar.

Gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, të gjithë ambasadorët perëndimorë e kanë nënvizuar shumë herë nevojën e implementimit të marrëveshjes për “Menaxhim të integruar të kufijve/Pikave të Kalimit”, IBM. Mesazhi ka qenë shumë i qartë për kryeministrin serb, Ivica Daçic pasi siç ka raportuar edhe gazeta Zëri më 14 gusht, Serbia ka qenë shumë afër heqjes dorë nga kjo marrëveshje në përgjithësi. Këtyre mesazheve pritet t’u japë vulën përfundimtare baronesha Ashton gjatë takimit me shefin e qeverisë serbe, Daçic.

Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Ashtonit, i ka thënë “Zërit” se Daçicit, njësoj siç ka ndodhur me Thaçin kur ka vizituar Ashtonin në korrik, do t’i hiqen të gjitha dyshimet se si qëndron puna me marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe atë për kufijtë.

“Ky ka qenë mesazhi që i është dhënë kryeministrit Hashim Thaçi kur ai e vizitoi Brukselin në korrik dhe i njëjti do i jepet edhe kryeministrit Ivica Daçiq kur ai na viziton në shtator”, ka thënë Kocijançiq.

© Panorama.al

Te lidhura