Kuper mirëpret ‘gatishmërinë e Beogradit’

Jun 20, 2012 | 20:43

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet Prishtinë-Beograd, Robert Kuper ka mirëpritur “gatishmërinë e palës serbe që me bisedimet e nivelit të lartë, të zgjidhen problemet në Kosovë”. Lajmin e raportojnë mediat serbe, duke iu referuar takimit te sotem ne Beograd mes Kuper dhe këshilltarit te presidentit të Serbisë, Marko Gjuric.

Në deklaratën që ka lëshuar Presidenca serbe pas takimit thuhet se “bisedimet e deritashme janë element i rëndësishëm për arritjen e konsensuseve ndërmjet faktorëve politikë në Serbi”.

“Ky është njëri nga synimet e presidentit të Republikës dhe parakusht thelbësor për realizimin e interesave të Serbisë në Kosovë”, transmeton Presidenca serbe deklaratën e Gjuricit.

Më herët, shefi i delegacionit serb në bisedime, Borisllav Stefanovic, ka thënë se dialogu teknik me Prishtinën ka dhënë rezultate konkrete, porse “tash në radhë janë çështjet politike, si veriu i Kosovës, mbrojtja e serbëve në jug të Lumit Ibër, statusi i manastireve dhe kishave serbe dhe pronat”.

Pas Beogradit, Kuper do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takojë shefen e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri.

Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të vazhdojnë pas formimit të Qeverisë së re të Serbisë.

© Panorama.al

Te lidhura