Di Mateo: Më largojnë edhe po munda Bajern

May 11, 2012 | 13:06

Roberto Di Mateo

Te Mançester Siti Mançini bën gati “fshesën”, 8 lojtarë të padëshiruar.

Me valixhe në dorë edhe Luis Enrike: Do iki nga Roma.

Trajneri i Çelsit, Di Mateo, është i sigurt se do ta shkarkojnë në fund të këtij sezoni. Nga ana tjetër, Luis Enrike e konfirmoi se nuk ka më vend për atë te Roma, ndërsa Mançini te Siti bëhet gati për merkato largimesh.
Pasi ka tentuar më shumë se një herë që të flasë me drejtuesit e Çelsit për përgatitjet e sezonit të ardhshëm dhe në këmbim ka marrë vetëm heshtjen, Roberto Di Mateo e ka mësuar fatin e tij: Ai do të largohet nga Roman Abramoviç pas finales së Champions-it më 19 maj, edhe në rast se do të ngrejë trofeun në “Alianc-Arena”. Tabloidi “The Sun” citon një burim të afërt të trajnerit italian.  “Robi do të bëjë të pamundurën për ta shpallur Kampion Europe Çelsin, edhe pse e di që fati i tij është vendosur. Ai është përpjekur të flasë me hierarkinë e klubit për përgatitjen e sezonit të ri, por nuk ka marrë ende një përgjigje. Kjo e ka bindur se ai nuk do ta marrë kurrë statusin e trajnerit të përhershëm pas shkarkimit të Vilas Boasit, më 4 mars, edhe pse fitoi “FA Cup” dhe e dërgoi skuadrën në finalen e Ligës së Kampioneve. Është shumë i zhgënjyer për këtë vendim të klubit, sepse ka bërë një mrekulli me skuadrën që tekniku portugez la. Edhe pse ka mbështetjen e lojtarëve, kjo nuk ka rëndësi për presidentin Abramoviç, i cili vijon t’i qëndrojë idesë se në stolin e Çelsit duhet një emër i njohur i trajningut”, deklaroi përfaqësuesi i bluve të Londrës. Ndërkohë edhe Luis Enrike e ka vendosur: në përfundim të kampionatit, ai do të largohet nga Roma. Tekniku spanjoll ua ka komunikuar këtë vendim futbollistëve verdhekuq, gjatë stërvitjes së djeshme në qendrën stërvitore të Trigorias. Luis Enrike i mbajti pak minuta më shumë lojtarët e skuadrës kryeqytetase, duke u thënë se ai në përfundim të takimit ndaj Çezenës nuk do të jetë më trajner i ekipit. Spanjolli, i ulur mbi një top dhe i rrethuar nga lojtarët, i falënderoi dhe përshëndeti futbollistët, të cilët i drejtoi për një sezon. Ndërsa tjetër gjë mendon Roberto Mançini te Mançester Siti. Tetë lojtarë janë vënë në rreth nga trajneri italian dhe nuk do të luajnë më në “Etihad Stadium” në sezonin e ardhshëm. Mançini e ka bërë gati listën me emrat që priten t’i largojë këtë verë, pavarësisht nëse skuadra do të shpallet kampione apo jo ditën e diel. Kështu, Najxhel De Jong, Edin Xheko, Kolo Ture, Stefan Saviç dhe Adam Xhonson pritet t’u lënë vendin fytyrave të reja në skuadër. De Jongut i skadon kontrata sezonin e ardhshëm, dhe klubi nuk pranon t’i rrisë rrogën në kontratën e re. Ndërsa Xheko, blerja e bujshme në janar të 2011-s nga Volfsburgu, nuk shkëlqeu kurrë në Mançester. Edhe Adebajor, Brixh dhe Santa Kruz, të cilët janë të huazuar, pritet të largohen përfundimisht nga skuadra këtë verë. Por, nga ana tjetër, sheiku Mansur nuk do të mbetet pas në merkato. Pasi pritet rinovimi i Mançinit, në tavolinën e tij do vendoset një çek prej 120 milionë eurosh, me të cilin pritet të sigurohen 3 prej objektivave të skuadrës, Robin Van Persi, Garet Bejl dhe Eden Hazard.

© Panorama.al

Te lidhura