Propozimet e PS-së lidhur me ndryshimet në Kushtetutë u futën në kalendarin e Kuvendit pa më të voglin debat, a thua se gjatë verës nuk kish ndodhur asgjë me çështjen e imunitetit! Megjithatë, tashmë që u mor vesh rrjedha që do të marrë çështja e imunitetit dhe ndryshimeve të tjera kushtetuese, ia vlen t’i kthejmë sytë nga ajo që ndodhi javët e fundit dhe se cilat mund të jenë pasojat politike për secilin prej kampeve. Së pari, vlen të theksojmë faktin se t’i dhurosh betejat politike kundërshtarit në qeveri, madje më pak se një vit përpara përfundimit të mandatit të dytë qeverisës, kjo mund t’i ndodhë vetëm kreut aktual të opozitës në Shqipëri. Pasi ka kundërshtuar atëherë kur nuk duhet dhe ka aprovuar papritur marrëveshje politike të rëndësishme, deri në ndryshime të Kushtetutës, Rama i dhuroi në këtë fundverë kreut të maxhorancës mundësinë që të shprehej i gatshëm për të dalë përpara publikut me kërkesën për t’u përballur me votë. Duke e sfiduar për ballafaqim publik vetëm disa muaj përpara se të nisë fushata zgjedhore, Berisha në fakt pati mundësinë t’u dërgonte mesazh shumë shqiptarëve se është i gatshëm të votohet përballë kundërshtarit të tij politik edhe pas 7 vitesh në qeverisje. Afërmendsh që parë në shumë këndvështrime, qoftë edhe ekonomike, mbajtja e një referendumi nuk është aspak në luksin e maxhorancës. Por politikisht kjo betejë iu dhurua Berishës nga kundërshtari, e tashmë Ramës do t’i duhet të ofrojë votën e partisë së tij në Kuvend si një humbës, megjithëse ishte beteja që ai mund ta kishte fituar më lehtë se cilëndo betejë tjetër, madje duke kërkuar kushte për mbrojtjen e minorancës parlamentare, si një logjikë e opozitarizmit.
Shenjat se ideja e referendumit për imunitetin ishte thjesht një mënyrë për të shënuar fitoren politike nga Berisha, u dha që me daljen e kryeparlamentares Topalli në konferencë për median, e më pas në votimin në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, të propozimeve të opozitës. Mirëpo, kjo mënyrë e të kthyerit drejt Kuvendit për këto ndryshime e detyron opozitën që tashmë të mos ketë mundësinë e bllokimeve të reja, pasi gjithçka që do të paraqitej si vonesë nga partia e Ramës do të ngarkonte socialistët me përgjegjësi përpara publikut, duke e nxjerrë si denoncues dhe bllokues jo për shkak të parimeve në të mirë të qytetarëve, por thjesht në parimin e ardhjes në pushtet.
Ndërkaq, loja politike në të cilën është futur opozita përmes modelit mediatik-replikues të Ramës, e ka bërë këtë të fundit të gjejë pak hapësira për të paraqitur platforma të vërteta, duke qenë se kemi hyrë thuajse në fazën finale të mbledhjes së forcave për zgjedhjet e ardhshme. Kjo situatë pragzgjedhore, për shkak edhe të polarizimit politik, e bën edhe më të vështirë arritjen e rezultateve nga qeveria aktuale, situatë që mund ta kthente Ramën një person që mund të drejtonte një fron qytetar, siç ndodhi gati tetë vite më parë me opozitën e atëhershme, që bindi edhe vetë socialistët që duhej të linin pushtetin. Mirëpo vetë Rama i ka dhënë shansin Berishës që ta paraqesë kreun e opozitës si një pengues-bllokues, duke e lënë të rrotullohet në një bosht humbjesh pa arritur të marrë fytyrën e një lideri të besueshëm alternativ për pushtetin.
Debatet virtuale Majko-Braçe apo leksionet e profesorit të socialistëve, Servet Pëllumbit, lidhur me ndryshimin e strategjisë së komunikimit me publikun, ka gjasa që Rama as të mos ua vërë veshin, pasi duket se ka krijuar një siguri vetëm sipas modelit të tij të komunikimit. Një mungesë e tillë debati – e stilit “mos akuzo, por jep alternativa” – jo vetëm që ngre hije dyshimi mbi aftësinë e Ramës për të ngritur një lëvizje qytetare, por edhe ngushton hapësirat e maxhorancës për të bërë analiza lidhur me atë që premtoi, por nuk mundi, apo me aktorë brenda gjirit të vet që nuk kanë qenë aspak përfaqësues gjatë këtyre viteve.
Por pikërisht këtë hezitim të Ramës për të ndërtuar beteja të qarta politike apo koalicione, Berisha e ka shfrytëzuar maksimalisht për të ringritur moralin mes vetë maxhorancës, madje të bëjë që edhe disa parti, që mund të tentonin t’i afroheshin Ramës me shpresën e marrjes pjesë në pushtet, të ndihen më të sigurta në tortën që gatuan kreu i maxhorancës.
… Vjeshta është provimi i fundit për të riformatuar betejat politike nga Rama. Nëse ngel edhe një herë brenda rrjetit që e ngatërron më së shumti vetë, atëherë Rama mund të mbetet dhuruesi më i madh i pushtetit për kundërshtarin, duke rrezikuar jo vetëm vlerat e opozitarizmit, por edhe të mungesës së thellë të një alternative për të qeverisur.
© Panorama.al












