Dhunuan fëmijën, gjykata u heq prindërve kujdestarinë

Feb 1, 2012 | 12:15

FIER/ Vendimi: 12-vjeçari tek “Zyber Hallulli” në Tiranë

Gjykata e Fierit ka penalizuar në mënyrën më ekstreme dy prindër dhunues, duke u hequr atyre kujdestarinë e fëmijës 12 vjeç, si dhe duke shënuar precedentin e parë në këtë qark me një masë të tillë. I mituri është zbuluar me shenja të dhunës, pas një raportimi të një të afërmeje të tij në zyrat e shërbimit social në Bashkinë e Fierit. Kjo e fundit është vënë në lëvizje duke sinjalizuar policinë, nga ku i është kërkuar të trajtohet si një rast i veçantë. Djali, nxënës në klasën e gjashtë, por me probleme mendore, ka mundur t’ua bëjë të qartë punonjëseve sociale dhunën, por edhe raporti mjeko-ligjor konfirmoi keqtrajtimin e 12-vjeçarit. Burime nga Shërbimi Social në Bashki bënë të ditur se ka qenë kushërira e nënës së fëmijës, ajo që kishte vënë re shenjat e dhunës së të miturit. Ajo e ka paraqitur rastin duke kërkuar ndihmë, pasi sipas saj jeta e fëmijës ishte në rrezik. Punonjësit e shërbimit social e kanë raportuar menjëherë rastin në Policinë e Fierit, duke i kërkuar ta shihnin nga afër situatën e raportuar si alarmante nga e afërmja e fëmijës. Nga puna që kishin kryer më parë punonjëset sociale, kishin marrë pohimet e vetë fëmijës, i cili kishte pranuar se i rrezikohej jeta nga prindërit. Pas raportimit të ngjarjes, seksioni kundër dhunës në familje në Policinë e Fierit hetoi kushtet dhe rrethanat e fëmijës. Ata vërtetuan që nëna e 12-vjeçarit, shtetasja me inicialet K.T., ishte me probleme mendore dhe e dhunuar prej bashkëshortit të saj. E gjendur në këto kushte, sektori i mbrojtjes së të miturve e dhunës në familje i kërkoi Gjykatës që të nxirrte një urdhër mbrojtjeje për nënën. Gjithashtu, shërbimet sociale kërkuan fillimisht heqjen e kujdestarisë së nënës për fëmijën. “Kujdestaria e përkohshme me vendim gjykate i kaloi babait, shtetasit P.T. Por ai nuk është kujdesur për djalin 12 vjeç dhe me probleme mendore, duke mos i afruar atij mjetet e jetesës. Në këto rrethana i është kërkuar gjykatës që të marrë si masë mbrojtjeje për fëmijën e mitur me inicialet L.T. edhe heqjen përkohësisht, të një periudhe prej një viti, të përgjegjësisë prindërore të babait të tij”, bënë të ditur burime nga sektori i mbrojtjes së të miturve e dhunës në familje. Sipas burimeve të Gjykatës, i padituri, babai i të miturit, ka deklaruar para trupit gjykues se është i papunë dhe se nuk kishte mundësi që të kujdesej për djalin e tij me paaftësi mendore. Raporti për ngjarjen është përpiluar nga ana e punonjësve socialë më 26. 12.2011. Ndërsa gjykata u bazua në ligjin 9669, dt 18.12.2006 për masat ndaj dhunës në familje. Mësohet se fëmija i dhunuar ishte në klasën e 6-të, por ai nuk mund ta frekuentonte rregullisht shkollën për shkak të problemeve mendore. Prej 4 vjetësh, ai kishte qëndruar tek familja e tezes në Itali, pasi familjarët kishin probleme ekonomike. Tashmë po bëhet gati dokumentacioni që fëmija të nisë jetën në shtëpinë e fëmijës “Zyber Halluli” në Tiranë, larg familjes së tij. Këto ditë për të po kujdeset tezja e tij në Tiranë.

Bashkia: 40 fëmijë të dhunuar
Drejtoria e Shërbimit Social në Bashkinë Fier ka regjistruar shifra alarmante të dhunës ndaj fëmijëve, që janë regjistruar brenda vijës së verdhë të Bashkisë Fier për vitin 2011. Kjo drejtori raporton më shumë së 40 raste të evidentuara të dhunës ndaj fëmijëve. Sipas punonjëses sociale Alma Agalliu, rastet në fjalë janë ndjekur prej këtij institucioni dhe është synuar që gjithçka të zgjidhet brenda familjes nëpërmjet këshillimeve sociale.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura