Dhunonte varret e memorialët, arrestohet 32-vjeçari

May 2, 2012 | 12:56

GRAMSH – Një 32-vjeçar u arrestua nga policia e Gramshit për dhunim të varreve. Ndonëse akuza nuk është e rrallë, ngritur gjatë viteve të fundit, qëllimi i Vasil Zenelit, banor i fshatit Vanimo në Gramsh, nuk ka qenë sigurimi i objekteve për t’i shitur për qëllim përfitimi. Në rrethana dhe për motive që nuk janë sqaruar për Policinë, Zeneli ka dëmtuar e shkatërruar një sërë varresh dhe memorialë të ngritur përreth fshatit të tij. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Gramshit, 32-vjeçari u arrestua mesditën e djeshme. Ai akuzohet se gjatë ditëve të fundit ka thyer xhamat e një mjeti tip “Land Rover”, pronë e stacionit pyjor të rrethit Gramsh. Më pas, Zeneli akuzohet se ka dhunuar varrezat e fshatit Nartë në qytetin e Gramshit. Vetë banorët e zonës kanë deklaruar se 32-vjeçari është parë duke dëmtuar edhe memorialin e një shtetasi, ngritur buzë rrugës, i cili kishte humbur jetën aksidentalisht në këtë fshat vite më parë. Në nder të tij, familjarët kishin ngritur një memorial në fshatin Zenelaj të rrethit të Gramshit. Ndaj 32-vjeçarit rëndon akuza e “dhunimit të objekteve shtetërore dhe private”. Materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për hetime të mëtejshme. Pritet që pas ballafaqimit me grupin hetimor, Zeneli të shpjegojë dhe arsyet e dhunës ndaj objekteve.                      m.s

© Panorama.al

Te lidhura