Dhunohen për pronat të moshuarit

Jun 16, 2012 | 13:40
Myrvje Nurka në spital

KONISPOL – Një çift të moshuarish është dhunuar me mjete të forta pasditen e djeshme në banesën e tyre në qytetin e Konispolit. Një i ri, banor i Tiranës, por me origjinë nga Konispoli, dhunoi çiftin 86 dhe 78 vjeç pas një konflikti pronësie. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:00, kur bashkëshortët Shaban e Myrvje Nurka janë dhunuar barbarisht me mjete të forta, duke u shkaktuar atyre fraktura në trup nga 26-vjeçari Altin Dalani, i cili rezulton se është djali i ish-pronarit të banesës ku jeton sot çifti Nurka.
Banorët e lagjes sinjalizuan menjëherë Policinë e Sarandës për ndihmë. Në Konispol mbërriti edhe autoambulanca për t’u dhënë ndihmën e parë të dhunuarve, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës. Edhe pse lëngonte nga dhimbjet e shkaktuara nga dhuna, 78-vjeçarja Myrvje Nurka u shpreh se me familjen Dalani kishin vite që ishin në konflikt për banesën e tyre. “Ne e kemi blerë shtëpinë në vitin 1960 nga shteti dhe kemi hipotekë. Në këtë shtëpi kam lindur fëmijët dhe i kam rritur ata. Pas viteve ’90, ish-pronarët kanë tentuar të na e marrin shtëpinë, por deri tani ende nuk ka një vendim gjykate që ta marrin atë. Nuk jam kundër ligjit. Por, këtë që bënë ata nuk e fal”, u shpreh e moshuara. Policia shoqëroi 26-vjeçarin Altin Dalani si autor të kësaj ngjarjeje.                sh.d

© Panorama.al

Te lidhura