Dhunimi i varreve, rekurs për kreun e OMONIA-s

Feb 7, 2012 | 12:02

Kreu i OMONIA-s, Naum Disho

Prokuroria kërkon ashpërsimin e dënimit për dhunimin e varreve.

Mbërrin në Gjykatën e Lartë çështja e dhunimit të varreve të Boboshticës, ngjarje për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apelit të Korçës dënoi me 1 vit burg kreun e OMONIA-s të këtij qyteti, Naum Disho. Dosja me tre të pandehur, mes të cilëve edhe Disho, ka mbërritur në Gjykatën e Lartë, në një kohë vendimi i formës së prerë me burg ndaj tij ende nuk është ekzekutuar. Pas shpalljes së vendimit në Apel, më 10 janar, që i dha formë të prerë dënimit me burg për Dishon, mbrojtësi i tij i kërkoi Gjykatës shtyrjen e ekzekutimit të vendimit me gjashtë muaj. Avokati e argumentoi kërkesën e tij në Gjykatë me probleme shëndetësore të Dishos. Por ndonëse më 27 janar kjo kërkesë nuk u pranua nga Gjykata, deri më sot kreu i OMONIA-s së Korçës vijon të jetë i lirë. Disho dhe dy të bashkëpandehurit e tij u deklaruan fajtorë nga gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Dytë Korçë për dhunimin e disa varreve në zonën e Boboshticës, në tetor të vitit 2010, gjatë ngritjes së një memoriali në nderim të ushtarëve grekë.
REKURSI
Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë konfirmuan dje regjistrimin e dosjes penale, ku të pandehur janë Naum Disho, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe. Bëhet fjalë për rekursin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë kudër vendimit të 10 janarit 2012 të Apelit, Korçë. Në këtë vendim, Apeli la në fuqi Shkallën e Parë, e cila dënoi me 1 vit burg Naum Dishon, ndërsa la në liri me kusht për një periudhë gjashtëmujore dy të pandehurit e tjerë, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe. “Për kryerjen e veprës penale të ‘ndërtimit të paligjshëm në bashkëpunim’ dhe të ‘dhunimit të varreve'”, thuhej në objektin e akuzës së kësaj çështjeje. Në anën tjetër, burime pranë mbrojtjes së Dishos bënë të ditur se vendimit të Apelit i është bërë rekurs edhe nga vetë Disho. Njëkohësisht mësohet se në Gjykatën e Lartë është depozituar edhe një kërkesë paralele, me anë të së cilës mbrojtja e Dishos pretendon mosekzeku-timin e vendimit të Apelit për Dishon, deri në momentin e shprehjes së Gjykatës së Lartë.
SKANDALI
Dhunimi i disa varreve të vjetra në Boboshticë të Korçës, për ngritjen e një memoriali të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke, mori përmasat e një skandali kur rezultoi se “urdhëruesi” ishte Naum Disho, kreu i organizatës “OMONIA” për Korçën. Disho dhe dy personat që kishin punuar në ndërtimin e memorialit, u morën të pandehur për akuzat e “dhunimit të varreve” dhe të “ndërtimit të paligjshëm, në bashkëpunim”.

Arrestimi
Ndonëse Gjykata e Korçës e shpalli fajtor Naum Dishon dhe e dënoi atë me 1 vit burg, verdikti i gjykatës nuk u zbatua. Fillimisht shkak i moszbatimit të vendimit të gjykatës ishte apelimi i masës së dënimit dhe më pas, një ankim i bërë nga avokati i kreut të OMONIA-s, që kër-koi shtyrjen e ekze-kutimit të vendimit. Gjatë kësaj kohe, i akuzuari përfitoi për të humbur gjurmët, aq sa kur policia shkoi për t’i vënë në pranga, Naum Disho nuk u gjet në adresën e dhënë. Për këtë arsye, Policia bëri shpalljen e tij në kërkim, ndërsa nga verifikimet që u kryen, mësohet se nuk ka rezultuar që i akuzuari të ketë dalë jashtë Shqipërisë.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura