
Kategoria e Parë/ Luftëtari kthehet mes më të mirëve e shpallet kampion.
Kukësi është “superior”, ngjitet për herë të parë në elitë.
Luftëtari shpallet kampion i Kategorisë së Parë, Kukësi arrin të ngjitet si i renditur në vend të dytë, ndërsa Lushnja, Besa dhe Besëlidhja do të luajnë nga një ndeshje shtesë.
Ndërkohë takimi më i rëndësishëm i javës së fundit ishte ai i luajtur në Lushnjë, ku vendësit pritën Kukësin. Lushnja duhet të fitonte me tre gola diferencë për të kaluar në renditje kuksianët, por jo vetëm që nuk shënoi 3 gola, por nuk arriti të fitonte as ndeshjen. Në një atmosferë e cila ka qenë gjatë gjithë kohës në ekstazë filloi edhe ky takim, i cili më shumë sesa në fushë u luajt në shkallët e stadiumit. Kështu, ka qenë minuta e 39-të e takimit kur kanë nisur përplasjet e tifozërive, të cilat kanë shkaktuar edhe 15 të plagosur. Këta të fundit kanë shkuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Tifozë nga Lushnja e Kukësi, e në mes tyre edhe 3 policë, kanë marrë mjekime në spital dhe sipas raportimeve nuk ka pasur asnjë me probleme serioze për jetën. Në momentin e ndërprerjes së takimit kanë ardhur edhe shumë uniforma blu nga rrethet e tjera e po ashtu edhe FNSH-ja, të cilat kanë mbajtur situatën nën kontroll. Ndërkohë që kryebashkiaku Tushe u ka bërë thirrje për qetësi të dyja tifozërive. Në stadium kishte afro 200 tifozë kuksianë, të cilët e mbështetën ekipin e tyre në këtë sfidë, çka solli edhe përplasjen me vendësit. Ndërsa në pjesën e dytë trajneri i Lushnjës, Saimir Malko, bën disa lëvizje që i dhanë gjallëri lojës. Lojtarët e Lushnjës lëvizin shumë, por nuk ishin në ditën e tyre e madje nuk përfituan edhe nga gabimet e lojtarëve miq. Një rast i tillë ishte në minutën e 64-t, kur një keqkuptim mes Koçit e Premçit mund të ishte një rast ideal për Lushnjën, por Gjoni nuk përfiton. Loja ecën e Lushnja luan vetëm me topa të gjatë që ia bëjnë më të lehtë punës mbrojtësve të Kukësit. Në minutën e 73-të është Gjoni që gjuan fluturimthi, por pret Koçi. Ndërsa në minutën e fundit është Allamani që përfiton nga një gabim i mbrojtjes e gjuan, por pret Bejte. Kaq, nuk ka më kohë, jo për 3 gola, por për asnjë. Një barazim i thatë që nxjerr Kukësin në Superiore e Lushnjën në “play-off” me Apoloninë. Ndërkohë, duhet thënë se skuadra kuksiane do të luajë për herë të parë në gjithë historinë e saj mes elitareve. Edhe pse është krijuar prej gati 80 vitesh (të paktën kështu janë informacionet), kjo skuadër nuk ka mundur të ngjitet asnjëherë në kategorinë e më të mirave. Në ndeshjet e tjera, Iliria mundi në “Ruzhdi Bizhuta” Elbasanin në një sfidë pas asnjë motiv, ndërsa Besa fitoi jo pa mundime ndaj Gramshit në Kavajë. Goleada të tepruara në Burrel, Gjirokastër dhe Skrapar, që i bënë punë vetëm Kreshnik Ivanajt, i cili u shpall edhe golashënuesi më i mirë. Në Sarandë, vendësit fituan ndaj Adës së Velipojës, ndërsa Vlora nuk e pa të arsyeshme që të udhëtonte drejt Lezhës për të luajtur ndeshjen e fundit, duke qenë se nuk kishte asnjë shans për të qëndruar në Kategorinë e Parë. Skuadra e dytë e Vlorës (përveç Flamurtarit) do t’i bashkëngjitet Skraparit vitin tjetër në Kategorinë e Dytë.
Ivanaj
Estradë golash ka pasur edhe në Kategorinë e Parë, madje edhe më e shëmtuar, pasi Burreli luajti tërësisht për Kreshnik Ivanajn, i cili shënoi plot 6 gola ndaj Gramozit në fitoren 7-3 të vendësve. U mundua së largu, nga Gjirokastra, Nora për të kaluar Ivanajn, por nuk shënoi më shumë se katër gola. Në fund ishte Ivanaj që doli më “i zoti”, duke marrë “Këpucën e Artë” me 27 gola
Gjirokastra, festë madhështore
Luftëtarit i janë dashur 13 vite që të rikthehej të fitonte një titull kampion. Bëhet fjalë për trofeun e Kategorisë së Parë (më parë quhej Kategoria e Dytë). Bluzinjtë kanë munguar për pesë sezone në elitën e futbollit dhe dje kanë zhvilluar ndeshjen e fundit në të Parën. Festa ka nisur rreth një orë para takimit të djeshëm, ku pa dyshim këngët dhe dekori i bukur sportiv i krijuar nga tifo-grupi “Shqiponjat bluzi” e shndërroi stadiumin në një skenë të vërtet shfaqjeje. Më pas është kaluar në një kolazh këngësh popullore të interpretuara nga Silva Gunbardhi, Gentian Selfo, Ermal Kore dhe Vojsava Aliaj. Nuk mund të mungonin në tribunën VIP presidenti Armando Duka dhe dy zëvendësit e tij, Lutfi Nuri dhe Bujar Kasmi.
Kategoria 1
Elbasani-Iliria 2-3
Besa-Gramshi 2-1
Burreli-Gramozi 7-3
Butrinti-Ada 2-0
Luftëtari-Mamurrasi 6-3
Skrapari-Himara 1-7
Lushnja-Kukësi 0-0
Besëlidhja-Vlora (s’luajt)
Shënim: S’u paraqit Vlora
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H GSH GP P
1. Luftëtari 30 23 3 4 59 22 72
2. Kukësi 30 21 4 5 63 24 67
3. Lushnja 30 19 7 4 49 16 64
4. Besa 30 17 4 9 44 33 55
5. Besëlidhja 29 15 6 8 35 16 51
6. Elbasani 30 11 6 13 44 48 39
7. Burreli 30 12 3 15 36 43 39
8. Gramshi 30 10 8 12 37 44 38
9. Butrinti 30 10 7 13 32 36 37
10. Ada 30 9 9 12 34 35 36
11. Iliria 30 11 3 16 38 44 36
12. Mamurrasi 30 10 4 16 35 48 34
13. Himara 30 9 5 16 38 43 32
14. Gramozi 30 9 2 19 25 60 29
15. Vlora 29 6 6 17 24 48 24
16. Skrapari 30 4 9 17 19 52 15
Shënim: Skrapari i dënuar me – 6 pikë nga Disiplina. Besëlidhja pritet të marrë fitoren 3-0 në tavolinë nga Komisioni i Disiplinës për mosparaqitjen e Vlorës në ndeshje.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











