Komuniteti ndërkombëtar ka dënuar dhunën në Siri nga regjimi i Asad, por edhe rebelët, të cilët kanë ekzekutuar disa ushtarë që i kishin kapur si rob lufte në Alepo. Gjysmë të zhveshur, të paarmatosur dhe duke u dridhur, një grup i ushtarëve pro Asad uleshin në gjunjë përballë një muri në qytetin Alepo, tashmë kryeqendër e luftës në Siri. Krimi i tyre ishte anëtarësimi në “Shabiha”, grupi i milicisë besnike të Presidentit Bashar al Asad dhe dënimi i tyre: ekzekutimi. Edhe pse me imazhe të turbullta të publikuara nga një video amatore, armët e rebelëve dhe duart e tyre dukeshin qartë. Në një moment, një njeri nga turma përpiqet të ndalojë njeriun që po filmon duke i vendosur dorën para kamerës. Por, pak sekonda më pas në ajër fluturonin gëzhoja. Më pas u dukën vetëm një tufë me kufoma, meshkujt që ishin gjunjëzuar. Video duket e realizuar nga një prej rebelëve që po luftojnë për të rrezuar Asad nga pushteti. Origjinaliteti i videos ishte i pamundur për t’u vërtetuar. Ndërkohë Presidenti Asad u ka bërë thirrje trupave të tij se nga beteja e Alepos varet e ardhmja e fatit të Sirisë.











