Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, e ka cilësuar regjimin e Presidentit sirian, Bashar al Asad, me legjitimitet të humbur, pas një tjetër masakre ku humbën jetën mbi 80 persona, prej të cilëve 20 fëmijë. Sipas Ban Ki Mun, monitoruesit e OKB-së, duke bërë përpjekje për të arritur në vendin ku ka ndodhur masakra e fundit, janë qëlluar me armë. Në fillim të sesionit special të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për krizën në Siri, Ban Ki Mun ka dënuar masakrën e qytetit Hama, ku janë vrarë më shumë se 80 civilë. Ai ka bërë thirrje për zbatimin e menjëhershëm të planit për paqe të të dërguarit ndërkombëtar për krizën, Kofi Anan.











