Dhori Kule është demoni i Universitetit të Tiranës

Jul 13, 2012 | 13:23
Zv.dekania Shpresa Delia

Akuza të forta që shkojnë përtej një marrëdhënieje institucionale. Zv.dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Shpresa Delia, është e vetmja që ka deklaruar hapur se ajo çka po ndodh në këtë fakultet është një hakmarrje e pastër e rektorit Dhori Kule. Madje ajo shkon edhe më tej. E pyetur për klimën e frikës që ekziston në fakultete, Delia thekson se hakmarrja do të vazhdojë, por të paktën atë nuk mund ta bënte të heshtte.
Zonja Delia, ju keni qenë e vetmja qe keni dalë hapur me deklaratën tuaj, se ajo çka po ndodh në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është një hakmarrje e pastër e rektorit të Universitetit të Tiranës. Vendimi për rishpërndarjen e pedagogëve, nga sa jeni shprehur, është marrë vetëm për shkak të numrit të ulët të votave që iu dhanë rektorit nga Fakulteti juaj në zgjedhjet e fundit. Ku e bazoni këtë deklaratë?
Është më se e sigurt që ka të bëjë me zgjedhjet. Janë inate të rektorit, pasi ne nuk i dhamë votat. Të gjithë e kemi diskutuar. Të gjithë e dinë, por thjesht kanë frikë ta deklarojnë hapur. Dhori Kule është demon i Universitetit të Tiranës. Para 4 vjetësh Kule është mbështetur fuqimisht nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, por vetëm pak kohë më pas patëm disa kontradikta dhe prej tre e më shumë vjetësh nuk e kishim parë, derisa erdhën zgjedhjet. Jam e bindur për këtë sepse Kule e njeh mirë strukturën e këtij fakulteti, e di mirë se çfarë ngarkese mbulon një pedagog i jashtëm dhe një i brendshëm, por ai do ta shkatërrojë komplet Departamentin.
Të akuzosh rektorin si demon është e rëndë, në fakt, ndërkohë që vetëm dje erdhi lista e parë më emrat e një pjese të pedagogëve. A ka pasur kritere në përzgjedhje?
Në rang intelektualësh të percipitojnë gjërat deri këtu, është e turpshme. Rektori ka dërguar listën e pedagogëve që do të largohen. Një listë që ka ardhur me e-mail, jo me shkresë zyrtare. Kritere përzgjedhjeje nuk na ka komunikuar njeri, ato i  ka vendosur rektori i Universitetit. Kjo është vetëm lista e parë, pasi do të ketë edhe një të dytë. Tek e para nuk e kam emrin, por jam e sigurt që do të jetë te lista e dytë, e nëse nuk është edhe këtu, patjetër që do të ketë një listë tjetër në tetor, pasi rektori Kule e njeh mirë hakmarrjen.  E kam thënë edhe më parë, Universiteti i Tiranës nuk ka investuar asgjë për kualifikimin tonë profesional. Gjithçka e kemi bërë vetë dhe ai, pa pikën e përgjegjësisë, merr vendime të tilla. Ose ka lajthitur, ose është i qartë në hakmarrjen e tij.
Ju thoni se rektori po hakmerret. A keni frikë se kjo hakmarrje do të vazhdojë edhe më pas, pasi klima që shihet mes pedagogëve është se ata stepen të flasin kundër rektorit?
Sigurisht që po. Jam e bindur, edhe pse nuk mund të heshtja për këtë situatë. Qëllimi i vetëm i rektorit të Universitetit të Tiranës është të shkatërrojë Departamentin e Gjuhëve të Huaja. Unë e di që ai njeri do të hakmerret. Momentalisht ka marrë pushim, të hartojë strategjinë, të këshillohet, sepse i ka dalë disi situata jashtë kontrollit, por jam e bindur që është nga ata që nuk harron. Them se do t’ia dëgjoni këngën në tetor sërish.
Ju folët edhe për kualifikimet e pedagogëve. A do të ndikojë largimi i tyre në cilësinë e mësimdhënies?
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka një kastë pedagogësh, të cilët janë në përpjekje të pandërprera për kualifikimin e tyre akademik. Një pjesë e mirë e tyre kanë marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare dhe kanë doktorata në fusha specifike, siç është gjuhësia apo letërsia. Me këto lëvizje i bie që të kthehemi në një fushë akoma edhe më specifike, siç është dhënia e gjuhës angleze për qëllime specifike. T’i hedhësh poshtë këto kualifikime për arsye personale, është e turpshme.

Vendimi arbitrar për rishpërndarjen e 28 pedagogëve
Vendimi për rishpërndarjen e 28 pedagogëve të Departamentit të Gjuhës Angleze është marrë në datën 28 maj. Ai është përcjellë nga Këshilli i Administrimit të Universitetit të Tiranës në Fakultetin e Gjuhëve të huaja më 4 qershor. Ka qenë rektori i Universitetit, Dhori Kule, ai që ka propozuar vendimin e cilësuar si arbitrar. Departamenti ka gjithsej 50 pedagogë. Departamentit kështu i hiqet 50% e stafit, çka do të thotë që  mbi bazën e këtij vendimi, 50% e orëve mësimore të mos bëhen. Pedagogët dhe Këshilli i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, të prekur direkt nga ky vendim, nuk janë konsultuar aspak, çka përbën, sipas tyre, një shkelje të rëndë. Pas komunikimit zyrtar, dekania Klodeta Dibra kërkoi pezullimin e vendimit, duke e quajtur si të jashtëligjshëm. Në mungesë të reagimit, çështja u bë publike në media. Rektori Dhori Kule i ka mohuar të gjitha këto akuza, ndonëse janë vënë në dispozicion shkresat që i faktojnë këto shkelje.

Dhori Kule, para nga 7 borde
Rektori i Universitetit të  Tiranës  krahas pagës së tij si rektor dhe pedagog,paguhet nga paratë e qytetarëve shqiptarë si anëtar në 7 borde. Vetëm pak ditë më parë, gazeta zbardhi deklaratën e pasurisë së rektorit . Vetëm në deklaratën e vitit 2012, nga pagesat e bordeve Kule ka marrë 1 840 430 lekë, ose rreth 18 mijë USD. Këto vetëm si anëtar bordesh. Pagesa e aftësive të Kules shtohet edhe me pagën vjetore prej 1 886 548 lekë si rektor i Universitetit dhe 815 400 lekë si pedagog në Fakultetin e Ekonomisë. Në total, pagesa vjetore e Kules ka arritur shifrën rekord prej 4 542 414 lekësh, ose rreth 378 000 lekë në muaj (rreth 3700 dollarë). Të ardhurat e Kules i kalojnë edhe ato të Presidentit dhe Kryeministrit. Me ligj, paga mujore e Presidentit eshte 255 mijë lekë në muaj, pra rreth 1200 USD më pak se sa merr Kule.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura