Dhoma e tregtisë: Të rishikohen kushtet e kredive

Jun 8, 2011 | 10:41

Në kushtet e krizës ekonomike, duhet që edhe marrëdhëniet mes bankave dhe biznesit të jenë më fleksibël. Dhoma e Tregtisë zhvilloi dje një mbledhje jashtë radhe, pas problemeve të krijuara mes biznesit dhe bankave e specifikisht mes bankës “Raiffeisen” dhe “Birra Norga”. Sipas njoftimit, kryetari i Dhomës, Nikolin Jaka, i njohu anëtarët e kryesisë më hapat që Dhoma ka ndjekur për rastin në fjalë, duke bërë me dije se ka pasur kontakte të vazhdueshme telefonike me drejtuesit e birrës “Norga” dhe gjithashtu takim me drejtorin e Përgjithshëm të “Raiffiesen Bank”, duke marrë në këtë rast rolin që Dhoma ka, atë të arbitrit, duke kërkuar që sipërmarrjet të jenë gjakftohta në gjykim ma akuzat dhe kundërakuzat mes palëve.
Por, duket se përplasja e “Birra Norga” me “Raiffeisen” është vetëm pjesa e hapur e problemit. Burime nga biznesmenët thanë për gazetën se gjatë mbledhjes është propozuar një paketë e plotë për të kaluar këtë fazë stajnacioni. “Për këtë qëllim, për të ruajtur stabilitetin financiar të vendit në një moment aq të brishtë dhe delikat për Shqipërinë, së shpejti do të jetë kjo platformë që do të shkojë për diskutim në tre institucionet kryesore financiare të vendit, Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për të gjetur kësisoj një zgjidhje afatgjatë dhe larg rrezikshmërisë aktuale.” Ajo çfarë u cilësua e rëndësishme në këtë mes është ndërtimi i një marrëdhënieje të drejtë kredimarrje-kredidhënie, mbi bazën e së cilës do të hartohet dhe kjo strategji. Sipas të dhënave, platforma do të mbështetet në tri pika kryesore dhe të zbatuara edhe në vendet e tjera. E para është rishikimi i kredive me probleme ose atyre financimeve që po shkojnë në këtë drejtim. Propozohet që të ketë një fazë e ngrirjeve të pagesave prej 6 muaj deri në një vit. Kjo, për t’i dhënë frymëmarrje biznesit. Pika e dytë është rinegocimi i kredive. Kjo është kërkesa që vjen nga shumica e komunitetit të biznesit në Dhomën e Tregtisë. Pika tjetër që propozohet, është rishikimi i afateve dhe i interesave. Të tre këto kërkesa kërkojnë një bashkëpunim të ngushtë me bankat dhe ndërhyrjen e garancinë e shtetit. Pika e tretë, e cila ka gjetur zbatim në pjesë më të madhe të Europës dhe SHBA, është ndërhyrja direkt e shtetit. Rasti i kompanisë prodhuese të birrës “Norga” dhe sekuestrimit të pronës së saj nga banka përkatëse kredidhënëse, rrezikon të shndërrohet në një fenomen me shtrirje shumë të gjerë. Propozohen pikërisht masat që ndërmori dhe realizoi qeveria amerikane apo Banka Qendrore Europiane, për të ndihmuar sipërmarrjet dhe ekonomitë e BE-së më të prekura nga kriza. Gjykojmë se nuk është strategjikisht e dobishme për bankat që veprojnë në Shqipëri, të tregojnë një rreptësi të pashoqe përkundrejt një sipërmarrjeje huamarrëse shqiptare, nëse në këtë mënyrë e falimentojnë atë si biznes. Pra, financimi nga shteti për të mos lejuar falimentimin e bizneseve që janë prodhuese vendase dhe që mbajnë të punësuar me qindra shqiptarë.

© Panorama.al

Te lidhura